
Gjykata e Posaçme ka pezulluar nga detyra numrin dy të qeverisë, Belinda Balluku.
Ministrja e Infrastukturës dhe Energjitikës me të njëjtin vendim të gjyqtarit të hetimeve paraprake, Erion Çela ndalohet të dalë nga vendi.
Më 31 tetor, Prokuroria e Posaçme e vuri nën akuzë Ballukum për tenderin e tunelit të Llogarasë, me vlerë 189 milionë euro.
Balluku qëndroi rreth 40 minuta në SPAK dhe në dalje deklaroi se “kishte pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për një çështje në hetim”.
“Si qytetare e Shqipërisë edhe zyrtare publike e shikoj këtë si një proces, një proces nga i cili jam shpresëplotë që do jetë i bazuar mbi transparencë, llogaridhënien dhe mbi të gjitha dhe mbi parimet drejtësisë tek e cila besoj,” deklaroi ajo.
Balluku, sipas SPAK, bashkëpunoi me pesë zyrtarë dhe anëtarë të vlerësimit të ofertave, të cilët gjithashtu janë marrë të pandehur.
Nën akuzë kanë përfunduar kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli, ish-drejtori, Evis Berberi dhe anëtarët e KVO Erald Elezi, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica.
Tenderi është zhvilluar fillimisht më 11 dhjetor 2020, por më pas u anulua dhe u rihap në 22 qershor 2021 me fond limit 18.9 miliardë lekë pa TVSH.
Por Berberi është marrë i pandehur nga Prokuroria e Posaçme edhe për një tjetër çështje për përfitim të tenderave në mënyrë të paligjshme përmes krijimit të një kompanie që i përfitonte ato.