Grupi Parlamentar i PD dorëzon kërkesën për ngritjen e Komisionit Hetimor për koncesionet në Shëndetësi 

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Grupi Parlamentar i PD dorëzon kërkesën për ngritjen e Komisionit Hetimor për koncesionet në Shëndetësi 

Kryetarja e Komisionit të Shëndetësisë Zheni Gjergji dhe deputetja Albana Vokshi dorëzuan sot në emër të Grupit Parlamentar kërkesën për ngritjen e Komisionit Hetimor për 4 kontratat koncesionare në fushën e shëndetësisë.

“Katër kontratat publike në sektorin e shëndetësisë përllogariten në vlerën totale rreth 45.5 miliardë lekë ose 450 milionë dollarë. Auditimet e kryera nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe hetimet e SPAK kanë treguar për shkelje të akteve ligjore dhe nënligjore, që ngrihen deri në nivelin e përgjegjësisë penale, si në fazën e përzgjedhjes dhe shpalljes së fituesit, ashtu edhe gjatë zbatimit të këtyre kontratave. Pikërisht, me qëllim shqyrtimin e këtyre praktikave, si dhe vlerësimin e marrjes së masave të nevojshme, përfshirë ndërhyrjet ligjore, deputetët nënshkrues kërkojnë ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar për Kontratat Publike në Sektorin e Shëndetësisë.”

 

Me poshte Grupi i PD evidenton edhe kontratat koncesionare per te cilat ka kerkuar hetim parlamentar:

Advertisement

 

Në datën 10.04.2019, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka nënshkruar një Kontratë partneriteti publik-privat për ofrimin e shërbimeve laboratorike mjekësore, me konsorciumin “Laboratory Netëorks” sh.p.k., i cili përbëhet nga shoqëritë “Labofarma” sh.p.k., “AB Laboratory Solution B.V”, dhe “EXALAB”. Kjo kontratë do të ketë një kohëzgjatje 10-vjecare nga data e komisionit të objektit të fundit laboratorik dhe përllogaritet të ketë kosto totale rreth 114 milionë dollarë.

Në datën 10.02.2016, Ministria e Shëndetësisë dhe shoqëria “DiaVita” sh.p.k., kanë nënshkruar kontratën e koncesionit për shërbimin e hemodializës. Kjo kontratë do të ketë një afat 10-vjecar dhe përllogaritet me një kosto totale prej 70 milionë euro. Historiku i kompanisë fituese të këtij koncesioni ngriti mjaft dyshime, duke qenë se jo vetëm nuk kishte asnjë eksperiencë në sektorin shëndetësor, me një kapital minimal prej 100 mijë lekësh, por pronarët e saj të vetmen eksperiencë në biznes kishin menaxhimin e një bar kafe modeste në qytetin e Beratit. Të dhënat e publikuara më pas në media do të zbulonin se pas kësaj kontrate qëndronte pronari i Spitalit Amerikan, biznesmeni Klodian Allajbeu, i cili nëpërmjet një kompanie të regjistruar në Hollandë do të bëhej edhe pronar përfitues i kësaj kontrate koncesionare.

Në datën 10.12.2015, Ministria e Shëndetësisë dhe shoqëria “SaniService” sh.p.k., nënshkruan kontratën për ofrimin e shërbimeve të integruara të furnizimit të setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikale sterile, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale, trajtimin e mbetjeve me rrezik biologjik dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale. Kjo kontratë do të ketë një kohëzgjatje 10-vjecare dhe përllogaritet me një kosto totale rreth 100 milionë euro. Deri më tani rezulton që për këtë kontratë të jenë paguar rreth 8 miliardë lekë ose 76 milionë euro.

Advertisement

Në datën 07.01.2015, Ministria e Shëndetësisë dhe shoqëria “3P Life Logistic” sh.p.k., nënshkruan kontratën për paketën e shërbimeve të kontrollit mjekësor bazë për grupmoshat 40 – 65 vjec. Kjo kontratë do të ketë një kohëzgjatje 10-vjecare dhe përllogaritet me një kosto totale rreth 120 milionë euro. Deri më sot rezulton që për këtë kontratë të jenë paguar rreth 60 milionë euro.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy