Hetimet për kompaninë “5D”, SPAK: Zyrtarët i jepnin tendera kompanisë që zotëronin vetë

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Hetimet për kompaninë “5D”, SPAK: Zyrtarët i jepnin tendera kompanisë që zotëronin vetë

Ish- kreu i Inspektoratit Ndërtimor të Tiranës, Mariglen Qato dhe Redi Molla Ish-drejtori i Ujësjellës Kanalizimeve në Tiranë që u arrestuan mbrëmjen e 28 marsit kanë shfrytëzuar lidhjet miqësore për të fshehur pronësinë reale mbi kompaninë 5D. SPAK thotë se ata kanë qenë zotëruesit realë të saj, por kanë përdorur ortakë fiktivë në mënyrë që shoqëria të shpallej fituese në 7 tendera publikë që janë realizuar nga UKT.

Kjo do të thotë se duke e zotëruar në mënyrë të tërthortë kompaninë 5D, Redi Molla dhe Mariglen Qato, sipas SPAK krijuan kushtet që në tendera publikë të favorizohej pikërisht shoqëria që për pronarë kishte vetë ata.

Por i implikuar në dhënien e tenderave të Bashkisë Tiranë, sipas Prokurorisë Speciale ka qenë edhe ish- drejtori i Punëve Publike, Taulant Tusha, i arrestuar më herët për dosjen e inceneratorit të Tiranës. Në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Planifikimit të Punëve Publike dhe anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, për Taulant Tushën, SPAK thotë se subjektit tregtar 5D Construction i janë dhënë avantazhe dhe privilegje të padrejta në raport me operatorët e tjerë ekonomikë.

Shoqëria 5D Construction është themeluar në vitin 2016 me administrator të vetëm, Nestor Muhametllarin dhe kishte për veprimtari ndërtimin e linjave elektrike, të rrjetit të ujësjellësit, kanalizimet e ujrave te zeza etj. Kapital fillestar i saj ishte në vlerën 100 lekë, ndërsa katër vjet më pas shkoi në 1 milionë lekë, e në 2022 kapitali u rrit në 30 milionë lekë. Por jo vetëm kaq, në fund të vitit 2023 kapitali i 5D u dyfishua, duke shkuar në 60 milionë lekë.

Advertisement

SPAK akuzon për Korrupsion, Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike dhe Refuzim për deklarimin, mosdeklarim, fshehje ose deklarimi të rremë i pasurive në bashkëpunim edhe 5 zyrtarë të tjerë.

Për të kryer krimin që prokuroria pretendon, pjesëmarrës në bashkëpunim kanë qenë tre anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave: Enton Punavia, Julian Zanaj dhe Albano Janku si dhe dy zyrtare, Eglantina Zere e Debora Keçi si autoritete kontraktore. /vizionplus.tv

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy