Ish-kreu i gjykatësve akuza ndaj misionit të EULEX, zëdhënësja i kundërpërgjigjet: Hamendësime

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Ish-kreu i gjykatësve akuza ndaj misionit të EULEX, zëdhënësja i kundërpërgjigjet: Hamendësime

Joanna Lachana, zëdhënëse e misionit të BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX iu përgjigjet akuzave të ish-kreut të gjykatësve të EULEX, Simmons: “I informuam homologët tanë kosovarë se ai kishte kërkuar të bëhej sinjalizues vetëm pasi kishin filluar disa procedura disiplinore kundër tij.”

Malkolm Simmons, ish-kreu i gjykatësve të EULEX-it, ka bërë akuza të rënda ndaj këtij misioni. Në dëshminë e tij për komisionin parlamentar të kuvendit të Kosovës, Simmos akuzoi misionin se kishte ndërhyrë në punën e drejtësisë dhe se synonte të largonte persona të caktuar nga jeta politike.

Kjo është vetëm një pjesë e dëshmisë së tij:

“Pas emërimit tim si kryetar, unë takova komandantin e operacioneve civile, Keneth Dean, në Prishtinë. Gjatë atij takimi të parë në zyrën e kreut të misionit, ai ma bëri shumë të qartë që misioni synonte të largonte nga jeta politike, persona që ai I përshkroi si peshq të mëdhenj. Gjatë asaj bisede, ai më tha, dhe janë fjalët e tij, pres të shoh gjykatësit e EULEX-it të dënojnë ata që akuzohen nga misioni.

Advertisement

Drenica ishte kritike për vazhdimin e dialogut Beograd-Prishtinë, Kleçka po ashtu. Kleçka ishte një rast që në opinionin tim, nuk duhet të ishte dërguar kurrë për gjykim. Nuk më shkon në mend asnjë vend në botë ku një gjykim apo rast I tillë me dëshmi të dobëta, do të kishte përfunduar në një sallë gjyqi. Ai rast kushtoi miliona euro për t’u ndjekur penalisht dhe kishte pak mundësi për sukses.

Zëvendës-kryetari I gjykatësve të EULEX-it nuk humbi kohë për të shprehur pakënaqësitë e tij lidhur me lirimet në rastin Kleçka dhe faktin, që sipas fjalëve të tij, shtetet anëtare prisnin dënime.  Para se të më emëronin kryetar të gjykatësve të EULEX, unë kisha dijeni për diskutimet brenda EULEX-it për transferimin e dosjeve tek autoritetet e prokurorisë në Serbi. Këto përfshinin dosje që EULEX-I I kishte marrë nga UNMIK-u.

Unë isha gjithashtu në dijeni për diskutimet në vazhdim e sipër midis prokurorëve të EULEX-it dhe prokurorëve në Serbi. Në të vërtetë, prokurorët e EULEX-it udhëtuan në Serbi në disa raste për të diskutuar rastet me prokurorët serbë. Kur u bëra kryetar në 2014, zbulova se dhjetëra dosje të krimeve të luftës, iu ishin dorëzuar autoriteteve të prokurorisë në Serbi.

Prokurorët e EULEX-it ishin rrallë të pavarur në marrjen e vendimeve. Udhëzimet në lidhje me cilat raste të çonin në ndjekje penale dhe sesi do të ndiqeshin penalisht këto çështje, merreshin në takimet e menaxhmentit. Në të njëjtën mënyrë, menaxhmenti I misionit, kishte gjykatës të preferuar dhe gjithashtu, kishte prokurorë të preferuar.”

Advertisement

Por Joanna Lachana, zëdhënëse e EULEX, i hodhi poshtë akuzat, duke theksuar se Simmsons thjeshtë prezantoi “një koleksion hamendësimesh të pabazuara dhe mendime personale. “

Ja çfarë thotë zonja Lachana në intervistën dhënë për emisionin Ballkan:

BALLKAN: A e dëmton dëshmia e Simmons imazhin dhe reputacionin e EULEX-it në Kosovë dhe jo vetëm?

LACHANA: Pretendimet e tij janë me të vërtetë një përpjekje për ta diskredituar Misionin, por edhe BE-në. Kjo është pjesë e një fushate të qëllimshme dezinformimi që synon t’i shërbejë motiveve dhe interesave të fshehta. Simmons nuk ofroi ndonjë provë në Kuvendin e Kosovës. Ai vetëm e prezantoi një koleksion hamendësimesh të pabazuara dhe mendimesh personale. Ai e bëri këtë duke e ditur se nuk mund të paditet për shpifje pasi deklarimi i tij mbulohet nga imuniteti i privilegjit parlamentar.

Advertisement

Ne e shohim këtë si një përpjekje për ta krijuar një tablo të rreme e cila do t’i mbulonte hetimet e kryera kundër tij në Bruksel për shkelje. Ai, padyshim që është i pakënaqur me rezultatin e hetimeve dhe padyshim që është i pakënaqur me hedhjen poshtë nga gjykata britanike të një kërkesëpadie civile që ai e parashtroi kundër Misionit dhe institucioneve të tjera të BE-së në vitin 2020. Thënë shkurt, ai është i pakënaqur me të gjitha procedurat ligjore kundër tij. Për hir të transparencës, ne tashmë i kemi bërë thirrje Simmons-it që t’i prezantojë raportet, konkluzionet dhe rekomandimet e bordit disiplinor në Kuvendin e Kosovës, duke i mundësuar deputetëve të Kosovës që t’i shqyrtojnë plotësisht pretendimet e tij.

BALLKAN: Si planifikoni t’i kundërshtoni pretendimet e tij?

LACHANA: Duke thënë të vërtetën. Ne e dimë shumë mirë që dezinformimi udhëton më shpejtë se e vërteta. Ne gjithashtu e dimë shumë mirë që është më e lehtë për ta bindur opinionin publik me gjuhë emocionale sesa me argumente ligjore. Por e vërteta është shumë e qartë në këtë rast. Simmons tha se “Kleçka” ishte një rast i cili nuk duhej të dilte kurrë në gjyq. Por, ishte vetë ai që e gjykoi këtë rast si kryetar i trupit gjykues. Simmons pretendoi se një gjyqtar i tha atij se puna e tij mund të rrezikohej nëse të pandehurit në rastin “Kleçka” nuk dënoheshin. Sidoqoftë, e vërteta është se pasi trupi gjykues i kryesuar nga Simmons i liroi të pandehurit në shtator 2013, Simmons jo vetëm që nuk e humbi punën, por ai vazhdoi tutje duke u emëruar Kryetar i gjyqtarëve të EULEX-it një vit më vonë. Simmons e kundërshtoi dje përbërjen e trupit gjykues në rastin “Drenica II” dhe e përmendi një vendim të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2018.

Ky është një rast i qartë i keqinformimit, pasi ekziston gjithashtu një vendim i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2019 i nxjerrë nga gjyqtarë vetëm të Kosovës, të cilët unanimisht e hodhën poshtë një ankesë përfundimtare në rastin e krimeve të luftës “Drenica II”, duke i konfirmuar pesë dënime. Edhe një herë, Simmons zgjodhi t’i injorojë faktet. Simmons gjithashtu pretendoi se EULEX-i ua dorëzoi dosjet e rasteve autoriteteve të prokurorisë serbe. Ne e kemi thënë edhe më përpara: EULEX-i kurrë nuk u ka dorëzuar ndonjë rast të krimeve të luftës autoriteteve të prokurorisë serbe, as nuk ka hequr dorë nga autoriteti mbi dosjet dhe rastet hetimore. Ne i kërkuam Simmons që t’i identifikojë të gjitha rastet që ai pretendon se Misioni ua dorëzoi autoriteteve serbe, por ai nuk e bëri këtë. E vërteta do të thotë argumente. Kështu i kundërshtojmë ne pretendimet e tij, me argumente ligjore.

Advertisement

BALLKAN: A i keni diskutuar pretendimet e tij me homologët tuaj kosovarë?

LACHANA: Kemi kontakte të rregullta me homologët tanë kosovarë dhe jemi duke i diskutuar shumë çështje. Në kuadër të kësaj, ne i kemi diskutuar edhe pretendimet e Simmons dhe i kemi informuar ata se një ekip i pavarur hetimor i udhëhequr nga një gjyqtar në pension i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë ishte krijuar në Bruksel për t’i hetuar pretendimet e Simmons. Sidoqoftë, Simmons nuk bashkëpunoi me ekipin hetimor dhe as nuk siguroi prova për t’i mbështetur pretendimet e tij. Ne gjithashtu i informuam homologët tanë kosovarë se ai kishte kërkuar të bëhej sinjalizues vetëm pasi kishin filluar disa procedura disiplinore kundër tij. Homologët tanë kosovarë të sundimit të ligjit kanë punuar me ne për 13 vjet tani. Ne kemi punuar së bashku për ta bërë sistemin e drejtësisë kosovare të arritshëm për të gjithë dhe të besueshëm për opinionin publik. Ne kemi një partneritet të fortë për drejtësi që nga viti 2008, i cili është në interes të Kosovës, Bashkimit Evropian, Shteteve Anëtare të BE-së si dhe vendeve që janë shtete kontributdhënëse në Mision, d.m.th Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja, Norvegjia, Zvicra dhe Turqia.(ABC)

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy