
Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiç deklaroi se nuk do të vaksinohet kundër koronavirusit për shkak se ka një numër të mjaftueshëm të antitrupave.
Krivokapiç është kështu i vetmi lider në Evropë që nuk e ka marrë vaksinën. “Numri im i antitrupave po rritet dhe nuk e di nga ka ardhur ky fenomen. Në momentin që numri është nën 100 do të vaksinohem”, ka thënë Krivokapiç, duke theksuar se gjithmonë do t’i ndjekë këshillat e mjekut të tij.
Krivokapiç shpesh është kritikuar nga publiku malazez për shkeljen e masave epidemiologjike, veçanërisht në tubimet fetare të Kishës Ortodokse Serbe.
Sakaq, portali Analitika i Podgoricës vuri në dukje se Mali i Zi tani është i vetmi vend në Evropë, qeveria e të cilit udhëhiqet nga një kryeministër i pavaksinuar.