“Këtë vit ka rritje të frikshme të çmimeve”, ekspertet: 10 milion personat që hynë në Shqipëri, nuk janë të gjithë turistë

Pinterest LinkedIn Tumblr +
“Këtë vit ka rritje të frikshme të çmimeve”, ekspertet: 10 milion personat që hynë në Shqipëri, nuk janë të gjithë turistë

Viti 2023 shënoi një ‘bum’ turistik në Shqipëri. Sipas shifrave zyrtare të bëra publike nga ministria e Turizmit mbi 10 mln turistë vizituan Shqipërinë gjatë vitit të kaluar.

Ekspertet e turizmit, Albana Lopçi dhe Flora Xhemani Baba të ftuara në emisionin “7pa5” të moderuar nga Alma Çelaj dhe Syrjan Rahova diskutuan për mundësitë akomoduse që ofron vendi ynë dhe çfarë pritet të ndodhë këtë vit me numrin e turistëve.  Sipas eksperteve jo të gjithë personat që kanë hyrë në Shqipëri vitin e kaluar janë turistë. Sipas tyre nuk kemi statistika të sakta. Një nga problemet kryesore në sektorin e turizmit mbetet abuzimi me çmimet. Një problematikë tjetër është edhe fuqia punëtore.

Flora Xhemani Baba: Nuk janë 10.1 mln turistë që kanë ardhur për tu akomoduar. Një pjesë shumë e mirë e tyre janë shkelës në tokën tonë, turistë tranzitorë dhe shqiptarë që vijnë flenë në shtëpitë e tyre. Nuk duhet të hyjnë në statistikat që duhen të konsiderohen të rëndësishme. Nuk kemi statistika të sakta që të masim qëllimet pse një vizitor vjen në Shqipëri. Ne marrim vetëm sistemin TIMS, nuk pyeten pse hyjnë në Shqipëri.

110 mijë shtretër akomodues në Shqipëri, a janë të mjaftueshëm?

Advertisement

Albana Lopçi: Kemi një informalitet në lidhje me këtë. Hasim disa informacione të tipit që “jemi plot”, “nuk kemi vende”. Ka të tjera që kërkojnë klientelën e tyre dhe përpiqen që të mbushen. Ne nuk kemi një informacion të saktë. Kemi dhe apartamente, dhoma me qira që janë informale. Problemi është se si shkon ky informacion te turisti.

Flora Xhemani Baba: Nëse numërojmë vërtet 10 mln hyrje në Shqipëri duhet ta kuptojmë që jo të gjithë këta janë turistë të vërtetë dhe turistë që akomodohen me fjetje. Nëse bota bën një përllogaritje të tillë, që thotë nëse kam 30 mln viziotë, 1/3 janë vizitorë, edhe ne e kemi shumë të thjeshtë llogarinë. Nëse kemi 10 mln hyrje atëherë kemi 3 mln turistë.

Albana Lopçi: Dhjetori, janari dhe shkurti ka pasur një fluks shumë të madh. Gjithmonë janari dhe shkurti në çdolloj biznesi ka një rënie, por këtë vit nuk ishte kështu. Duhet të kuptojmë kush është arsyeja pse ata kanë zgjedhur janarin dhe shkurtin. Jam shumë dakord me propagandën që i është bërë Shqipërisë për të promovuar turizmin dhe është zgjuar kurioziteti, por shfrytëzojnë paketat, çmimet. Nga kjo nxjerrim një mësim. Duhet të jemi shumë të arsyeshëm dhe duhet të bëjmë një studim tregu, duhet të dimë të punojmë me politikën e çmimeve. Në çmime jemi abuzues.

Flora Xhemani Baba: Në pikun e sezonit jemi më shumë abuzues seç duhet. Tregu duhet të kuptojë që shtrirja e sezonalitetit për strukturat e Shqipërisë është jetike. Në vend që të flemë gjumë në janar dhe shkurt, edhe marsi ndonjëherë hyn këtu…janë tre muaj në të cilët ti mund të fusësh të ardhura.

Advertisement

Albana Lopçi: Këtë vit ka një rritje shumë të frikshme të çmimeve. Është rritur interesi, por politikat të cilat po ndiqen nuk më ngjajnë shumë me historikun e vendeve fqinje. Më duket pak utopi, nëse do të vazhdojmë kështu jemi larg. Turizmi kërkon profesionistë.

Flora Xhemani Baba: Nuk besoj se mund të flasim për turizëm elitar në Shqipëri. Turizmi në Shqipëri është në nivele mesatare dhe ajo që ne ofrojmë, për fat të keq është jo një ofertëe  organizuar, sepse për sa kohë nuk kemi strategji të përcaktuar turizmi edhe ne vetë nuk dimë ku ta adresojmë ofertën tonë turistike.

Emisionit iu bashkuan edhe dy gazetarët e Vizion Plus, Aleks Kalemasi nga Durrësi dhe Esfrosina Papa nga Vlora.

Aleks Kalemasi: Ka një rritje të ndjeshme në krahasim me vitet e kaluara. Durrësi do ta përballojë fluksin e turistëve që pritet të vijnë këtë vit. Pavarësisht se ka prenotime dhe deri në muajin qershor do të kemi rritje të mëtejshme, operatorët turistikë thonë se nuk do të ketë probleme në akomodimin e turistëve.

Advertisement

Esfrosina Papa: Ky sezon pritet që të jetë një boom turistik. Referuar shifrave dhe fakteve numri i shtretërve këtë vit është shtuar. Operatorët turistikë të jugut e kanë si sfidë rritjen e numrit të shtretërve. Këtë vit thonë se do të shkojnë në 100 mijë shtretër. Vitin e kaluar numëronin 80-90 mijë shtretër. Kjo nuk do të thotë se nuk jemi gati tani me numrin e shtretërve që kemi. Kemi dhe problematika. Problematikë mbetet fuqia punëtore. Por prej marsit kanë nisur aplikimet me tregun e brendshëm dhe tregun e huaj. Tregu i huaj kryesisht është instaluar me vendet e Azisë, Bali dhe Nepali, këto të konfirmuara nga operatorët turistikë. Problematikë mbetet transporti turistik. Nuk kemi ende linja për turizmin dhe kjo mbetet sfidë për kryetarin e bashkisë, i cili e ka cilësuar si sfidë urgjente. /vizionplus.tv

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy