Kreu i ILD në SHBA; në fokus ecuria e reformës në drejtësi

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Kreu i ILD në SHBA; në fokus ecuria e reformës në drejtësi

Inspektori i Lartë i Drejtësisë z. Artur Metani po zhvillon një vizitë pune në SHBA, me ftesë të Open Gov Hub USA, së bashku me kolegë nga institucione të tjera të drejtësisë të Shqipërisë.

Gjatë vizitës, mikpritësit organizuan eventin publik me temë Reforma në drejtësi në Shqipëri. Konstitucionalizmi në veprim”, mbi të cilën ndanë mendimet e tyre, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, z. Artur Metani, kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, znj. Naureda Llagami dhe kryetari i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, z. Roland Ilia, të cilët më pas iu përgjigjën pyetjeve të audiencës.

Duke folur për gjetjen e ekuilibrit të duhur, midis një qeverisjeje të qëndrueshme, solide dhe mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, z. Metani bëri krahasimin me mënyrën e punës në Zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

 

Advertisement

“Nga pikëpamja kushtetuese, përcaktimi i kufijve se kur duhet të hetojmë punën e një gjyqtari/prokurori, nuk është diçka e thjeshtë, nuk është diçka e shkruar qartë, pasi siç thashë ka disa kufij virtualë, të cilët ne duhet t’i shohim, jo vetëm t’i shohim por edhe t’i respektojmë, dhe jo vetëm t’i respektojmë, por gjithashtu t’ua shpjegojmë njerëzve dhe shoqërisë. Prandaj mendoj se puna e institucioneve të drejtësisë me organizatat e shoqërisë civile është tejet e rëndësishme, për të ndihmuar njëri-tjetrin, në mënyrë që të zbatohet dhe të mbahet standardi më i lartë i punës, për gjyqtarët dhe prokurorët.”, u shpreh z. Metani.

 

I pyetur se cilat janë sfidat më të rëndësishme me të cilat përballet zbatimi i reformës në drejtësi, pavarësisht vlerësimit pozitiv të marrë në progres raportin e fundit të Komisionit Evropian për Shqipërinë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë tha se konsideron sfidë sensibilizimin, të kuptuarit e shoqërisë, institucioneve dhe aktorëve të tjerë mbi rëndësinë që ka sistemi i pavarur gjyqësor, duke e pranuar si të tillë edhe kur nuk na pëlqen vendimmarrja e tij.

 

Advertisement

Sigurisht, të gjithëve u pëlqen një sistem gjyqësor i pavarur, por kjo do të thotë, që ne duhet të pajtohemi me sistemin gjyqësor, kur ai merr vendime që neve na pëlqejnë, por edhe kur merr vendime që nuk na pëlqejnë. Nëse nuk përpiqemi të krijojmë një marrëdhënie të tillë mes shoqërisë, medias, faktorëve politikë dhe institucioneve të drejtësisë, do të ketë gjithmonë një sfidë të madhe për t’u kapërcyer. Siç thashë edhe më herët, për mendimin tim kjo është sfida më e madhe dhe ndoshta do të duhet shumë kohë për të arritur këtë standard të lartë. Nëse nuk e shohim zgjidhjen e problemeve tona të përditshme me një vizion afatgjatë dhe jemi të fokusuar vetëm në nxehtësinë e debatit të momentit, do të zgjasim agoninë dhe përpjekjet tona për arritjen e standardeve, që aspirojmë të kemi për sistemin tonë të drejtësisë.”, vërejti z. Metani.

 

I pyetur mbi ekuilibrin e marrëdhënies mes politikës e institucioneve të drejtësisë dhe mënyrat se si mund të mbrohen institucionet e drejtësisë nga politika, Inspektori i Lartë i Drejtësisë u shpreh se mbrojtja më e mirë është transparenca mbi punën që bëhet.

 

Advertisement

“Disa njerëz mund ta kritikojnë punën e sistemit të drejtësisë, disa njerëz mund të pajtohen me të, por kjo është demokracia. Është detyra jonë të jemi sa më transparentë, që të gjithë të shohin, se çfarë mendojmë ne brenda dhe të shohin se çfarë kritikojnë politikanët, bazuar në të gjithë faktorët. I vetmi instrument për të mbrojtur veten është transparenca.”

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy