
Vizion Plus ka siguruar videon e momentit të arrestimit të Armando Ndrecës, vëllait të deputetit socialist të Lezhës, Eduard Ndreca.
Ai u prangos të mërkurën e 10 prillit nga blutë pranë një servisi në qytetin e Lezhës.
Në video vihet re momenti kur Ndreca, i veshur me një bluzë ngjyrë blu, prangoset nga forcat e policisë.
Ndreca u ndalua gjatë një operacioni anti-kanabis.
Në komisariat është shoqëruar edhe kunati i Armando Ndrecës. Operacioni anti-kanabis është zhvilluar në fshatin Kashnjet të Lezhë.
Policia deklaroi dje se gjatë kontrollit u gjet një ambien (stan), në pyjet e fshatit Kashnjet, i cili ishte pershtatur për kultivim të bimëve narkotike cannabis sativa, nëpërmjet llambave që furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.
Nga ky ambient u sekuestruan 2973 bimë narkotike (disa prej tyre fidanë të gatshëm për t’u kultivuar në tokë), një sasi lënde narkotike cannabis sativa, 50 llamba, pajisje ventilimi, sende të tjera që i shërbenin kësaj veprimtarie kriminale dhe 3 celularë.
Më tej, në banesat e 2 të arrestuarve në flagrancë, Policia gjeti 3 armë të ftohta dhe 1 maskë./vizionplus.tv