Maqedonia e Veriut: Çfarë ndodh tani?

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Maqedonia e Veriut: Çfarë ndodh tani?

Menjëherë pas shpalljes së rezultatit të raundit të dytë të zgjedhjeve vendore në Maqedoninë e Veriut, Zoran Zaev deklaroi se vetëdorëhiqej nga posti i tij si kryeministër i Maqedonisë së Veriut, por edhe nga ai si lider i socialdemokratëve.

Partia e tij e qendrës së majtë (LDSM), humbi Bashkinë e Shkupit, kryeqytetin, dhe disa qytete të tjera të rëndësishme kundrejt partisë së djathtë (VMRO-DPMNE).

“Unë marr përgjegjësinë për rezultatet e zgjedhjeve. Po jap dorëheqjen time edhe si kryeministër, edhe si kryetar i socialdemokratëve”, tha Zaev në konferencën për shtyp në Shkup mbrëmjen e 31 tetorit.

Ligjërisht, kjo do të thotë se i gjithë kabineti qeveritar i Zaev-it ka dhënë dorëheqje. Megjithëse do të vazhdojë t’i kryejë detyrat e tij, derisa kreu i shtetit, Stevo Pendarovski, t’ia besojë mandatin një kandidati tjetër, i cili duhet të ketë mbështetjen e shumicës prej së paku 61 deputetëve në Parlament.

Advertisement

Zoran Zaev do të bëhej kryeministër në mesin e vitit 2017, pas një krize të përzgjatur politike, e cila përfundoi me rrëzimin e ish-liderit të VMRO DPMNE-së dhe kryeministrit Nikola Gruevski, i cili është arratisur në Hungari.

Në lidershipin e Zaev-it u arrit marrëveshja historike për emrin me Greqinë fqinje, duke zhbllokuar integrimin e bllokuar euro-atlantik të vendit.

Në vitin 2020, Maqedonia e Veriut u bë anëtare e NATO-s. Por bllokada nga Bullgaria, për një mosmarrëveshje dypalëshe të historisë, bëri që vendi të mos i fillonte bisedimet e pranimit për në BE.

Në gusht të 2021-it, Zaev, së bashku me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrin shqiptar, Edi Rama, do të nënshkruanin një marrëveshje ekonomike trepalëshe, të quajtur nisma e Ballkanit të Hapur. Ideja është ajo e formimit të një tregu të përbashkët brenda Ballkanit, e njohur më parë edhe si zona Mini-Shengen.

Advertisement

Nuk ka dyshim që dorëheqja e Zaev-it e vendos vendin në një situatë totalisht të paqartë për të ardhmen.

Rrjedhimisht lindin dy pyetje: Çfarë ndodhi me partinë e Zaev-it? Pse Zaev-i dha dorëheqjen?

Si shfaqet Maqedonia e Veriut pas raundit të dytë të zgjedhjeve?

LDSM-ja ka humbur gati krejt komunat, përfshirë Bashkinë e Shkupit (nga 10 komuna brenda kryeqytetit ka arritur të mbajë vetëm njërën), komunat e Kumanovës, Manastirit dhe Ohrit.

Duke pasur parasysh rëndësinë e këtyre qyteteve, kjo është humbje shumë e thellë për LDSM-në dhe Zaev-in. Në tërësi, LDSM-ja është humbëse me mbi 50 mijë vota.

Advertisement

Kjo e bën më të dukshme humbjen dhe të qartë zgjedhjen e maqedonasve. Me sa duket, Zaev po paguan haraçin e politikave të tij.

Marrëveshja me Greqinë dhe lëshimet për disa prej kërkesave të Bullgarisë nuk mbështeten nga qarqet nacionaliste të vetë maqedonasve.

Ndoshta deri diku do të kishte mundur ta justifikonte veten, nëse Bashkimi Evropian do të kishte bërë të mundur hapjen e negociatave në BE. Rezultati i futjes në NATO dhe hapja e negociatave do të kishin qenë arsye për të gëlltitur lëshimet e Zaev-it.

Nga ana tjetër, fronti shqiptar del i fragmentuar dhe jo aq i qartë sa ai maqedonas.

Advertisement

Partia e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) e Ali Ahmetit ka fituar komunat e Strugës, Çairit, Kërçovës dhe disa komuna të vogla rurale.

Aleanca për Shqiptarët (ASH) e Zijadin Selës ka fituar komunat e Gostivarit dhe, ndoshta, arrin të marrë edhe Dibrën, por dhe një komunë rurale.

Lëvizja Besa e Bilal Kasamit ka fituar Tetovën (epiqendra e shqiptarëve) dhe një komunë të vogël rurale.

Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) e Menduh Thaçit është ajo që paraqitet më dobët nga të gjithë, duke arritur të mbajë vetëm një komunë të vogël rurale.

Advertisement

Është humbur një komunë rurale, që e kanë pasur shqiptarët (Bërvenica), ku çuditërisht shqiptarët kanë votuar për kandidatin e VMRO-së.

Pa dyshim, BDI-ja del partia më e fortë shqiptare, me më shumë se 100 mijë vota e duke i rritur ato në raport edhe me zgjedhjet e fundit. Por humbi Tetovën e Gostivarin dhe rrezikon Dibrën (ku ka pasur rivotim në një vendvotim dhe shkohet në balotazh pas dy javësh).

A ka qenë humbja në zgjedhjet vendore të LDSM-së, arsyeja e vërtetë e dorëheqjes së Zoran Zaev-it?

Sigurisht që kjo ka qenë arsyeja themelore e dukshme, por pas veprimit të tij mund të shkohet më tej.

Edhe pse Zaev nuk shquhet për karizmën e tij politike, nuk mund të thuhet që nuk di t’i menaxhojë raportet politike duke përdorur peshoren e duhur.

Advertisement

Dobësia e Bashkimit Evropian në menaxhimin e situatës me Bullgarinë dhe paqartësia e një vullneti solid ndaj hapjes së negociatave për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë mund të jetë një shtytje. Zaev ju lë topin përballë një destabilizimi të mundshëm. Dhe, nga ana e tij, në çështjen bullgare shmang një rrugëtim të ngjashëm si ai me Greqinë.

VMRO-ja, nëse kalon në qeverisje, në mënyrë pragmatike nuk do të bëjë një kthim prapa me Greqinë, ndryshe do të mbetej e izoluar. Por, ashpërsia e saj ndaj çështjes bullgare do ta vështirësojë procesin dhe vetë politikat e BE-së në Rajon.

Kriza energjetike, me të cilën ndeshemi, do të ketë pasojat e veta edhe në Maqedoninë e Veriut.

Që MV-ja të mbajë këtë çmim të energjisë elektrike, i duhen së paku 3 miliardë euro dhe, pa dyshim, do të ketë vështirësi të mëdha: rritje çmimesh, mungesë energjie, shtrenjtim të produkteve.

Advertisement

Nëse LDSM-ja qëndron në qeveri, do të thotë që do të ketë mbështetje edhe përballë këtyre problematikave.

Në rast të kundërt, do të jetë në opozitë dhe ndoshta do të ketë dhe rritje si pasojë.

Por a do të arrijë VMRO-ja ta kthejë situatën në favor të saj? Për të formuar qeveri të re, ajo duhet të ketë mbështetjen e të paktën 61 deputetëve. VMRO vetë ka 44 dhe aleatja e saj, partia e ekstremit të majtë Levica, ka dy.

Kjo ndoshta është një nga arsyet pse VMRO në këto zgjedhje ka zbutur retorikën e saj nacionaliste dhe antishqiptare. Do t’i duheshin votat e deputetëve shqiptarë. Nuk mund të qeveriset më pa aleancë me partitë shqiptare.

Advertisement

ASH-ja ka tetë deputetë, Alternativa katër, Lëvizja Besa pas fitores në Tetovë mbetet me tre dhe PDSH-ja ka një deputet.

Në këtë panoramë të përgjithshme, ku konfuzioni është i madh, ndikimi i faktorit BE dhe SHBA do të jetë i rëndësishëm.

Në thelb nuk është në interes të vendit një qeveri e re e përbërë nga VMRO-ja dhe aleatë të mundshëm. Dhe nuk është as në interes të BE-së vështirësimi i marrëdhënieve të mëtejshme me Bullgarinë në një rajon të trazuar.(Albanianpost.com)

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy