Ndryshimet në statut, çfarë ndodhi në mbledhjen e Kryesisë së PD, zbardhen debatet

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Ndryshimet në statut, çfarë ndodhi në mbledhjen e Kryesisë së PD, zbardhen debatet

Për më shumë se 3 orë kryesia e PD së drejtuar nga Sali Berisha debatoi dje për ndryshimet në statut dhe për futjen në strukturat drejtuese të grupit të drejtuar nga Gazment Bardhi.

Ndryshimet parashikojnë që kryetari i grupit parlamentar dhe nënkryetari i kuvendit janë automatikisht nënkryetarë të partisë. Automatikisht janë anëtarë të kryesisë, kryetarët dhe nënkryetarët e komisioneve parlamentare së bashku me nënkryetarin e grupit parlamentar.

Të gjithë anëtarët e kryesisë kanë qenë pro bashkimit dhe futjes në strukturat drejtuese të Gazment Bardhit dhe deputetëve që e mbështesin.

Por debati është fokusuar te rruga e ndjekur, duke shmangur parimet e statutit të miratuar në kuvendin e 11 dhjetorit dhe shumica e anëtarëve të kryesisë kanë qenë kundër zerimit të procesit të votës.

Advertisement

Mes zërave që kanë qenë pro ndryshimit të statutit kanë qenë sekretari i përgjithshëm Flamur Noka e kryetari i këshillit kombëtar Edi Paloka, të cilët kanë negociuar gjatë kësaj periudhe me Gazment Bardhin e deputetët e drejtuar prej tij.

Mes zërave kritikë për shmangien e procesit të votimit ka qenë nënkryetari i PD Oerd Bylykbashi, i cili së bashku me Ivi Kason e Arben Ristanin kanë shkruar statutin e 11 dhjetorit, i cili ka theksuar se parimet themelore të tij duhen zbatuar. Mësohet se gjatë mbledhjes Oerd Bylykbashi ka vënë në dukje se parimi i zgjedhjes së çdo forumi me votë dhe parimi që anëtarët e zgjedhur duhet të mbizotërojnë në çdo forum duhet të respektohen.

Oerd Bylykbashi ka propozuar një rrugë tjetër për të garantuar që grupi i Gazment Bardhit të ketë vendin e tij në çdo forum.

Mësohet se sipas propozimit të Bylykbashit, Gazment Bardhi si kryetar grupi është automatikisht nënkryetar i PD, nënkryetari i kuvendit që aktualisht është Agron Gjekmarkaj të jetë anëtar kryesie, ndërsa për anëtarët e tjerë në kryesi të bëhet votim vetëm mes deputetëve që mbështesin zotin Bardhi, duke garantuar nga njëra anë përfaqësimin e tyre në kryesi, por edhe duke ruajtur parimin e votës.

Advertisement

Ky propozim është rrezuar nga sekretari i përgjithshëm Flamur Noka.

Atëherë nënkryetari Oerd Bylykbashi propozoi që të ruhet parimi statutor që në çdo forum të zgjedhurit me votë të jenë shumica, duke ruajtur propozimin për grupin Bardhi, por duke u dhënë sekretareve funksionale të drejtën e votës, pasi aktualisht sekretaret marrin pjesë në mbledhje, por nuk mund të votojnë.

Pas refuzimit edhe të këtij propozimi, Gent Strazimiri propozoi si rrugë kompromisi që ndryshimi në statut të aplikohet vetëm për këtë situatë specifike duke u bërë dispozitë tranzitore.

Ky propozim u mbështet nga Oerd Bylykbashi dhe mori mbështetjen e të gjithë kryesisë së partisë./vizionplus.tv/

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy