Në Kosovë, brezi i ri lë mënjanë gardën e vjetër të liderëve politikë

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Në Kosovë, brezi i ri lë mënjanë gardën e vjetër të liderëve politikë

Brenda vetëm disa muajsh, skena politike e Kosovës ka pësuar ndryshime drastike – duke reflektuar një uri të përhapur për ndryshime dhe një besim se një klasë e re politike është “shpresa e fundit” e vendit.

Nga Përparim Isufi

Për muaj me radhë, një billbord gjigant në fshatin Llapushnik, që përmban fotografi të ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe ish-kryetarit të parlamentit Kadri Veseli, ka tërhequr vëmendjen e kalimtarëve.

Fshati, i cili ndahet në dy pjesë nga një nga autostradat më të ngarkuara në Kosovë, është një simbol kombëtar i rezistencës së ofruar në 1998 nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, UÇK, kur shqiptarët e Kosovës morën armët kundër regjimit brutal të Serbisë.

Advertisement

“Heronj të luftës dhe paqes” lexohet në billbordin me një emblemë të UÇK-së dhe fotografitë e Thaçit dhe Veselit në të dy skajet e saj.

Së bashku me sloganin “Liria ka një emër”, në Kosovë që nga nëntori 2020, kur Gjykata Speciale me bazë në Hagë akuzoi të dy burrat për kryerjen e krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit në luftën për pavarësi në fund të viteve 1990, janë shfaqur ngado billborde të tilla.

Ata akuzohen së bashku me dy ish-figura të tjera të larta të UÇK-së, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Tre nga këta burra i ndërruan menjëherë uniformat e tyre ushtarake për kostumet e politikanëve kur lufta përfundoi në Kosovë në qershor 1999. Selimi bëri të njëjtën gjë disa vjet më vonë.

Advertisement

Më shumë se dy dekada më vonë, megjithatë, ata janë jashtë politikës, në pritje të gjykimit në paraburgim në Hagë.

Thaçi dhe Veseli kanë dominuar skenën politike në Kosovë që kur vendi shpalli pavarësinë nga Serbia në 2008.

Por zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 14 shkurt të këtij viti kanë krijuar një panoramë të re politike.

Kosova ka një lidership të ri, nën drejtimin e Vjosa Osmanit si presidente, Albin Kurtit si kryeministër dhe Glauk Konjufcës si kryetar të parlamentit. Ata i morën të gjithë këto poste në një kohë të shkurtër, gjatë shkurtit dhe marsit.

Advertisement

Një tjetër lider i dalë nga radhët e UÇK-së, Fatmir Limaj, është gjithashtu jashtë politikës, pasi partia e tij Nisma nuk arriti të kapërcejë pragun prej 5 për qind për të hyrë në parlament.

Ndërkohë, një tjetër lider nga i njëjti brez, Isa Mustafa, gjithashtu është larguar nga politika që nga shkurti, pasi Lidhja e tij Demokratike e Kosovës, LDK, përjetoi poshtërim në zgjedhje, duke fituar vetëm 13 për qind të votave.

Kriteri e moshës nuk përcakton gjithmonë zgjedhjet e votuesve

Shumë në Kosovë e shohin këtë si një ndryshim brezash të udhëheqësve, megjithëse Shemsi Krasniqi, një profesor i Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës, thotë se koncepti i brezave në politikë është “mjaft kompleks”.

Advertisement

“Gjenerata është një faktor i rëndësishëm socio-kulturor, jo vetëm për të sjell ndryshim, por edhe për ta matur atë”, tha Krasniqi për BIRN.

“Në Kosovën e pasluftës dhe sot, ka pasur ndryshime të brezave të politikanëve dhe udhëheqësve, por kriteri i moshës nuk ka përcaktuar gjithmonë preferencat e votuesve”, shtoi ai.

Krasniqi thotë se koncepti i brezave në politikë nuk është vetëm matematik, i matur në termat e viteve. Ai përfshin gjithashtu “kontekstin e rrethanave, proceseve, sfidave dhe kërkesave të reja”.

Mungesa e Thaçit, ndërkohë, ka lënë një boshllëk në sytë e Azem Jasharit, një mbështetës i vendosur i tij.

Advertisement

57-vjeçari u takua për herë të parë me Thaçin në rrethana të jashtëzakonshme në vitin 1998, kur të dy burrat ishin pjesë e UÇK-së, Thaçi si drejtor politik i ushtrisë guerile dhe Jashari si një luftëtar i zakonshëm.

“Ai ishte personi më i zgjuar në shtabin e UÇK-së”, tha Jashari për BIRN në qytetin e tij të Skënderaj.

Pas luftës, thotë ai, ndërsa nuk është takuar më kurrë personalisht me Thaçin, ai ndoqi aktivitetet e tij politike deri në ditën kur u largua nga posti për të udhëtuar drejt Hagës.

“Edhe nëse kryeministri i ri Albin Kurti jeton 300 vjet, ai nuk mund të konkurrojë kurrë me Thaçin. Ai nuk mund të jetë më i mirë se ai, sepse historia flet për Thaçin”, tha Jashari.

Advertisement

Nga ana tjetër, në vendlindjen e Fatmir Limajt, Malishevë, 36-vjeçari Afrim Morina thotë se shqetësimi i tij kryesor nuk është fati i Limajt, por si të sigurojë jetesën për familjen e tij prej katër anëtarë dhe si të blejë ilaçe për nënën e tij të moshuar.

Kur lufta në Kosovë përfundoi 22 vjet më parë, Morina ishte adoleshent. Ai personalisht nuk mban mend asgjë për Limajn dhe rezistencën e tij ndaj forcave serbe.

Në vitet që nga ajo kohë, që nga lënia e shkollës për shkak të situatës së vështirë ekonomike të familjes së tij, ai e ka kaluar kohën e tij duke gjetur ndonjë punë të paguar shumë pak në ndërtim. “Nuk kam parë të përmirësohet ndonjë gjë që kur përfundoi lufta”, tha ai për BIRN.

“Klasa e re politike është shpresa e fundit për ne. Nëse ata dështojnë siçsi dështuan ata të tjerët më parë, nuk e di se çfarë mund të bëjmë”, tha ai.

Advertisement

“Ndryshimi drastik” krijon pritshmëri të reja

Donika Emini, drejtoreshë ekzekutive e CivKos, thotë se votuesit në Kosovë kanë zgjedhur një “ndryshim drastik në elitat politike”, i cili ka krijuar pritshmëri të reja në lidhje me mënyrën se si liderët duhet të veprojnë në pushtet.

“Qeveria e re nuk përmban partitë që konsiderohen përgjegjëse për ‘kapjen e shtetit’, kështu që ata mund të qeverisin të papenguar nga ata që i frikësohen reformave, veçanërisht kur bëhet fjalë për sundimin e së drejtës”, tha Emini për BIRN.

Për vite me radhë, korrupsioni është perceptuar si endemik në Kosovë. Komisioni Evropian, në Progres Raportin e tij për vitin 2020 për Kosovën, vuri në dukje se “korrupsioni është i përhapur dhe mbetet një çështje shqetësuese tepër serioze” në vend.

Advertisement

Shemsi Krasniqi thotë se për shkak të strukturës demografike të Kosovës – dy të tretat e popullsisë janë të rinj – liderët e rinj shihen të preferuar në mesin e shumicës së qytetarëve.

“Por brezi i ri nuk do të thotë domosdoshmërish koncepte të reja dhe idetë e brezit të vjetër nuk janë domosdoshmërish të vjetra”, paralajmëroi ai.

Me qeverinë e re nën drejtimin e Kurtit që tani ka më shumë se dy muaj në detyrë, Donika Emini sheh një problem në sjelljen e elitës së re.

“Kosova ka një qeveri që sillet ende si në opozitë. Nuk është mësuar me përgjegjësinë politike që sjell një ndryshim total i ekzekutivit dhe pasja e një shumice solide në parlament”, tha ajo.

Advertisement

“Nga ana tjetër, ne kemi një opozitë të zhgënjyer për humbjen e privilegjeve të saj dhe që nuk ka një kauzë”, shtoi ajo.

Në muajt e saj të parë në pushtet, Vetëvendosja e Kurtit dhe Partia Demokratike e Kosovës, PDK, në opozitë janë përfshirë në polemika të mëdha, shpesh të rënduara nga e kaluara.

Emini thotë se kjo nuk është mënyra se si duhet të funksionojë skena politike në Kosovë, pas mësimeve të nxjerra, me shpresë, nga zgjedhjet e fundit.

“Një debat mbi të kaluarën duhet të jetë shumëdimensional dhe jo i instrumentalizuar nga opozita, dhe i kufizuar në konsumin politik të një opozite të diskredituar”, tha Emini.

Advertisement

Shpesh i referuar nga rivalët si mjeshtër i “politikës së vjetër”, Thaçi vazhdoi duke u bërë kryeministër, ministër i jashtëm dhe president i shtetit në hapësirën e 13 viteve.

Sociologu Krasniqi pohon se të dy brezat politik, ai i ri dhe ai i vjetër, kanë përparësitë dhe disavantazhet e tyre.

“Brezi i vjetër ka përvojë, pjekuri, durim, një kujtim të së kaluarës dhe një vizion për të ardhmen, ndërsa brezi i ri ka vrull, vullnet, energji, entuziazëm dhe dëshirë për ndryshim”, vërejti ai.

“Sigurisht, shumë prej atributeve të brezit të vjetër mund t’i atribuohen brezit të ri, por ne duhet të shohim së pari performancën e tij. Brezi i ri ka një avantazh, sepse ka shembullin e lënë nga i vjetri, për të mirë dhe për të keq, se si të veprojë dhe si jo”, tha ai.

Advertisement

Brezi i ri “gjithashtu përfaqëson … një kontekst të ri konceptesh, i cili po hyn në skenën politike dhe do ta ngjyrosë atë me vulën e kohës,” shtoi ai.

Në Skënderaj, në vendlindjen e Thaçit, shoferi i taksisë 35-vjeçar Visar Behramaj këmbëngul se Thaçi vuri vulën e tij në kohë më shumë se dy dekada më parë, kur ai u bashkua me rezistencën e UÇK-së.

“Sa i përket akuzave ndaj tij, jam gati të marr taksinë time dhe të shkoj në Hagë për ta marrë Thaçin dhe për ta sjellë këtu”, tha ai për BIRN. Për korrupsion, do t’i fusja të gjithë të tjerët në burg”, shtoi ai.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy