Numri i kartave bankare u rrit me 4.4% në 2021

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Numri i kartave bankare u rrit me 4.4% në 2021

Numri i kartave bankare në Shqipëri u rrit me 4.4% vitin e kaluar.

 

Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të vitit 2021 sektori bankar raportonte rreth 1.32 milionë karta bankare aktive. Numri i përgjithshëm i kartave bankare vazhdon të dominohet nga kartat e debitit të lidhura me llogaritë rrjedhëse të klientëve, që përbëjnë rreth 86% të totalit. Pjesa e mbetur ndahet mes kartave të kredititi dhe kartave me funksion paraje elektronike.

 

Advertisement

Norma më e lartë e rritjes për vitin e kaluar u shënua pikërisht në segmentin e kartave të debitit, që u zgjeruan me 4.8% krahasuar me një vit më parë. Rritja e numrit të kartave të debitit është një tregues i tërthortë i rritjes së depërtimit të shërbimeve bankare bazike, duke qenë se këto karta janë instrument i lidhur me llogaritë rrjedhëse. Ndërkohë, numri i kartave të kreditit për vitin e kaluar u rrit me ritme më të ngadalta, me 2.8% më shumë krahasuar me një vit më parë. Gjithsej, sektori bankar shqiptar raporton më pak se 112 mijë karta krediti.

 

Paralelisht me rritjen e numrit të kartave, vitin e kaluar vijoi zgjerimi i infrastrukturës së pagesave të lidhur me përdorimin e tyre. Në fund të vitit 2021, numri i bankomateve (ATM) arriti në 822, niveli më i lartë që prej vitit 2015. Krahasuar me vitin 2020, numri i ATM-ve aktive është rritur me 11%. Në periudhën 2016-2019, numri i ATM-ve ishte reduktuar ndjeshëm, edhe për shkak të konsolidimit të sektorit bankar, që e uli numrin e përgjithshëm të bankave nga 16 në 12.

 

Advertisement

Por, që nga viti 2020, numri i ATM-ve ka filluar të rritet sërish, i shtyrë edhe nga efektet e pandemisë, që shtuan nevojën për një automatizim më të madh të shërbimeve të pagesave. Përveç funksionit klasik të tërheqjes së parasë cash, ATM-të që po instalohen vitet e fundit (kryesisht ATM-të që vendosen në degët e bankave) ofrojnë edhe shërbimin e depozitimit të parave. Tashmë, 30% e ATM-ve mundësojnë edhe depozitimin e parave, përveçse tërheqjen e tyre.

 

Ndërkohë, numri i pikave elektronike të shitjes për pagesa me kartë (POS) vitin e kaluar arriti nivelin më të lartë historik. Sipas Bankës së Shqipërisë, tashmë bankat kanë aktive 13 741 pajisje POS, me një rritje prej 13% krahasuar me një vit më parë. Shtimi i pajisjeve POS është një tregues i një përdorimi më të madh të kartave për pagesa automatike dhe jo më vetëm për nevoja të tërheqjes apo depozitimit të parasë fizike.

 

Advertisement

Pagesat me kartë në terminale POS vitin e kaluar arritën shifrën rekord të 34.9 miliardë lekëve, me një rritje prej 37% krahasuar me vitin 2020. Edhe pesha e pagesave me kartë në POS ka arritur nivelin më të lartë të shënuar ndonjëherë, me rreth 11.5% të totalit, nga 10.2% që kishte qenë një vit më parë. Sidoqoftë, shifrat tregojnë qartë se në pjesën dërrmuese shqiptarët vazhdojnë ta përdorin kartën bankare kryesisht për veprime me paranë cash./Monitor

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy