Opozita kritika “Konkurrencës”: Nuk çon dot deri në fund hetimet për tregjet

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Opozita kritika “Konkurrencës”: Nuk çon dot deri në fund hetimet për tregjet

Gjatë vitit 2023, Autoriteti i Konkurrencës raporton se ka mbajtur nën monitorim tregje sensitive si ai i grurit, orizit e sheqerit dhe telefonisë celulare, si edhe ka nisur hetime për tregtimin e vajit dhe për qumështin e nënproduktet e tij. Por puna e deritanishme e Autoritetit të Konkurrencës nuk kënaqi deputetët në Komisionin e Ekonomisë, të cilët kërkuan më shumë rezultate.

“Për qumështin hetimi është vijues, kemi mbyllur hetimin vetëm në tregun oriz dhe sheqer, nuk e di çfarë do të dalë nga ai hetim. Hetimi merr kohë, e humbet koherencën, por ne jemi aty për të ndëshkuar. Tregu i produkteve ushqimore oriz, jo i koncentruar, çmimet nuk ishin të ndryshuara në të njëjtën kohë. Nuk kishte pozitë dominuese të tregut. Për marrëveshjen e ndaluar, nuk gjetëm shenja, evidenca. Pati një seri ankesash ndaj një operatori celular. Vëmendja ishte maksimale, nisëm një lloj minuitorimi, kërkuam informacione pse erdhën problematikat. Na u sqarua dhe kuptuam që nuk kishim pse shkonim në hetim”, thotë Denar Biba, kryetar i Autoritetit të Konkurrencës.

“AK është kthyer në një autoritet që nuk ka guximin të mbyllë gjërat. Si mund të vendosni vetëm në gjobë? Qytetarët thonë se vidhen nga kompanitë celulare. Është turpi juaj që nuk e çoni dot deri në fund një hetim të nisur. Nuk flisni dot për tregun e karburanteve, për produktet e shportës. Si ka mundësi? Si ka mundësi që nuk vendoset asnjë gjobë? Ju janë rrëzuar në gjykatë disa vendime dhe disa të tjera nuk janë miratuar. Keni përgjegjësi ju për këtë?”, shprehet deputeti Arbi Agalliu.

“Jemi kthyer në duopol në tregun e shërbimeve celulare. Kostoja e shërbimeve të komunikimit është rritur në vitin e kaluar. Keni hapur një procedurë hetimi për tregun e qumështit. Por nuk ka vendim për hetim të thelluar, edhe pse qumështi ka rritje me 38%”, thotë deputetja demokrate Emilja Koliqi.

Advertisement

Shqetësim pati edhe për vendimet e Autoritetit të Konkurrencës që rrëzohen në gjykatë. Për këtë çështje, Denar Biba kërkoi që gjyqtari që merr vendimet të pranojë ekspertizë nga jashtë në fushën e konkurrencës. /vizionplus.tv

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy