Paqartësitë dhe rreziqet pas bllokimit të rrugëve në veri

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Paqartësitë dhe rreziqet pas bllokimit të rrugëve në veri

Bllokimi i rrugëve që çojnë drejt dy vendkalimeve kufitare Kosovë-Serbi, në Jarinjë dhe Bërnjak, mund të vazhdojë për një kohë të gjatë, vlerëson Mentor Vrajolli nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë.

Njohësi i zhvillimeve politike, Agon Maliqi thotë që zgjatja për një kohë të gjatë e gjendjes së krijuar në veri të Kosovës, bart rreziqe, epilogu i të cilave mund të jetë i paparashikueshëm.

Bllokimi i rrugëve që çojnë drejt vendkalimeve kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, ka ndodhur pas fillimit të zbatimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës për masën e reciprocitetit me Serbinë për targat, më 20 shtator.

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës ende nuk kanë bërë të ditur se cila është strategjia dalëse nga situata e krijuar në veri të vendit dhe për sa kohë do të mbesin të bllokuara rrugët që çojnë në Jarinjë dhe Bërnjak, ku qytetarët lokalë të komunitetit serb, që nga 20 shtatori kanë vendosur automjete të rënda, si dhe i kanë përforcuar barrierat me zhavorr.

Advertisement

Në pikat ku janë bllokuar rrugët dhe ku po qëndrojnë serbët lokalë, janë duke qëndruar edhe forca të shumta të njësive speciale të Policisë së Kosovës.

Nga Komisioni për çështje të sigurisë dhe mbrojtjes në Kuvendin e Kosovës, thonë se deri më tash nuk i kanë trajtuar çështjet që ndërlidhen me ngjarjet e fundit në veri të vendit.

Vrajolli: Rreziku nga infiltrimi i elementëve të jashtëm

Drejtori ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Mentor Vrajolli, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, thotë se përderisa protesta e serbëve lokalë në veri të Kosovës, e shprehur përmes bllokimit të dy rrugëve që qojnë në Jarinjë dhe Bërnjak, është paqësore, ajo mund të zgjasë për një kohë të gjatë. Por, ai nuk beson që vetë serbët lokalë janë të interesuar që bllokimi i rrugëve të zgjasë shumë ose të shpërthejë ndonjë valë eventuale e dhunës.

“Mbase shumë pak në Prishtinë e kuptojnë faktin që në Mitrovicën e Veriut, në përgjithësi, dëshirojnë të kenë jetë normale. Ata nuk janë të interesuar për shpërthim të dhunës dhe nuk janë të gatshëm për një valë të dhunës. Mendoj që rreziku që komuniteti serb atje të shpërthejë, nuk është i madh. Rreziku më i madh është që të infiltrohen elemente të jashtme dhe destabilizimi të orkestrohet nga elemente të jashtme, qoftë nga Serbia apo elementë që operojnë nga Serbia ose në veri (të Kosovës)”, thekson Vrajolli.

Advertisement

Maliqi: Situatë komplekse

Njohësi i zhvillimeve politike, Agon Maliqi duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin që në rastet sikurse kjo që po ndodh aktualisht në veri të Kosovës, qeveria e vendit do të duhej paraprakisht të siguronte përkrahjen diplomatike, të paktën nga vendet partnere të saj.

Kjo për arsyen se sipas tij, sa më shumë që zgjatet operacioni në veri të vendit – për zbatimin e të cilit duhet të ketë prezencë të vazhdueshme të njësive speciale të policisë – aq më shumë rriten rreziqet për incidente, si dhe për përfshirjen e palëve, siç i quan ai, të treta dhe të katërta, që nuk janë as në kontrollin e Prishtinës dhe as të Beogradit zyrtar, e të cilat mund të shkaktojnë trazira dhe incidente në mënyrë që problemin ta zgjerojnë në nivel rajonal.

“Është vështirë të shihet fundi pa një marrëveshje të ndërmjetësuar, sepse nga njëra anë, për Kosovën nuk është opsion që thjesht të tërhiqet nga një hap, i cili tashmë është marrë faktikisht. Ndërkohë, Serbia do të kërkojë të nxjerrë diçka nga kjo situatë dhe Kosova mund ta pasojë koston e kësaj edhe në ndonjë dimension tjetër, ta zëmë, sikurse në dialogun me Serbinë. Është krijuar një situatë shumë komplekse, prej të cilës vështirë mund të dilet. Prandaj, ky është një lloj hapi që nuk merret pa i menduar edhe pesë hapat vijues. Shpresoj që Qeveria (e Kosovës) i ka pasur parasysh këto”, thotë Maliqi.

Hapi tjetër, i paqartë

Qeveria e Kosovës ende nuk ka bërë të ditur se cilat janë hapat që do t’i ndjekë në rast se rrugët që çojnë në vendkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak nuk zhbllokohen nga vet serbët lokalë që i kanë bllokuar ato me automjete të rënda dhe zhavorr.

Advertisement

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar zyrtarëve të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me pyetjen se a ka ndonjë plan ekzekutivi, në rast se serbët lokalë nuk i tërheqin automjetet që kanë bllokuar rrugët. Por, lidhur me këtë pyetje, nga zyra e kryeministrit Kurti, nuk kanë dhënë përgjigje.

Megjithatë, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, përmes një mesazhi telefonik, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se vendimi i Qeverisë së Kosovës, përkatësisht Ministrisë së Punëve të Brendshme, është i drejtë dhe i ligjshëm dhe se ky vendim nuk ka të bëjë me qytetarët serbë të Republikës së Kosovës, por që nga ky vendim nuk privilegjohet askush.

Për më shumë ai ka theksuar se bllokadat në rrugët që çojnë në Jarinjë dhe Bërnjak “nuk janë ide e banorëve lokalë e as nuk janë në përfitim të tyre. Po, përkundrazi, prej tyre bllokohen vet ata”.

“U bëjmë thirrje kryetarëve të komunave në veri të Kosovës dhe qytetarëve të organizuar atje që të zhbllokojnë rrugët drejt Jarinjës dhe Bërnjakut dhe të mundësojnë qarkullimin e lirë dhe pa pengesa të qytetarëve”, thuhet në përgjigjen e Kryeziut./ REL

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy