Pikë e re e përbashkët kufitare Shqipëri-Mali i Zi, Çuçi tregon përfitimet

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Pikë e re e përbashkët kufitare Shqipëri-Mali i Zi, Çuçi tregon përfitimet

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi foli sot në Kuvend për miratimin e marrëveshjes së hapjes së Pikës së Përbashkët të Kalimit Kuftar Shën Nikolla- Pulaj mes Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Çuçi tha se hapja e kësaj do të japë një frymëmarrje të re dhe përfitime jo vetëm për banorët e zonave përreth lumit Buna, por edhe një impuls alternativ për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe zhvillimin e një ekosistemi turistik më koheziv në të dy anët e kufirit.

“Do të lehtësohet lëvizja e banorëve të zonave të nën Shkodrës, pjesë përbërëse të Bashkisë Shkodër dhe zonave të Ulqinit, malësisë së Krajës, komuna e Barit – Mali i Zi, në të dy anët e kufirit; Do të shkurtohet distanca dhe ulet fluksi i hyrje- daljeve në Pikën e Përbashkët të Kalimit Kufitar Murriqan, veçanërisht për mbarëvajtjen e sezonit turistik veror, gjatë së cilit plazhet e Velipojës dhe Ulqinit, Tivarit apo Budvës shndërrohen në destinacionet turistike më të preferuara për shtetasit shqiptarë, malazezë dhe atyre të huaj në të dyja anët e kufirit; Do të stimulohet shkëmbimi i aktiviteteve/paketave turistike në destinacionet më të dashura në të dy anët e kufirit”, tha Çuçi.

Sipas tij iniciativa për hapjen e kësaj pike të përbashkët kufitare nuk duhet parë e shkëputur nga projekti madhor që ka nisur tashmë mes dy vendeve tona; ndërtimi i urës së re mbi lumin Buna për të shkurtuar distancën mes Velipojës dhe Ulqinit.

Advertisement

“Ky projekt si dhe pika e re ndëlidhëse pashmangshmërisht do të impaktojë edhe reputacionin ndërkombëtar të turizmit në rajonin tonë, pa përjashtuar këtu edhe stimulimin e ofertës së agjencive/operatorëve turistikë të vendeve tona. Shqipëria është një vend ku turizmi ka marrë një zhvillim të jashtëzakonshëm dhe po rritet vit pas viti. Çdo investim në infrasktrukturë që e ndihmon këtë sektor është mëse i mirëpritur”, tha Ministri i Brendshëm.

Në vijim të fjalës së tij ai theksoi se të gjitha pikat e kalimit kufitar në kufirin shtetëror ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi, duhet të jenë pika të përbashkëta të kalimit kufitar.

“Eksperienca e deritanishme, ka treguar përparësitë dhe përfitimet direkte të kryerjes së procedurave të përbashkëta të kalimit kufitar. Po punojmë me palën malazeze për të ndryshuar statusin e pikave të tjera kufitare në pika të përbashkëta. Në interesin e Shqipërisë është gjithashtu edhe hapja e pikës tjetër të përbashkët të kalimit kufitare Zogaj”, deklaroi Çuçi.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy