Platforma “eTransport”/ Drejtoresha e AKSHI: Do të ndryshojë përgjithmonë transportin

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Platforma “eTransport”/ Drejtoresha e AKSHI: Do të ndryshojë përgjithmonë transportin

Transporti ndërqytetas i udhëtarëve do të ketë tashmë platformën elektronike “eTransport”, e cila do të krijojë një standard të ri të eksperiencës së udhëtimit me linjat e transportit.

E pranishme në prezantimin e kësaj platforme ishte edhe Drejtoresha e Përgjithshme e AKSHI, Mirlinda Karçanaj, e cila e vlerësoi “eTransportin” si një prej projekteve që do të ndryshojë faqen e transportit njëherë e përgjithmonë në Shqipëri.

“Qytetarët do të kenë mundësi që t’i presin biletat online përmes telefonit me QR code, të shohin gjeovendndodhjen e stacioneve, oraret, kryqëzimin e linjave. Nga ana tjetër, tregu në fjalë do të përdorë platformën për të monitoruar burimet e veta në terren, për të aplikuar online për licensimin e shoqërive dhe certifikimin e mjeteve, do të formalizojë tregun e transportit, çka do të rrisë cilësinë e shërbimit për qytetarët”, ka theksuar në fjalën e saj drejtoresha Karçanaj, duke bërë më tej krahasimin e këtij realiteti me atë të pak viteve më parë kur imazhi i vetëm që vinte nga transportet ishin radhët e gjata, rryshfeti apo letrat e pafundme që një qytetari i duhej t’i mblidhte për mjetin e vet. Ndërsa sot në platformën unike e-Albania, DPSHTRR ofron 49 shërbime, nga aplikimi për marrjen e lejes së drejtimit, tek leja e qarkullimit, certifikata e pronësisë së mjetit, aplikimi për t’u pajisur me targë apo kontrolli në kohë reale i pikëve të drejtuesit të mjetit. Aktualisht, vetëm për shërbimet e DPSHTRR janë bërë rreth 2 milionë aplikime online, nga të cilat janë gjeneruar rreth 600 mijë dokumente me vulë elektronike. Qytetarët kanë kursyer 120 milionë lekë nga xhepat e tyre, pa llogaritur këtu vite të tëra në pritje sportelesh, stres apo ecejake. Dikur, duhej të aplikohej në radhë për leje drejtimi dhe do të duhej të pritej deri në 20 ditë. Sot aplikimi bëhet online dhe leja e drejtimit merret për 30 minuta.”

E gjitha kjo, shtoi Karçanaj, nuk do të arrihej pa mbështetjen e plotë të kryeministrit Edi Rama.

Advertisement

“Krahas digjitalizimit të arkivës fizike është investuar në një sistem të integruar, i cili ndërvepron në kohë reale me sistemet e tjera, përfshirë sistemin e fiskalizimit dhe siguron një monitorim interaktiv dhe në kohë reale të të gjitha proceseve, duke filluar nga pranimi, testimi e deri te lëshimi i lejes së drejtimit sipas standardeve më të larta. E gjitha kjo punë jo vetëm ka lehtësuar shërbimet për qytetarët por ka rritur edhe sigurinë rrugore”, ka përfunduar drejtoresha Karçanaj.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy