Presidenca e Këshillit të Sigurimit, Xhaçka: Muaj intensiv pune me një axhendë ambicioze

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Presidenca e Këshillit të Sigurimit, Xhaçka: Muaj intensiv pune me një axhendë ambicioze

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka u shpreh se me Presidencën e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së fillon një muaj intensiv pune me një axhendë ambicioze.

 

“Dita e parë e Presidencës së Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Fillimi i një muaji intensiv pune me një axhendë ambicioze! Ngjarja e parë është nënshkrimi për forcimin e përgjegjshmërisë dhe drejtësisë për shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare nesër me kryeministrin Edi Rama”, tha Xhaçka përmes rrjeteve sociale.

 

Advertisement

Paraditen e 2 qershorit, Kryeministri Rama do të drejtojë debatin e hapur të nivelit të lartë të Këshillit të Sigurimit mbi llogaridhënien ndërkombëtare, si një ndër përparësitë e vendit tonë në Këshillin e Sigurimit, të theksuar edhe më shumë për shkak të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës.

 

Debati i kryesuar nga Kryeministri Rama shënon fillimin e zbatimit të planit të punës të Presidencës së Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit.

 

Advertisement

Takimet e kryesuara nga Rama do të pasohen nga disa veprimtari të tjera shënjuese, përgjatë muajit qershor, përfshirë në nivel ministror, të tilla si: debat i hapur drejtuar nga Xhaçka, mbi tematikën Gratë, Paqja dhe Siguria, me nëntemë “Roli i organizatave rajonale për zbatimin e GPS në situata trazirash politike dhe marrje pushteti me dhunë” (15 qershor); sesion informimi, drejtuar nga Xhaçka, mbi bashkëpunimin mes OKB dhe organizatave rajonale, ku do të ftohet Bashkimi Evropian (16 qershor); debat i hapur mbi Metodat e Punës të Këshillit të Sigurimit, drejtuar nga ambasadori i Shqipërisë në OKB, NY (28 qershor).

 

Kjo është hera e parë që Shqipëria mban presidencën e KS gjatë mandatit të saj dyvjeçar në Këshill. Vitin e ardhshëm Shqipëria do të ketë presidencën pak muaj përpara përfundimit të mandatit, në tetor 2023.

 

Advertisement

Programi i punës i kësaj presidence ndërlidh më së miri përparësitë e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit me zhvillimet më të rëndësishme të sigurisë ndërkombëtare, siç është lufta në Ukrainë.

 

Gjatë muajit maj presidencën e Këshillit të Sigurimit e kishte SHBA-ja.

 

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy