Prokurorët: Dy ish-ndihmës të Millosheviçit luajtën rol kryesor në konfliktin e viteve ‘90

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Prokurorët: Dy ish-ndihmës të Millosheviçit luajtën rol kryesor në konfliktin e viteve ‘90

Prokurorët e Kombeve të Bashkuara u thanë gjykatësve të hënën në Hagë se dy ish-zyrtarë serbë të sigurisë, që shërbyen nën Sllobodan Millosheviçin, ndihmuan në trajnimin dhe pajisjen e serbëve etnikë për të kryer fushata brutale spastrimi etnik kundër popullsisë joserbe gjatë konfliktit të viteve 1990.

Rigjykimi i Jovica Stanisiçit, ish-drejtues i sigurimit shtetëror serb, dhe vartësit të tij Franko ‘Frenki’ Simatoviç, përbëjnë rastin e fundit madhor në gjykatën Hagës për ish-Jugosllavinë.

Të dy janë deklaruar të pafajshëm nën akuzat ku përfshihen vrasjet dhe përndjekjet si krime kundër njerëzimit. Ata po gjykohen përkohësisht në liri dhe nuk morën pjesë personalisht në argumentet përmbyllëse të çështjes.

Në mbyllje prokurorët theksuan se forcat seperatiste serbe në Bosnjë dhe Kroaci ishin plotësisht të varura nga Serbia nën udhëheqësin e atëhershëm barbar Sllobodan Millosheviç.

Advertisement

“Fushata u krye nga njësi të ndryshme ushtarake, policore dhe vullnetare serbe që ishin trajnuar dhe pajisur nga të akuzuarit”, tha prokurori Douglas Stringer.

Prokuroria kërkon dënim të përjetshëm për të dy ish-bashkëpunëtorët e Millosheviçit, i cili u gjykua për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit në konfliktin jugosllav, por vdiq në qelinë e gjykatës në vitin 2006, para se të merrej vendimi ndaj tij.

Pritet që nga mesi i javës avokatët mbrojtës të të akuzuarve Stanisiç dhe Simatoviç të parashtrojnë argumentet para gjykatës. Që të dy ata u liruan nga akuzat në vitin 2013, por gjykatësit e apelit dhanë urdhër për rigjykim në vitin 2015.

Prokurori Stinger tha se dy të akuzuarit ishin drejtues të rëndësishëm në një rrjeti kriminal të udhëhequr nga Millosheviçi dhe shteti serb, së bashku me forcat serbe në Bosnjë dhe Kroaci, për të dëbuar kroatët dhe boshnjakët nga tokat e tyre, mbi të cilat kishin pretendime serbët, ndërsa Jugosllavia po shkatërrohej. Gjykatësit nuk kanë caktuar një datë për vendimin ndaj dy të akuzuarve Stanisiç dhe Simatoviç.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy