PS-PD konsensus në Bruksel, Hasani: Qytetarët duan integrimin pa vonesa, “Beleri” është çështje e drejtësisë

Pinterest LinkedIn Tumblr +
PS-PD konsensus në Bruksel, Hasani: Qytetarët duan integrimin pa vonesa, “Beleri” është çështje e drejtësisë

Komiteti i stabilizim-asocimit BE-Shqipëri në Bruksel shënoi tryezën e parë parlamentare, ku mazhoranca dhe opozita diskutuan pa i penguar njëri-tjetrit fjalën, e për më tepër të dy palët miratuan me konsensus deklaratën finale të këtij komiteti.

Partia Socialiste miratoi të gjitha kërkesat e demokratëve për të futur tek rekomandimet shqetësimet e opozitës për reformën zgjedhore dhe komisionet hetimore dhe në emër të qeverisë shqiptare ministri për Punët e Jashtme dhe Evropën, Igli Hasani, theksoi se integrimi mbetet prioritet për Tiranën zyrtare.

“Qeveria dhe qytetarët e Shqipërisë presin të hedhin hapin tjetër në procesin e integrimit, duke hapur negociatat për kapitujt themelorë pa vonesa të mëtejshme në fillimin e vitit 2024.”, tha ministri për Europën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani.

Në emër të Partisë Demokratike Tabaku e Bardhi përcollën në Bruksel shqetësimet e opozitës për situatën në parlament dhe qasjen e mazhorancës qeverisëse.

Advertisement

 “Aktualisht ne po diskutojmë për ligjin për komisionet hetimore dhe rolin qe opozita duhet të luajë dhe jam e keqardhur të them se ligji i ri për komisionet hetimore nuk është konsensual.”, tha kryetarja e Komisionit të Integrimit Jorida Tabaku.

“Situata jo normale dhe funksionimi jonormal i parlamentit lidhet me të drejtat kushtetuese që deputetët e opozitës kanë.”, deklaroi kryetari i grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi.

Sot në Bruksel mazhoranca socialiste gjeti gjuhën e kompromisit me opozitën për çështjet e integrimit, por nuk ndodhi e njëjta gjë me Greqinë. Kryetari i delegacionit të parlamentit europian Manolis Kefalogianni ngriti sërish çështjen e kryetarit të zgjedhur të bashkisë së Himarës, Fredi Beleri.

 “Fatkeqësisht kjo nuk është një çështje dy paleshe, mes Greqisë e Shqipërisë, kjo çështje është një çështje europiane, një çështje mes Europës dhe Shqipërisë.” , tha Manolis Kefalogianni

Advertisement

 “Çështja e zotit Beleri është një çështje e reformës në drejtësi, dhe duhet të vazhdojë të trajtohet si e tillë. Kjo cështje nuk është evropiane, do të vazhdojë të mos jetë çështje evropiane. Ne presim t’i bashkohemi Greqisë dhe vendeve të tjera për tu bërë anëtarë të Bashkimit Evropian. Koha kur qeveritë merreshin me gjykata politike ka përfunduar.”, theksoi më tej ministri Hasani.

Komisioni evropian ka rekomanduar hapjen e negociatave për Shqipërinë për kapitujt themelorë dhe vendet anëtare të BE janë dakord që Tirana zyrtare i ka plotësuar detyrimet për mbajtjen e konferencës së dytë ndërqeveritare. E vetmja pengesë në këtë proces është Greqia, e cila ka vendosur veton kundër Shqipërisë duke kërkuar që Fredi Beleri të betohet si kryetar i bashkisë së Himarës./vizionplus.tv

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy