
Për kryeministrin Edi Rama e vetmja rrugë për shqiptarët është integrimi i vendit në Bashkimin Europian. Në një intervistë, duke e cilësuar unionin një “perandori të mirë”, kreu i qeverisë shqiptare ritheksoi se qytetarët mbështesin integrimin e shqipërisë.
“Ne e shohim si të vetmin vend ku duam të jemi, sepse është vendi i vetëm ku do të jenë të garantuara disa gjëra për të cilat kemi luftuar. E kam fjalën për lirinë, e kam fjalën për barazinë përpara ligjit, e kam fjalën për demokracinë, në përgjithësi. Sipas këndvështrimit tim, me shumë modesti, do thoja se nuk është se Europa ka humbur diçka, por Europa duhet të fitojë diçka”, tha Rama.
Duke rikonfirmuar marrëdhëniet e ngushta me Italinë, Rama përsëriti se rruga e vendit tonë në familjen europiane do të kalojë nga Roma zyrtare.
“Më duhet të them se kur bëhet fjalë për Italinë, ka diçka shumë të veçantë midis Shqipërisë dhe Italisë, në përgjithësi dhe të gjithë kryeministrat italianë, pavarësisht partisë apo ngjyrave politike të qeverisë janë treguar shumë të mirë me ne. Me Giorgian ka një kimi mjaft të veçantë, nuk e fsheh dot, sepse është shumë e dukshme apo jo? Përtej kësaj, megjithatë, ajo është një njeri që priret më shumë të bëjë sesa të flasë, çka, më duhet të them, nuk është tipike italiane, por ajo është e tillë”, tha shefi i qeverisë.
Shefi i ekzekutivit sqaroi se pas marrëveshjes për emigrantët nuk fshihet asnjë qëllim i fshehtë.
“Jo, nuk ka asnjë marrëdhënie pazari midis nesh dhe Italisë, sepse Italia ka bërë shumë për ne, pa kërkuar asgj në këmbim. Nuk do ta harroj kurrë ditën kur ishim keq, pasi na kishte goditur një tërmet shumë i fortë dhe të parët që na erdhën në ndihmë ishin zjarrfikësit italianë, të cilët hynë nën rrënoja për t’iu shpëtuar jetën njerëzve që nuk i njihnin, në një vend ku kishin vënë këmbë për herë të parë dhe e bënë si heronj”, tha Rama.
Të enjten e kaluar u zhvillua dhe mbledhja e parë mes qeverisë italiane dhe asaj shqiptare ku u nënshkruan 16 marrëveshje bashkëpunimi mes dy vendeve.