Rama dhe Meta përplasen në Gjykatën Kushtetuese

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Rama dhe Meta përplasen në Gjykatën Kushtetuese

Presidenti Ilir Meta e kryeministri Edi Rama janë përplasur për herë të parë në gjykatën kushtetuese.

7 gjyqtarët dëgjuan juristët e kryeministrisë dhe presidencës në lidhje me ngërçin e krijuar në dhjetorin e 2018 kur Edi Rama zgjodhi Gent Cakajn si ministër të jashtëm, por Ilir Meta refuzoi ta dekretojë.

Në emër të ekzekutivit, Edlira Kokona shpjegoi se në leximin që i bën kushtetutës, presidenti nuk ka tagër të refuzojë dekretimin e ministrave, pasi anëtarët e kabinetit qeverisës zgjidhen nga shefi i qeverisë dhe të drejtën për t’i vlerësuar ata e ka kuvendi dhe nuk mund ta ketë presidenti.

Ndërsa përfaqësuesi i kryetarit të shtetit Bledar Dervishaj sqaroi se asokohe presidenti ka takuar kryeministrin dhe i ka kërkuar të rishikojë propozimin për Cakajn për shkak të mungesës së përvojës, duke vënë në dukje se nuk ka lindur asnjë mosmarrëveshje e karakterit kushtetues.

Advertisement

Në 28 dhjetor 2018 kryeministri Edi Rama vendosi të ndryshojë qeverinë, dhe mes emrave të rinj të ministrave, ai propozoi edhe Gent Cakajn në postin e ministrit të jashtëm. Në fillim të muajit janar Ilir Meta refuzoi të dekretojë shkarkimin e Ditmir Bushatit dhe emërimin e Gent Cakajt duke krijuar një përplasje të fortë mes qeverisë dhe presidencës.

Asokohe shefi i ekzekutivit Rama mori edhe detyrën e ministrit të jashtëm për të zhbllokuar situatën duke emëruar Gent Cakaj si zëvendësministër, por duke i dhënë të gjitha kompetencat e shefit të diplomacisë shqiptare.

Çështja e dekretimit të ministrave është beteja e parë mes presidentit dhe mazhorancës në kushtetuese; por gjyqtarët do të shqyrtojnë edhe dy konflikte të forta politike; prishjen e teatrit dhe vlefshmërinë e zgjedhjeve lokale të vitit 2019.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy