Kryeministri Edi Rama nuk u “kursye” në sulme e akuza ndaj personave të kapur e proceduar nga policia për zjarrvënie të qëllimshme gjatë kësaj vere.
Shefi i qeverisë i quajti ata barbarë dhe kërkoi nga gjykatat dënimin maksimal për ta.
“Nuk mund të rri pa përmnendur aspektin kriminal të të gjithë këtyre vatrave të zjarrit, që në një pjesë të konsiderueshme janë rezultat i barbarisë së atyre që me një shkrepëse apo shishe benzinë, plasin shpirtin e Atdheut, plagosin trupin e Atdheut dhe hedhin në erë mundimet, djersën, përkushtimin e shumë e shumë gjeneratave, duke dëmtuar mushkëritë e gjelbra të këtij vendi. Policia e Shtetit ka arritur të çojë pas hekurave një numër jo të vogël barabrësh që nuk meritojnë të jenë të lirë, por të kalben prapa hekurave. Shpresoj shumë që gjykatat do të japin vendimet e duhura dhe gjykatësit të jenë në lartësinë e dhimbjes për kaq shumë vlera natyrore të dëmtuara dhe kaq shumë pemë, burime jete të shkatërruara”, tha Edi Rama nga Baza Ajrore e Farkës, ku u shpërndanë medalje për punonjësit e Emergjencave Civile për menaxhimin e situatës me zjarret.