
Kuvendi i kësaj të hëne e ktheu fokusin tek krerët e institucioneve të drejtësisë.
Në parlament, Kreu i SPAK, Altin Dumani, Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela, drejtuesit e ILD, KLP e KLGJ do të raportojnë punën e institucionit si çdo vit ku pritet të japin llogari edhe përpara ligjvënësve.
I pari në radhë ishte Çela, i cili raportoi dhe ecurinë e hetimeve për krimet zgjedhore.
“Janë një sërë çështjesh penale për të cilat ka nisur hetimi. Edhe vepra penale që ju i referoheni nga të dhënat e 2025r rezulton se prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm janë disa çështje penale që lidhen me përdorimin e fondeve publike gjatë fushatës, dhe përdorimin e administratës publike. Përdorimi i administartës, është objekt i hetimeve që ka nisur nga disa prej prokurorive”
Megjithatë përplasjet nisën përpara raportimeve, ku shkak u bë mënyra se si do të shtrohen pyetjet e deputetëve.
Ishte kryeparlamentari Niko Peleshi, i cili u shpreh se në bazë të rregullores së Kuvendit, do të jenë krerët e institucioneve të drejtësisë që do t’i lexojnë pyetjet pa qenë nevojë të përsëriten nga ligjvënësit.
“Më besoni se unë dhe kushdo tjetër, s’ka interes të mos ecë procedura, të ngec apo të prishet një seancë parlamentare. S’kam ardhur në këtë institucion, të punimeve të Parlamentit për të penguar parlamentarizmin”
Kjo solli pakënaqësinë e opozitës, që akuzoi Peleshin për censurë.
“Juve keni rënë në një kompromis për të vendosur errësirën, ne kërkojmë të bëjmë pyetjet, ka një manual që nuk thotë se asnjë fjalë nuk bëhen me gojë pyetjet, ai që pyete duhet të këtë kohën për tu përgatitur, por kjo nuk përjashton autorin e pyetjes ta lexojë siç e ka bërë dhe me qëllimin që e ka bërë”.
Sqarimet i dha kreu i grupit parlamentar i socialistëve Taulant Balla, i cili rikujtoi se ishin të djathtët ata që ranë dakord për kohën e debatit si dhe procedurat që do të ndiqen.
“Kemi rënë dakord sipas rregullores dhe janë depozituar për dy pikat e para 25 dhe 57, 82 pyetje. Të paktën me matematikën jemi më mirë se ju… 7×7. Për këto kemi dakordësi të plotë. U sqarua më së miri, imagjoni 82 pyetje herë 3 minuta për prezantim, i bie 246 minuta ose 4 orë e pak. Ndërkohë, që merreni procesverbalin e Konferencës së Kryetarëve se ju keni problem të madh, bini dakord për të mos rënë dakord.”
Nga ana tjetër, gjatë përplasjeve politike, krerët e institucioneve po përgatiteshin për raportimet e tyre.
Pas debateve që zgjatën rreth 3 orë, PS dhe PD u dakordësuan që pyetjet do t’i lexojnë vetë krerët e institucioneve të drejtësisë dhe më pas çdo deputet që ka adresuar pyetje ka të drejtë 2 minuta kohë që të replikojë.
/vizionplus.tv