Sejko takim me përfaqësuesit e BERZH: Shqipëria ka bërë progres të dukshëm në rrugën e zhvillimit ekonomik

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Sejko takim me përfaqësuesit e BERZH: Shqipëria ka bërë progres të dukshëm në rrugën e zhvillimit ekonomik

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë,  Gent Sejko, ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e Bordit të Drejtorëve të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) kryesuar nga zj. Wioletta Barwicka-Lofthouse, Drejtore rajonale për Poloninë, Bullgarinë dhe Shqipërinë dhe z. Caspar Veldkamp, Drejtor Rajonal për Holandën, Kinën, Mongolinë, Maqedoninë e Veriut, Armeninë, shoqëruar nga z. Matteo Colangeli, Drejtor për Ballkanin Perëndimor dhe Serbinë dhe zj. Ekaterina Solovova, Përfaqësuese Rezidente e BERZH-it në Shqipëri. Në këtë takim merrnin pjesë edhe Zëvendësguvernatorja e Dytë e Bankës së Shqipërisë, zj. Natasha Ahmetaj, si dhe përfaqësues të tjerë të Bankës së Shqipërisë.

 

Bordi i Drejtorëve të BERZH-it është duke zhvilluar një vizitë zyrtare në Shqipëri në kuadër të strategjisë pesëvjeçare të kësaj banke dhe prioriteteve të ardhshme për rajonin e Ballkanit dhe vendin tonë.

 

Advertisement

Fillimisht, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera të vendit tonë me BERZH-in. Ai e falënderoi BERZH-in për kontributin e çmuar që ka dhënë për Shqipërinë, si një ndër investitorët më të mëdhenj institucionalë dhe në veçanti për Bankën e Shqipërisë falë të cilit janë realizuar projekte shumë të rëndësishme për sistemin bankar.

 

“Bashkëpunimi me këtë institucion mbetet mjaft i rëndësishëm, për mbështetjen konkrete me investime financiare, seriozitetin e projekteve dhe transformimin e realizuar.” – tha Guvernatori.

 

Advertisement

Gjatë takimit, Guvernatori theksoi se Shqipëria ka bërë progres të dukshëm në rrugën e saj të zhvillimit ekonomik, rritjen e konkurrueshmërisë dhe zgjerimin e reformave veçanërisht në fushën e digjitalizimit. Ekonomia shqiptare, pavarësisht goditjeve të njëpasnjëshme, ka vijuar të rritet me ritme të qëndrueshme, me një rritje ekonomike prej 4.8% në vitin 2022. Kjo rritje është mbështetur nga zgjerimi i vazhdueshëm i aktivitetit në sektorët e ndërtimit, të industrisë dhe të shërbimeve, sektorë të cilët përfituan nga rritja e shpejtë dhe e vazhdueshme e të ardhurave nga turizmi.

 

Parashikimet e Bankës së Shqipërisë për vitin 2023 mbeten pozitive, si për rritjen ekonomike ashtu edhe për rënien e inflacionit. Inflacioni do të vijojë rënien graduale gjatë këtij viti dhe pritet të kthehet në objektiv brenda gjysmës së parë të vitit 2024. Politika monetare e Bankës së Shqipërisë ka siguruar kushtet e nevojshme për respektimin e objektivit të stabilitetit të çmimeve në afatin e mesëm, duke u kujdesur në të njëjtën kohë të minimizojë ndikimin e saj në frenimin e aktivitetit ekonomik dhe pasoja të mundshme të padëshirueshme në stabilitetin financiar.

 

Advertisement

Për sa i përket sektorit bankar, Guvernatori u shpreh se ky sektor ka vijuar veprimtarinë e tij në mënyrë të qëndrueshme, me nivele të përshtatshme të treguesve të përfitueshmërisë, me një përmirësim të cilësisë së kredisë dhe me një ekspozim të kontrolluar ndaj rreziqeve. Edhe ushtrimet e provës së rezistencës që realizon vazhdimisht Banka e Shqipërisë tregojnë që sektori bankar është i qëndrueshëm ndaj goditjeve të supozuara makroekonomike dhe ruan një gjendje të fortë likuiditeti.

 

Ndërkohë, si një institucion kyç në procesin e integrimit evropian të vendit, Banka e Shqipërisë ka kontribuar aktivisht në këtë proces, duke përmbushur me sukses detyrimet institucionale të lidhura me të. Me hapjen e negociatave në muajin korrik të vitit të kaluar, Banka e Shqipërisë ka intensifikuar aktivizimin dhe kontributin në takimet dypalëshe me Komisionin Evropian, ndërsa ka vijuar dialogun ekonomik e financiar nëpërmjet pjesëmarrjes në komitete të përbashkëta me autoritetet e tregut të Eurozonës.

 

Advertisement

Përfaqësuesit e Bordit të Drejtorëve të BERZH-it vlerësuan bashkëpunimin me Bankën e Shqipërisë, si një partner serioz dhe që ka dhënë një vlerë të shtuar për zbatimin e suksesshëm të projekteve të BERZH-it në fushën bankare. Banka e Shqipërisë ka treguar të jetë një bankë qendrore e aftë të veprojë në mënyrë proaktive për të ruajtur stabilitetin makroekonomik dhe financiar të vendit.

 

Gjatë diskutimit me Guvernatorin, ata shprehën interes për çështje të lidhura me transmetimin e politikës monetare në ekonomi, modernizimin e sistemeve të pagesave, procesin e integrimit evropian dhe përdorimin e monedhës së përbashkët evropiane euro në Shqipëri.

 

Advertisement

Në përfundim, përfaqësuesit e Bordit të Drejtorëve shprehën angazhimin e BERZH-it për të vazhduar mbështetjen e Shqipërisë në zhvillimin e sektorit privat përmes një kombinimi të investimeve, dialogut për politikat, asistencës teknike dhe këshillave të biznesit. Ky angazhim do të ndihmojë në formimin e iniciativave që krijojnë kushte të favorshme për rritje ekonomike të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy