
I dërguari special i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka përsëritur vendosmërinë e SHBA për ti dërguar një mesazh të fortë aktorëve të korruptuar dhe destabilizues në rajon.
Sipas Escobar nuk do të ketë hezitim për sanksione nëse kjo është e nevojëshme.
“Liderët e Ballkanit Perëndimor duhet të punojnë në interes të qytetarëve, në vend që të punojnë për interesat e tyre personale dhe partiake. Ne nuk do të hezitojmë të përdorim sanksione ose mekanizma të tjerë për të dërguar një mesazh të fortë për aktorët e korruptuar dhe destabilizues. Politika identitare, e cila ndan dhe që ka penguar përparimin e rajonit në të kaluarën, nuk ka bërë asgjë për interesat e njerëzve nga Ballkani Perëndimor.”
Escobar shtoi se Shtetet e Bashkuara do të jenë një partner për ata që kanë një qasje konstruktive, jo shkatërruese, ndaj të ardhmes së rajonit.
“Është kundërproduktive që politikanët dhe aktorët e tjerë po shfrytëzojnë temat e identitetit për të fituar pikë politike në kurriz të përparimit ekonomik dhe pajtimit rajonal. Kjo është një taktikë e zakonshme në Ballkanin Perëndimor, ku liderët politikë përdorin ndarjet historike që të mbjellin përçarje mes votuesve dhe të bllokojnë përparimin e shteteve.”
Një ditë më parë Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione të reja ndaj udhëheqësit serb të Bosnjës, Milorad Dodik, me motivacionin “për aktivitete korruptive” dhe “kërcënime të vazhdueshme ndaj stabilitetit dhe integritetit territorial” të Bosnje Hercegovinës.