Sot, më 5 maj bëhen 5 vite kur shkrimtarja Flutura Açka mori lajmin më të trishtë të jetës së saj. Ndarjen nga jeta të djalit të saj të vetëm, në lule të rinisë, në moshën 18-vjeçare.
Në një postim në Facebook, shkrimtarja ka ndarë disa fjalë të dhimbshme dhe kujtimet me djalin, ndërsa i tregon ato pak ndryshime që kanë ndodhur në jetën e saj.
Açka e mbyll këtë postim me rreshta drithërues ku shkruan: Dhe lutem të jetë e gjatë e gjatë dita dhe e shkurtër e shkurtër jeta. Imja. Pa ty./vizionplus.tv
Postimi i plotë:
Biri, i gjashti 5 maj i ikjes
Asgjē nuk ka ndryshuar në rrugicēn tonë. Në jetën tonë po: mungon ti. Në byrektoren e cepit shkoj rrallë. Edhe miq takoj gjithnjë e më pak. Librat dhe fletët e kanë pushtuar shtëpinë, një pjesë e mirë politike. Ka një kohë të ditës kur dhimbja merr trajtë heshte dhe cembis kujtimet. Aty ku ti ke të vetmen ekzistencë.
Sot është e diel. Nuk jam ngritur ende. Kam përtesën e njerëzve me puls të ulët, të cilët kanë vështirësi të zgjasin kokën në dritare e të shohin ditën, të ngrihen e të gjejnë dollapin e veshjeve, të kërkojnë mes sendeve e të dallojnë krehërin, të rrëmojnë në kuzhinë e të nuhasin kafenë, të sillen pra si humanë, të gjallë.
Sot do të jetë e diel gjithë ditën, e nuk do të ma shënojë kush për çarmatosje etike, as morale, as politike sjelljen. Do të ngrihem, dhe për fat byrektorja jonë rri hapur gjithë ditën. Do ta blej byrekun tënd, sepse e di që dita ima ka shijet që pëlqeje ti, ka qetësinë që dije të ndaje ti, ka mirësinë qē kishe dhe falje ti.
Dhe lutem të jetë e gjatë e gjatë dita dhe e shkurtër e shkurtër jeta. Imja. Pa ty.