
Të gjitha akset kombëtare nuk do të kenë më prani të efektivëve të policisë, por monitorimi i sigurisë rrugore do të kryhet nga makinat inteligjente.
Ky është një nga ndryshimet e Kodit Rrugor në parlament.
Postblloqet e policisë rrugore nuk do të qëndrojnë më në këto akse për të penalizuar shkelësit, pasi puna e tyre do të zevendësohet nga pajisjet teknologjike.
Madje këto mjete nuk do të gjobisin shoferët vetëm për shkeljen e konstatuar, por do të raportojnë edhe për historikun e mjetit, nëse ka gjoba të hershme të papaguara, apo nuk ka kryer kolaudimin.
Një favor për qytetarët është përgjysmimi i vlerës totale të gjobës, nëse ajo paguhet brenda 15 ditëve të para të vendosjes së saj.
Deri më tani shoferët kishin mundësi që të përfitonin vetëm 20% ulje brenda 5 ditëshit të parë.
Kodi rugor do të lejojë gjithashtu rritjen e shpejtësisë në autostrada që plotësojnë kushtet e duhura. Një rrugë e tillë është ajo që lidh Fierin me Vlorën në të cilën shpejtësia do të jetë deri në 130 km/orë.
Ndryshimet e reja në Kodin Rrugor parashikojnë edhe vendparkimet, për të cilat u kërkohet bashkive që 50% e tyre të jenë pa pagesë.