Xhaçka-Dendias diskutojnë “Belerin”/ Ministrja e Jashtme: Nuk është çështje politike, vendos drejtësia

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Xhaçka-Dendias diskutojnë “Belerin”/ Ministrja e Jashtme: Nuk është çështje politike, vendos drejtësia

Ministrja e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka, në një prononcim për mediat nga Brukseli, ka dhënë detaje për takimin që ajo pati me homologun e saj grek, Nikos Dendias, në lidhje me çështjen e arrestimit të Fredi Belerit. Xhaçka theksoi vijimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, pavarësisht pikëpamjeve të ndryshme për çështjen “Beleri”.

 

Me kolegun Dendias pata një takim të mirë, i cili ishte një mundësi për të diskutuar nga afër çështjen. E urova për fitoren e partisë së tij në zgjedhjet e djeshme dhe I shpreha dëshirën tonë të sinqertë që pavarësisht pikëpamjeve të ndryshme për çështjen Beleri, të mund të vazhdojmë bashkëpunimin tonë miqësor për të cilin kemi hapur tashmë një faqe të re. Kolegu Dendias paraqiti qëndrimin e tij dhe unë bëra shumë të qartë qëndrimin tonë se kjo nuk është as çështje politike dhe as çështje e të drejtave të njeriut. Është çështje e respektimit të ligjit për çdo qytetar shqiptar. Është çështje e luftës kundër fenomenit të blerjes së votës, si një prej rekomandimeve kryesore të OSBE-ODIHR. Ashtu si Shqipëria, edhe Greqia në respekt të ligjit kreu arrestime pikërisht për akuza për blerje vote.

 

Advertisement

Gjatë takimeve në Bruksel, Ministrja theksoi nevojën që të ruhet ritmi me veprime konkrete nga ana e BE për rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian.

 

Shpreha vlerësimin për rigjallërimin e procesit të zgjerimit, por duke theksuar nevojën që të ruhet ritmi me veprime konkrete nga ana e BE. Nga pikëpamja jonë kjo do të thotë, se pari përparim në procesin e negociatave, duke hapur këtë vit negociatat për grupin e parë të kapitujve. Së dyti, stabiliteti kërkon rritje ekonomike në vendet tona. Reformat që Shqipëria ka ndërmarrë janë kyç për rritjen ekonomike por na nevojitet një mbështetje më domethënëse e Bashkimit Evropian, përmes rritjes dhe rikonceptimit të asistencës financiare. Së treti, në situatën e pasigurtë gjeopolitike ku ndodhemi, kërkova mbështetje për forcimin e kapaciteteve tona për tu përballur me sfidat e kohëve që po jetojmë. Kjo përfshin sidomos mbrojtjen kibernetike.

 

Advertisement

Qëllimi i takimit me Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, si dhe Ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor, sipas Xhaçkës, ishte thellimi i dialogut midis BE-së dhe rajonit për çështje të politikës së jashtme dhe të sigurisë.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy