Zgjedhjet e 6 marsit, Gjiknuri: Vota për Rahimin Spahiun dhe për PS, është garanci për zhvillimin e Dibrës

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Zgjedhjet e 6 marsit, Gjiknuri: Vota për Rahimin Spahiun dhe për PS, është garanci për zhvillimin e Dibrës

PS zhvilloi takimin përmbyllës për zgjedhjet e 6 marsit në mbështetje të kandidatit Rahim Spahiu. Sekretari i Përgjithshëm Damian Gjiknuri u shpreh se vota për Rahim Spahiun dhe për PS është votë për garancinë e zhvillimit të Dibrës.

 

“Si Sekretar i Përgjithshëm, dua t’ju sjell përshëndetjet e kryeministrit të Shqipërisë, i cili para se të nisesha këtu më tha: Damian dua t’u thuash dibranëve se fitorja në Dibër është gjëja më e rëndësishme që unë kam dhe dua që në 6 Mars Dibra ta nderojë Partinë Socialiste dhe djalin e saj Rahimin. Më lejoni ta them përse ka rëndësi kjo! Nga Dibra fillojnë mesazhet e mëdha. Ju e keni vënë re që kundërshtarët tanë, përçarësit, thonë se nga Dibra përmbysim qeverinë. Ju kujtohet edhe në vitin 2016 kur ish aleati ynë, presidenti aktual, dhe Lulzim Basha kryetar i PD-së, vinin këtu e na thoshin se nga Dibra do fillojë përmbysja e madhe. Çdo dibran me të drejtë pyet: çfarë është Dibra ‘mish për top’ i njerëzve në Tiranë? Jo!
Njëri këtu më tha: Damian dibrani ka një karakteristikë, mençurinë. Pra, dibrani di të orientohet drejt. Në 6 Mars ju do të orientoheni drejt. Vota për Rahimin dhe për Partinë Socialiste është votë për garancinë e zhvillimit të Dibrës”, theksoi Gjiknuri.

 

Advertisement

 

Sekretari i Përgjithshëm i PS u shpreh se Rahimi do të ketë dhe mbështetjen e qeverisë shqiptare për të çuar përpara punët. Garancia, për këtë, tha Gjiknuri, është dhe rruga e Arbrit e cila u bë realitet nga qeveria “Rama”.

 

“Në vitin 2016 këtu u dha një premtim. Le ta dëgjojë e gjithë Shqipëria, shumë njerëz ishin skeptikë. U tha që ne do ta bëjmë Rrugën e Arbrit. Disa thoshin, me të drejtë, o Damian mos e premtoni kot se janë shumë para’, nuk do të bëhet ndonjëherë ajo rrugë. Edhe unë ndonjëherë mendoja mos po premtojmë kot! Kur Edi Rama erdhi në Dibër më tha këto fjalë, nëse fitojmë në Dibër unë e premtoj që do ta bëj rrugën e Dibrës. Faktikisht Edi Rama e bëri realitet dhe kjo falë votës suaj. Foli pak më parë edhe ministrja, rruga nuk do të përfundojë me kaq. Përsëri jemi para një testi që ta vazhdojmë deri në Peshkopi atë rrugë. Pyetja që shtrohet është me kë do vazhdojë rruga? Me ‘bravën’ dhe ‘anti-bravën’ apo me Rahimin, djalin tuaj? Unë them me Rahimin të cilin ne e kemi zgjedhur si administrator, si qytetar që do ta bëjë detyrën vetë pa i ndenjur njeri mbi kokë dhe me mbështetjen e qeverisë së Edi Ramës. Këtë ua garantoj”, deklaroi Gjiknuri.

Advertisement

 

Ai shprehu bindjen se më 6 mars, dibranët do të votojnë Rahim Spahiun, si njeriun e duhur për të drejtuar Dibrën.

 

“Që projektet në Dibër të vazhdojnë vota për Rahimin duhet të jetë masive. Përse të mos themi që Rahimi të marrë më shumë vota sesa ‘brava’ dhe ‘anti-brava’. Ky do të jetë nderi i Dibrës. Me këtë do japim mesazhin në Tiranë se dibranët janë mirënjohës, janë patriotë, janë njerëz që dinë ta vlerësojnë zhvillimin. Po u them një gjë, ju e provuat në 2016-ën ku dhatë fitoren e madhe dhe një mesazh të madh në të gjithë Shqipërinë. Unë jam i bindur që në 6 mars ju do të jepni përsëri të njëjtin mesazh. Ju doni zhvillimin e Dibrës me djalin e Dibrës për të mirën e Dibrës.

Advertisement

Kam dëgjuar gojët e liga që thonë do vijë Skavica dhe Dibra do përmbytet. E para, ai projekt do konsultohet me popullin nuk ka projekt që do t’u bëjë dëm njerëzve. E dyta, Edi Rama nuk hodhi 300 milion euro për të përmbytur Dibrën, por e bëri për ta bërë Dibrën ashtu si e meriton dhe ta kthejë atë në vlerat më të mira historike. Votoni përfaqësuesin tuaj! Jepini nder përfaqësuesit tuaj politik. Ta mbështesim Rahimin për ta qeverisur Dibrën përtej ndasive politike”, deklaroi Gjiknuri.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy