Komplikimet e rralla te fëmijët që preken nga COVID-19

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Komplikimet e rralla te fëmijët që preken nga COVID-19

Dr. Valbona Selimaj Kontoni, mjeke pediatre infeksiologe në Klinikën Saint Jean në Bruksel, Belgjikë, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, shtetin belg në betejën ndaj Covid-19 dhe mbi të gjitha fokusohet te problemet e fëmijëve që infektohen me Covid-19. Me Dr. Valbona Selimaj Kontoni bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.

COVID-19 DHE FËMIJËT

Aktualisht, pas rreth 6-7 muajsh qarkullimi të pandemisë SARS-CoV-2, ne e dimë që fëmijët e infektuar me këtë virus shfaqin simptoma të lehta e shpesh nuk kanë asnjë ankesë a shenjë infeksioni. Ne kemi të dhëna studimesh në shkallë popullate si në Islande, Kore e Jugut, Itali etj ku mund të shohim se fëmijët kanë sëmundshmëri shumë të ulët nga infeksioni me SARS-CoV-2, si dhe në 80% të rasteve infektohen nga një person i familjes. Pavarësisht nga këto të dhëna shpresëdhënëse, është e rëndësishme të flasim edhe për dy komplikime të rralla të fëmijëve pas sëmundjes Covid-19. Këto janë Sindroma Kaëasaki (SK) si dhe Sindroma Inflamatore Multi-Sistemike tek fëmijët (SIMS-F) e lidhur me Covid-19. Sindroma Kaëasaki në 80% të rasteve prek fëmijët e moshave 6 muaj me 5 vjeç dhe jep një vaskulit (dmth nj inflamacion të enëve të gjakut) të enëve të mesme. Nëse nuk trajtohet, SK mund të japë zgjerim të enëve që furnizojnë zemrën me gjak, por kjo sëmundje njihet shumë mirë nga pediatrët dhe shërohet me trajtimin e duhur. Gjithashtu, SIMS-F shfaqet 4-6 javë pas infeksionit me SARS-CoV-2 dhe jep temperaturë të lartë, mosfunksionim të shumë organeve si dhe shenja inflamacioni të lartë. Që në fillim të pandemisë, këto dy komplikime pas infektimit me virusin SARS-CoV-2 janë raportuar në shtypin mjekësor dhe pediatrët janë plotësisht të informuar për ti trajtuar agresivisht. Megjithatë, studimet japin një numër shumë të vogël rastesh nëse e krahasojmë me numrin total të fëmijëve të infektuar. Një artikull nga popullata në Nju Jork jepte një numër të 2 fëmijëve me SIMS-F për 100.000 të infektuar (nga këta 322 fëmijë), por duhet pasur parasysh se numri i vërtetë i fëmijëve të infektuar por të padiagnostikuar mund të jetë realisht disa herë më i lartë sesa ç’është dokumentuar, por duke pasur parasysh mungesën e simptomave në këto mosha, testimet nuk bëhet rregullisht, duke ulur edhe numrin e rasteve të diagnostikuara. Gjithashtu është e rëndësishme të theksojmë impaktin negativ të mbylljes së shkollave tek femijët. Jemi të ndërgjegjshëm se pas kaq muajsh të mbyllur, po vërehet në të gjitha anët e botës një rritje e rasteve të abuzimit ndaj fëmijëve, rritje të aksidenteve shtëpiake, shumëfishim i kohës së ekspozimit ndaj ekraneve, çrregullime të sjelljes, dhe ankth ; të gjitha këto fenomene paguhen shtrenjtë nga fëmijët sepse vonojnë zhvillimin dhe ndikojnë negativisht në mirëqënien e tyre psiqike dhe fizike. Si prindër dhe si shoqëri ne duhet të kujdesemi për këto aspekte madhore në rritjen e fëmijëve e të jemi positivë ndaj hapjes së shkollave.

COVID-19 DHE INFEKTOLOGJIA

Advertisement

Në fund të dhjetorit 2019, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) u informua se në krahinën e Wuhan, në Kinë u paraqitën disa raste të një pneumonie jo-tipike me origjinë të panjohur. Më vonë, më datën 9 janar shkaku u identifikua si një koronavirus. Korona-viruset janë një familje e gjërë virusesh që shkaktojnë infeksion tek njerëzit dhe tek kafshët. Deri në vitin 2002, koronaviruset ishin një familje që jepte shenja të lehta infeksioni dhe shumë rrallë përkeqësime tek përsonat me imunitet të ulët apo tek fëmijët të vegjël. Në vitin 2002 – 2004 në krahinën Guangdong në Kinë u shfaq një koronavirus (SARS-CoV) që shkaktoi SARS ose Sindroma e Rëndë Respiratore Akute (Severe Acute Respiratory Syndrome). SARS u përhap në rreth 30 vende dhe pati rreth 900 viktima. SARS u ndoq nga një tjetër koronavirus MERS-CoV në 2012 që shkaktoi MERS (Middle-East Respiratory Syndrome) ose Sindroma Respiratore e Lindjes së Mesme. MERS-CoV është një koronavirus zoonotic dmth që transmetohet nga kafshët (njeriu infektohet nga gamiljet e infektuara) dhe dallohet për vdekshmërinë e lartë të pacientëve të infektuar. Sipas të dhënave të OBSH, 35% e të infektuarve nga MERS-CoV, vdesin. Që nga viti 2012 janë raportuar rreth 858 viktima nga MERS. Covid -19 u emërua nga OBSH si sëmundja që shkaktohet nga virusi i ri SARS-CoV-2. Covid-19 u quajt kështu nga bashkimi i Co (corona)- Vi (Virus)- D(Disease)- 19( viti që u shfaq). Mënyra e transmetimit fillestar tek njeriu mendohet se erdhi nga lakuriqët e natës. Tashmë njihet transmetimi njeri-njeri nga pikëzat e vogla të pështymës, nga prekja e objekteve të infektuara por edhe nga ajri gjë që thekson rëndësinë e vendosjes së maskave në ambjentet e mbyllura. Fakti se SARS-CoV 2 transmetohet nga ajri (ku një përson i infektuar ka marrë frymë) duhet pasur parasysh dhe duhet respektuar me fanatizëm dhe maskat duhen mbajtur në ambientet e mbylluara. Mos të harrojmë, se deri tani, pavarësisht punës së palodhur të shkencëtarëve në çdo cep të botës, nuk kemi terapi shëruese për Covid-19, përveç disa të dhënave mbi Dexametazonin (kortizon) që ul vdekshmërinë si dhe sëmundshmërinë, për momentin nuk kemi terapi të tjera shpresëdhënëse. Gjithashtu, dalja e një vaksine është akoma e paqartë si dhe cilat grup-mosha do kenë përparësi. Nuk duhet të harrojmë, se pavarësisht se përballë semundjes jemi të gjithë të barabartë, kjo pandemi do të theksojë pabarazitë midis vendeve e regjioneve të ndryshme të botës.

COVID-19 NË BELGJIKË

Belgjika, ju bashkangjit strategjisë së përgjithshme europiane të mbylljes së popullatës për përballimin e epidemisë de SARS-CoV-2. Pjesa dërrmuese e punonjësve punonte nga shtëpia, shkollat dhe strukturat jo rrënjësore të shoqërisë u mbyllen. Ashtu si edhe shumë vende të tjera europiane, strategjia fillestare ishte testimi vetëm tek pacientet që kishin shënja të infeksionit të rrugëve të poshtme të frymëmarrjes dhe që do të shtroheshin në spital. Në fillimet e pandemisë, mungesa e testimeve masive rezultoi si pikë e dobët sidomos në azilet e të moshuarve, ku u regjistrua edhe numri më i madh i viktimave, e kjo veçanërisht në fillim të pandemisë. Me pas, që në mes të muajit maj në pamë një liberalizim të testimeve dhe një marrje masash drastike sidomos në azilet e të moshuarve. Këto masa dhanë rezultat dhe numri i viktimave u ul drastikisht. Gjithsesi, duhet të kemi parasysh se ky është vetëm një kapitull i ‘luftës’ tonë ndaj pandemisë. Pavarësisht kushteve klimatike që shfavorizojnë shumëfishimin e SARS-CoV-2, si dhe faktit të qëndrimit në ambjente të hapura, rastet e pacientëve të infektuar rriten, gjë që s’është një ogur i mirë për stinët e ardhshme ku pritet të kemi më shumë raste, deri sa të arrijmë atë që quhet imuniteti i tufës (dmth qe 60-90% e popullatës të jenë të mbrojtur nga infeksioni ; ose ta kenë kaluar, ose të jenë të vaksinuar).

MESAZHI PËR LEXUESIT E GAZETËS DIELLI DHE DIASPORËN NË USA

Advertisement

E para gjë që të doja t’ju uroja të gjithë bashkatdhetarëve në Shtetet e Bashkuara është që të kenë durim për të përballuar këtë periudhë të vështirë për të gjithë qytetarët e globit. Covid-19 na e ndryshoi jetën, kjo sëmundje e uli vrapin e të përditshmes, si dhe paralizoi botën. Covid-19 po dëshmon sa i rëndësishëm është shëndeti për secilin nga ne si individë, por edhe për shoqërinë si e tërë. Gjithashtu, do të doja t’ju kujtoja se secili nga ne si qytetarë edhte i përgjegjshëm për kufizimin e pandemisë. Të kujdesemi për njerëzit tanë të dashur, për kolegët e çdo person që takojmë. Të zbatojmë rregullat e higjenes dhe të vendosim maskat në vendet e mbyllura, të ruajmë distancën fizike prej 2 metrash, të lajmë duart shpesh dhe mos të mendojmë se këto masa janë të tepërta. Janë rregulla të domosdoshme dhe shprehje e respektit si dhe e dashurisë tonë për jetën.=

KUSH ËSHTË VALBONA SELIMAJ KONTONI MD, MPH

Dr. Valbona Selimaj Kontoni është mjeke pediatre infeksiologe në Klinikën Saint Jean në Bruksel. Dr. Selimaj Kontoni është anëtare e komitetit shkencor pediatrik Covid-19 në Belgjikë si dhe është pjestare e Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Europë. Studion Infeksiologji pediatrike në Universitetin e Oxfordit dhe ka përfunduar me sukses një Master në Shendet Publik si dhe është mbartëse e Diplomës në Infeksiologji e Mikrobiologji në Belgjikë. Dr. Valbona Selimaj Kontoni ka prezantuar punime në kongrese kombëtare e ndërkombëtare.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy