Stigma si faktor pengues në kërkimin e ndihmës dhe përmirësimin e shëndetit mendor

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Stigma si faktor pengues në kërkimin e ndihmës dhe përmirësimin e shëndetit mendor

Elvis Popaj, psikolog klinik/psikoterapist

Elvis Popaj, psikolog klinik/psikoterapist pranë Qendrës Shqiptare të Psikoterapisë Konjitiv – Bihejviorale, analizon për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, çështjet e shëndetit mendor në shoqëri si dhe menaxhimin, reduktimin e simptomave dhe përmirësimin e shëndetit mendor te personat e prekur. Me Elvis Popajn bashkëbisedoi gazetari Sokol PAJA.

Çështjet e shëndetit mendor nënvlerësohen dhe përçmohen nga shoqëria

Fjala ‘stigmë’ rrjedh nga latinishtja ‘stigmat’ që e përkthyer në shqip do të thotë ‘shenjë’. Termi stigmë përdoret për të përshkruar një fenomen i cili gjykohet negativisht nga shoqëria dhe ndaj të cilit ka shumë paragjykime. Historikisht, çështjet e shëndetit mendorë janë trajtuar nga shoqëria në një mënyrë nënvlerësuese dhe përçmuese – si një ‘shenjë e turpshme’ që personat me çrregullime mendore mbartin. Edhe pse ankthi, gjendjet depresive, varësitë, psikozat, çrregullimet e të ngrënit etj, janë fenomene shumë të zakonshme, sërish është mjaft e vështirë të flitet hapur për to për shkak të stigmës që i rrethon ato.

Advertisement

Për të kuptuar sesi lind dhe mbartet stigma në lidhje me çështjet e shëndetit mendorë duhet të shkojmë më herët, qëkur fëmijëve iu transmetohet që të ndjerit e frikës, ankthit, trishtimit apo cdo lloj emocioni tjetër të pakëndshëm, nuk është asgjë tjetër veçsë dobësi, turp apo pazotësi. Nëse fëmija shfaq frikë apo ankth, etiketohet si ‘frikacak’; nëse trishtohet është ‘qarraman’; nëse zemërohet është ‘i prapë’.

Në këtë mënyrë, ne rritemi me mesazhin e gabuar që emocione të caktuara janë të papranueshme nga ambjenti përreth dhe si rrjedhim duhet ti fshehim, të mos i ekspozojmë apo ti mohojmë në mënyrë që të ndihemi më të sigurt dhe më të pranuar. Në fakt gjithsecili prej këtyre emocioneve ka një funksion të caktuar: fëmija është i frikësuar sepse ka dicka që e frikëson në ambjentin përreth, është i trishtuar sepse i mungon dikush apo dicka, është i zemëruar sepse nuk po i plotësohet një nevojë e caktuar legjitime.

Dhe kur ndodh që këto emocione të intensifikohen më vonë si çrregullime të mirëfillta të ankthit apo depresionit bëjmë cmos që ti maskojmë në mënyrë që të mbrohemi nga gjykimi stigmatizues i të tjerëve apo/dhe i vetes. Në këtë mënyrë personat që përballen me çrregullime të shëndetit mendorë duhet të vuajnë vështirësi të dyfishta: nga njëra ata duhet të menaxhojnë vuajtjen e lidhur me çrregullimin mendorë që po përjetojnë dhe nga ana tjetër duhet të maskojnë këtë vuajtje për të mos u përballur me gjykimin stigmatizues të ambjentit përreth. Në momente të caktuara stigma brendësohet duke u kthyer në një rreth vicioz vetgjykues – në këtë mënyrë gjykimi stigmatizues ‘pse je kështu’, ‘pse ndihesh kështu’, ‘pse nuk bëhesh i fortë dhe ta kalosh këtë gjë’ kthehet në gjykime vetstigmatizuese të tipit ‘pse jam kështu’, ‘pse jam kaq i dobët sa të mos kem kontroll mbi ankthin tim’ duke e përkeqësuar ndjeshëm vuajtjen psikologjike.

Alarmi i OBSH, 1 në 4 persona kalojnë probleme të shëndetit mendor

Advertisement

E pra, çështjet e shëndetit mendorë janë aq të zakonshme sa sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 1 në 4 persona në botë përjetojnë në një moment të jetës së tyre probleme të shëndetit mendorë. Kjo shifër pritet të jetë akoma më e lartë duke qënë se stigma, nuk i lejon shpesh individët të raportojnë çështjet e shëndetit mendorë hapur nëpër studime të ndryshme epidemiologjike.

Një në katër veta do të thotë që në familjet tona, të paktën një prej nesh vuan çështje të shëndetit mendorë për të cilat në shumicën e rasteve nuk merr ndihmën e nevojshme. Studime të tjera pohojnë se rreth gjysma e Amerikanëve (46%) në një moment të jetës së tyre përballen me një vështirësi të shëndetit mendorë, qofshin këto çregullime të ankthit, çregullime të humorit, varësi nga substancat apo çregullime të tjera (Kessler et al, 2005). Pra një në dy persona në Amerikë përjetojnë në një moment të jetës së tyre probleme të lidhura me shëndetin mendorë.

Pse është e vështirë të flitet për shëndetin mendor

Natyrshëm lind pyetja: përderisa çregullimet e shëndetit mendor janë kaq të zakonshme, përse është kaq e vështirë të flitet hapur për to dhe të kërkohet ndihmë kur po përballemi me to? Për t’ju përgjigjur kësaj pyetje duhet ti rikthehemi sërish asaj çfarë po diskutonim në fillim: se si shfaqja e emocioneve të caktuara si frika, ankthi, trishtimi interpretohet si dobësi në shumë kultura përfshirë edhe kulturën tonë.

Advertisement

Nëse ju referohemi statistikave të mësipërme problemet e shëndetit mendorë janë po aq në mos më të zakonshme se shumë nga sëmundjet fizike që na prekin gjatë ciklit të jetës sonë. Por nga ana tjetër për shumë prej nesh është e lehtë të themi që vuajmë nga gastriti por jo edhe aq e lehtë kur duhet të flasim për ankthin që përjetojmë, është e lehtë të ankohemi për dhimbjet e mëdha të migrenës por jo të flasim për ndjenjat e thella të pavlefshmërisë që vijnë bashkë me depresionin, është e lehtë të qahemi për dhimbje të ndryshme fizike që përjetojmë por jo të flasim për stresin kronik të pranishëm në jetën tonë.

Përmirësimi dhe trajtimi i problemeve të shëndetit mendor

Po, a përmirësohen problemet e shëndetit mendor dhe a ka mënyra për ti trajtuar ato? Fatkeqësisht stigma pengon shumë njerëz që të marrin ndihmën e duhur dhe aq të nevojshme kur përballen me çështjet e shëndetit mendor. Sot ekzistojnë shumë disiplina të ndryshme shkencore që ndihmojnë në menaxhimin, reduktimin e simptomave dhe përmirësimin e ndjeshëm të problemeve të lidhura me shëndetin mendorë.

Pa u ndalur shumë gjatë tek përshkrimi i gjithsecilës – psikoterapia, medikamentet, ushtrimet fizike, meditimi, yoga etj – janë studjuar gjërësisht dhe vlerësuar si efektive në përmirësimin e shumë prej problemeve të shëndetit mendorë. Psikoterapia, për shembull është një mjet mjaft efektiv jo vetëm në reduktimin e vuajtjes që rrjedh nga prania e çrregullimit mendorë por gjithashtu një mekanizëm efikas që ndikon në rritjen e cilësisë së jetës, rritjen personale, përmirësimin e marrëdhënieve dhe orientimin drejt një jetë më të kuptimshme dhe më të plotë.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy