Sa vjeç bën? Mjeshtri i kinematografisë shqiptare, Ndriçim Xhepa feston ditëlindjen

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Sa vjeç bën? Mjeshtri i kinematografisë shqiptare, Ndriçim Xhepa feston ditëlindjen

Mjeshtri i kinematografisë shqiptare, aktori i madh Ndriçim Xhepa festoi në 21 janar ditëlindjen e 67. Padyshim një prej shtyllave më të forta filmit, por edhe teatrit vendas.

Ndriçim Xhepa ka lindur më 21 janar të 1957-ës, në Tiranë. Ai është djali i “Artistes së Popullit” dhe aktores së madhe, Margarita Xhepa. Pas mbarimit të studimeve për aktrim në Institutin e Lartë të Arteve, më 1979, Ndriçim Xhepa filloi punë në Teatrin Kombëtar.

Në vitet e para të karrierës ishte në kërkim të individualitetit të vet artistik. Nga fillimi i viteve ’80, sidomos në vitet ’90 e me tej, ai u bë një nga aktoret më të spikatur të planit dramatik e psikologjik. Në teatër ka interpretuar rreth 35 role, nga të cilat veçohen: Arseni te drama “Nën dritat e skenës” e Ruzhdi Pulahes, Prometeu te drama “Prometeu” e Viktor Eftimiut, për të realizuar më pas figurën pasionale të Romeos te tragjedia “Romeo dhe Zhuljeta” të Shekspirit, të cilën e paraqiti brenda toneve lënduese, të dhimbshme, por edhe të zymta e konfliktuale, një përballje tragjike me fatin, veten dhe mjedisin armiqësor, si ithtar kokëkrisur i lirisë dhe dashurisë, aq edhe si një i përndjekur nga “hija” dhe obskurantizmi i pushtetit okult që ofronin kodet e vjetra.

Advertisement

Ne vitin 1995 interpretoi rolin e Fernandos te drama Fernando Krafti me ka shkuar këtë letër e T. Dorstit, me të cilin arriti një nga pikat më të larta të karrierës së tij aktoriale. Në vitin 2002 luajti Dorianin te Portreti i Dorian Grejt e O. Uajlldit, duke bërë të dukshëm dypalësinë, kontrastin dhe konfliktin rrënues midis bukurisë fizike dhe asaj shpirtërore. Me rolin e Xhejmsit te komedia Lirie Kapitulli i dytë e Nail Saimonit ndryshoi formatin dhe theu modelin e parapëlqyer të tipave të tij të deriatëhershëm, duke kërkuar shprehësi tashmë në rrafshin e komikes dhe lirikës, me përdorim e mprehtë dhe elegant të qasjeve kundërthënëse sikurse edhe një plastike mëvetësuese. Te drama Closer (Pak me afer), 2005, ai dëshmoi përpos ndjeshmërisë dhe pezmit të fsheht ndaj vetes dhe të tjerëve, edhe një sens të hollë ironie, sarkazëm kundrejt raporteve te vështira e kontradiktore në dashuri.

Ai luajti edhe rolin e A-se te pjesa “Për një fjalë goje” (2006) e Natali Sarrot, si rolin e Astrovit Daja Vanja (Xhaxha Vanja) e Cehovit (2008) në ‘’Teatër Kronos’’. Më 2007 luajti rolin e Ilirian Demit në dramen Korbi i bardhë e Mihal Luarasit. Një karriere te suksesshme ka pasur Ndriçim Xhepa edhe në kinematografi. Ka interpretuar rreth 30 role kryesore, duke qene një nder aktorët më të pëlqyer e më në zë për shume vite radhazi. Tërhoqi vëmendjen për lojën e kahut psikologjik në rolin e Fredit në filmin “Hije që mbeten pas” (1982. Në vitin 1988 mishëroi me dramacitet rolin e Tomës në filmin “Flutura në kabinën time”. Më 1998, mbërrin në një nga figurat te realizuara, sikurse qe ajo e Alush beut në filmin “Dasma e Sakos”. Ndriçim Xhepa është shpallur tri here fitues i Kupës për ‘’Aktorin më të mirë” në Festivalet e Filmit në vitet 1987, 1989 e 2000 dhe dy herë fitues i çmimit “Aleksander Moisiu” për “Aktorin më të mirë” në Festivalin Kombëtar të Teatrit me 1986 dhe 1995. Mban titujt “’Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës’’.

Advertisement

/vizionplus.tv

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy