Nga Ervin Sina
Numërimi mbrapsht ka nisur, emocionet shtohen, tensioni po e po. Për Shqiperinë nuk është normalitet të qenit në kompeticione të tilla të mëdha sikurse kampionati europian, ndaj është normale që në prag të debutimit kundër Italisë më 15 qershor në Dortmund, çdokush nga ne, miliona shqiptarë anëmbanë botës mbështetës të kombëtares kuqezi, por edhe vetë lojtarët, stafi teknik dhe ai drejtues i federatës të kenë brenda vetes ndjesi gati-gati të çuditshme, shpesh herë të pashpjegueshme në lidhje me atë që mund të na ofrojnë 90-minutat jo vetëm të sfides së parë në grup ndaj Italisë, por të gjitha netët gjermane.
Ka shumë prej nesh që mendojnë se Shqipëria e ka fituar europianin e vet me kualifikimin tashmë në këtë turne. E thonë ndoshta si një lloj justifikimi të parakohshëm për shkak të “grupit të ferrit” ku përfunduam, ama thellë thellë brenda vetes lutemi kaq shumë e shpresojme po kaq shumë që Euro 2024 të mos jetë një shëtitje.
Natyrisht në letër përballë Italisë, Spanjës dhe Kroacisë jemi të vegjel, mirëpo eksperienca jonë e parë në 2016 tregoi se edhe ndaj kundërshtarëve serioze e me më shumë tradite, me më shumë emra, cilësi e talent, nëse jep shpirtin në fushën e lojës, e duke pasur patjetër edhe pak fat, mund të arrish atë që është e vështirë për t’u menduar sot.
Dy miqësoret e fundit fituar ndaj Azerbajxhanit dhe Lihtenshteinit nuk janë pika nga ku duhet të nisemi, absolutisht jo…Ndoshta as miqësoret e marsit, edhe pse sfida në Suedi kishte krejt tjetër pamje nga ajo ndaj Kilit.
Shqipëria duhet të riniset nga entuziazmi i eliminatoreve, aty ku Sylvinho i mori më të mirën lojtarëve duke formuar një grup kompakt i cili na kulifikoi për herë të dytë në këtë turne. Pa dashur ti mëshojmë problematikave në ekip, sikuse janë minutat e pakta në këmbë për një pjesë të titullarëve me klubet e tyre, apo formën jo më të mirë fizike të elementit kyç të kualifikuese sikurse Jasir Asani, është më mirë të shohim anët pozitive.
Një prej tyre janë tifozët tanë, ata të cilët i kanë dhënë ekipit një shtytje të fortë, në strofullën kuqezi në Tiranë po e po, por edhe në transfertë ku kanë qenë në numër të konsiderueshëm. Mendoni vetëm se si ishte atmosfera rreth kombëtares në Francë në 2016. Mendoni si do të jetë në Gjermani, vend i cili bashkë më shtete të tjerë perendimore ku jetojnë e punojnë qindra e mijëra bashkëatdhetare nga Shqiperia, Kosova, Maqedonia e Veriut e Mali i Zi.
Kombëtarja është padiskutim një motiv krenarie, një element i fortë përbashkëues i kombit tonë, dhe nuk ka kohë e vend më ideal sesa një feste e tille futbollistike, një turne kaq të madh si europiani, për të reflektuar me pozitivitet identitetin tonë kombëtar në të gjitha dimensionet e veta, brenda dhe jashtë fushës së lojës./vizionplus.tv