Messi gjen te Pedri partnerin e lojës te Barcelona

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Barcelonë, 8 janar (AP) – Kur Lionel Messi lidhet me shokun e tij adoleshent, Pedro “Pedri”’ Gonzalez, ndodhin gjëra të mira për skuadrën e Barcelonës. Dy herë në pak më shumë se tri javë, Pedri i ka dhënë Messit arsye për të buzëqeshur në fushë pasi i dha atij asistime spektakolare në triumfet e Barcelonës. Pedri, si mesfushor i gjithanshëm, asistoi për Messin i cili shënoi golin e fitores 3:2 kundër Athletic Bilbaos në ndeshjen e fundit të La Ligas. Ndërsa një asistim të ngjashëm ia bëri edhe në fitoren 3:0 kundër Real Valladolidit më 22 dhjetor.

Duke folur për asistimin e tij në Bilbao, 18-vjeçari Pedri tha se lidhja me 33-vjeçarin Messi po funksionon shumë mirë dhe ai shpreson që të vazhdojë edhe në të ardhmen ta ndihmojë ekipin drejt arritjes së synimeve.

“Ishte një lojë e shpejtë ku mund të dëgjoja Leon duke më folur ndërsa kalonte pas meje. Nëse ai nuk thotë asgjë, nuk kam ide se ai është atje”, zbuloi Pedri të premten. “Ai ishte i krejtësisht i vetëm dhe për fat të mirë portieri ishte jashtë vendit të tij, kështu që Messi shumë lehtë e pati për ta shtyrë topin në rrjetë dhe për ta vendosur fituesin”.

Përqafimi që Messi i dha Pedrit pasi shënoi, ka lënë shumë tifozë të Barcelonës duke shpresuar se ky është fillimi i një partneriteti që mund të ndihmojë për të bindur yllin argjentinas të qëndroj në “Camp Nou” edhe pasi skadon kontrata e tij. Messi ka kontratë me Barcelonën deri në fund të këtij sezoni. Ai në muajin gusht të vitit të shkuar tha se donte të largohej nga Barça pas një sezoni pa titull, por klubi nuk e liroi. Ndërsa javën e kaluar ai tha se nuk do të marrë një vendim përfundimtar për të ardhmen e tij derisa të mbarojë ky sezon.

Advertisement

Me pesë fitore dhe dy barazime në shtatë ndeshjet e fundit, Barcelona po tregon shenja se mund të jetë ende një faktor në garën e këtij viti për titullin e kampionit të Spanjës. Aktualisht Atletico Madrid është lider në La Liga me 38 pikë të mbledhura, dy më shumë se Real Madridi që renditet në pozitën e dytë. Barcelona është e treta me 31 pikë. Por Atletico ka dy ndeshje më pak të luajtura.

Barcelona viziton Granadan të shtunën, pasi u ngjit në vendin e tretë në tabelë pas fitores në “San Mames Stadium” në një nga paraqitjet e saj më të mira sulmuese që kur trajneri Ronald Koeman mori detyrën para fillimit të këtij sezoni. Pedri ka shumë të ngjarë të kthehet në formacionin e parë të Koemanit për vizitën në Spanjën e Jugut, kur Barcelona luan me Granadan, me një ekip që është në vendin e shtatë pasi humbi vetëm një herë në tetë ndeshjet e luajtura në shtëpi këtë sezon. Koeman ka ndryshuar formacionin e tij gjatë gjithë sezonit duke kërkuar grupin ideal. Por futbollisti konstant ka qenë Pedri, të cilin Koeman e ka përdorur në çdo pozicion të mesfushës dhe në të dy krahët e sulmit gjatë këtij edicioni.

Pedri ka luajtur në 22 nga 23 ndeshjet e Barcelonës deri më tani. Driblimi, vizioni dhe aftësitë e tij për të depërtuar në hapësira të ngushta e kanë bërë atë lojtarin ideal që Barcelona ka kërkuar që nga largimi i Andres Iniestas dhe Xavi Hernandezit. Goli i Pedrit nga një goditje me kokë ku barazoi rezultatin në 1:1 ndaj Bilbaos, ishte i tretë për të këtë sezon. Pedri është një nga pikat e pakta të ndritshme të Barcelonës. Klubi i pagoi Las Palmasit pesë milionë euro plus bonuset për Pedrin si lojtar premtues në shtator të vitit 2019. Trajneri Koeman qartë e favorizon atë më shumë se Philippe Coutinhon, i cili dëmtoi gjurin së fundit, dhe Antoine Griezmannin, pavarësisht kostos së tyre të transferimit prej 280 milionë eurosh. Pedri formon një pjesë të një lëvizjeje rinore në stadiumin “Camp Nou”, së bashku me Frenkie de Jongun (23), Ousmane Dembelen (23), Ronald Araujon (21), Oscar Minguezan (21), Francisco Trincaon (21) dhe Sergino Destin (20). Vetëm Ansu Fati është më i ri se Pedri. Sulmuesi 18-vjeçar, Fati, ka lënë shumë përshtypje që nga debutimi i tij sezonin e kaluar, por ai aktualisht është jashtë fushës për shkak të operimit të gjurit të majtë në muajin nëntor të vitit të shkuar.

Nëse talenti dhe mirëkuptimi i Pedrit me shokët e tij të skuadrës mund të jenë arsye për të qëndruar Messi, atëherë kjo do të jetë e mirëseardhur për të gjithë në klub. Por Barcelona është duke u përmirësuar dhe Koeman ka Pedrin që ta falënderojë që i dha shpresë se ekipi mund të konkurrojë për trofe këtë edicion.

Advertisement

“Unë nuk jam i befasuar që Pedri po luan në një nivel të shkëlqyeshëm krahasuar me pjesën tjetër të lojtarëve. Ai ka treguar se është i pjekur përtej viteve të tij dhe kjo është fantastike për klubin”, insistoi Koeman.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2020 Struga.info | Privacy policy