
Në prag të një ngjarjeje të veçantë për qytetin e Strugës, Mendi Qyra ka bërë një thirrje publike drejtuar të gjithë qytetarëve, rinisë, intelektualëve, punëtorëve dhe struganëve që jetojnë jashtë vendit, për t’u bashkuar në një mbrëmje festive kushtuar suksesit historik të FC Struga Trim & Lum.
“Të dashur dashamirës të sportit: rinistë, qytetarë të Strugës që punoni në botën e jashtme, intelektualë, punëtorë, adhurues të kulturës sonë,ejani nesër në ora 20:30 të festojmë së bashku rezultatet historike të krenarisë strugane, FC Struga Trim & Lum,” – shprehet Mendi Qyra në thirrjen e tij publike.
Ky organizim jubilar, siç thekson ai, është rezultat i një pune të gjatë, përkushtuese dhe vizionare – nga një ëndërr në realitet, nga një e pamundur në të mundur.
“Ejani të festojmë bashkë dhe të japim porosinë se sa i rëndësishëm është sporti, e sidomos kur krahas tij qëndron muzika, si pjesë e kulturës sonë. Të dyja përbëjnë një simbiozë të pandarë,” shton Qyra.
Ftesa është më shumë se një mbrëmje festive – është një manifestim qytetar, një moment për reflektim, bashkim dhe krenari kolektive për arritjet që i japin Strugës vendin që meriton në hartën sportive dhe kulturore të vendit.
“Ejani së bashku ta shijojmë këtë moment dhe për një çast të mendojmë për më të mirën e qytetit tonë,” përfundon ai.
(Struga Ekspres)