Kim Jong-un, gati për luftë digjitale

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Kim Jong-un, gati për luftë digjitale

Koreja e Veriut, shpesh ka ekspozuar arsenalin e saj të rrezikshëm ushtarak, duke u parë si një kërcënim i madh ndaj sigurisë dhe paqes në botë. Megjithatë, së fundmi, ky vend diktatorial po dëshmon se mund të jetë kërcënim edhe përmes sulmeve kibernetike. Kim Jong-il – babai i udhëheqësit aktual Kim Jong-un, një herë tha: “Nëse interneti është si një armë, sulmet kibernetike janë si bomba atomike”.

Djemtë në Korenë e Veriut janë akoma në shkollën fillore kur zgjidhen si elita e ardhshme luftëtare e vendit të tyre. Kjo të çon të mendosh se rekrutuesit, përzgjedhin kampionët sportivë apo më të përgatiturit fizikisht, por në fakt jo. Nxënësit më të mirë të klasës në matematikë dhe shkencë, ky është lloji i ri i ushtarit koreano-verior. Sapo identifikohen, menjëherë dërgohen në disa shkolla të përzgjedhura ku nis trajnimi i tyre në fushën e teknologjisë, dhe më pas dërgohen në universitete të specializuara apo në kolegje të fshehta ushtarake.

Koreja e Veriut ka qenë duke ndërtuar prej kohësh një ushtri të asaj që ajo i quan “ushtarë informacioni”, ku thuhet të jenë së paku 7000 anëtarë, hakera kompjuterikë, të përkushtuar jo vetëm në përhapjen e kaosit dhe konfuzionit tek armiqtë e regjimit brutal, por gjithashtu, edhe te vjedhjet dhe zhvatjet, për të shtuar miliarda dollarë në arkat e vendit të tyre. Duke përdorur pseudonime të tilla si Lazarus Group, Shadow Brokers dhe Hidden Cobra – hakerat koreanë po depërtojnë në gjithçka, nga stacionet televizive ndërkombëtare dhe studiot e Hollywood-it, deri te bankat dhe spitalet, duke ngrirë sistemet kompjuterike dhe duke vjedhur sekretet e tyre.

Në një kohë kur hakerat po arrijnë të sulmojnë furnizimin me energji elektrike të një vendi apo karburantet, politikanët dhe ekspertët e sigurisë paralajmërojnë vazhdimisht për rreziqet e sulmeve kibernetike. Tashmë bota moderne po kalon nga luftërat midis forcave të armatosura, në ato digjitale. Ajo që i bën “operacionet” kibernetike të Koresë së Veriut unike nga qeveritë e tjera që sponsorizojnë piraterinë e paligjshme, duke përfshirë Moskën dhe Pekinin, është se Koreja nuk e bën atë kryesisht për arsye politike ose të inteligjencës, por për para, vjedhje të bankave etj.

Advertisement

John Demers, ndihmësprokuror i përgjithshëm në Departamentin e Drejtësisë të SHBA, thotë se hakerat e Koresë së Veriut janë bërë grabitësit kryesorë të bankave në botë. Një raport i Kombeve të Bashkuara për vitin 2019 vlerësoi se Koreja e Veriut ishte në gjendje të shpenzonte të paktën 2 miliardë dollarë nga të ardhurat e krimit në internet për armët.

Muajin e kaluar, një tjetër raport theksonte se hakerat e Koresë së Veriut tani po shtrijnë aktivitetet e tyre për të bërë para duke vjedhur edhe sekrete ushtarake, të cilat më pas mund t’i shesin. Por ky nuk është një kërcënim i ri. Koreja e Jugut ka paralajmëruar prej kohësh që fqinji i saj verior militarist dhe agresiv po ndërton një ushtri kibernetike, që shumë shpejt mund të kërcënojnë seriozisht sigurinë botërore.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy