A do të zgjidhte ndonjë gjë një grusht shteti në Rusi?

Pinterest LinkedIn Tumblr +
A do të zgjidhte ndonjë gjë një grusht shteti në Rusi?

Nga John R.Deni “Wall Stret Journal”

Disa analistë perëndimorë shpresojnë se presidenti rus Vladimir Putin do të rrëzohet nga pushteti përmes një grushti shteti. Por ndërsa gjasat për një ngjarje të tillë janë të diskutueshme, një gjë është e sigurt:nëse Putin do të largohet nëpërmjet një puçi, cilido

që do ta zëvendësojë atë, do të përballet me të njëjtët stimuj por edhe elementë dekurajues në politikën e brendshme.

Dhe kjo ka të ngjarë ta çojë në vijimësi qasjen konfrontuese të Rusisë përkundrejt Perëndimit. Shkenca politike dhe historia na tregojnë shumëçka mbi mënyrën se si nisin, vijojnë dhe përfundojnë regjimet autoritare.

Advertisement

Në rastin e regjimeve autokratike tejet të personalizuara siç është sot Rusia e Vladimir Putin, sundimtarët shpesh luftojnë deri në fund për të mbetur në pushet, dhe regjimi që pason zakonisht nuk është demokratik.

Për më tepër, një regjim i ri rus pas Putinit do të sundonte të njëjtin vend, më i madhi në botë deri tani në aspektin gjeografik, dhe me kufij relativisht të pambrojtur dhe shumë të përshkueshëm.

E pozicionuar në udhëkryqin e Euroazisë, kufijtë e Rusisë kanë qenë ndër shekujsh objekt rivalitetesh dhe konfliktesh me fqinjët në perëndim, lindje dhe jug. Sipas një studimi, që nga viti 1800 Rusia ka përjetuar mesatarisht një herë në 33 vjet një pushtim nga një vend që ndodhet tej kufijve të saj perëndimorë.

Rezultati ka qenë një ndjenjë pothuajse e përhershme dobësie dhe pasigurie brenda Rusisë. Ajo ka nxitur një mjedis politik të brendshëm, në të cilin ata që ndjekin qasjen e konfrontimit dhe kundërshtimit në politikën e jashtme – qofshin Carët, kryetarët e Byrosë Politike apo presidentët – priren që të arrijnë një sukses politik më të madh, sesa ata që favorizojnë bashkëpunimin dhe integrimin.

Advertisement

Në vitin 1993, kur Rusia kishte një nevojë emergjence për ndihmë ekonomike nga jashtë, presidenti rus Boris Jelcin e paralajmëroi presidentin e Shteteve të Bashkuara Bill Klinton që të mos i jepte shumë ndihma, pasi opozita politike konservatore e brendshme e Jelcinit, mund të pretendonte se Rusia i ishte nënshtruar plotësisht SHBA-së.

Njëkohësisht, qeveria e Jelcinit ishte e detyruar që të distancohej nga e ashtuquajtura “qasje perëndimore në politikën e jashtme”, dhe të zhvendosej drejt një nacionalizmi shumë agresiv, për të zbehur peshën e kritikëve konservatorë në vend.

Presidenti aktual i Rusisë, Vladimir Putin e ka përmendur zgjerimin e Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut si një kërcënim për sigurinë ruse, edhe pse ky zgjerim u shoqërua me një paqëtim të paprecedentë të Evropës.

Ndërsa NATO u zgjerua, shpenzimet e saj për mbrojtjen, nivelet e trupave dhe aftësitë ushtarake ranë në të gjitha vendet anëtare. Nga fundi i Luftës së Ftohtë dhe deri në vitin 2014, kur Rusia e pushtoi për herë të parë Ukrainën, numri i trupave amerikane në Evropë ra përafërsisht nga 300.000 në vetëm 61.000.

Advertisement

Trupat kanadeze dhe britanike, ishin larguan plotësisht nga kontinenti, Gjermania i dha fund rekrutimit ushtarak, dhe e shkurtoi me 2/3 madhësinë e ushtrisë së saj. Shpenzimet në sektorin e mbrojtjes ranë në mënyrë të vazhdueshme në të gjithë Evropën.

Kjo dobësi shkaktoi panik në korridoret e NATO-s kur Rusia aneksoi gadishullin e Krimesë në vitin 2014. Megjithatë për të ndërtuar dhe konsoliduar autoritetin politik dhe popullaritetin në Rusi, Putin e demonizoi Perëndimin, dhe e portretizoi zgjerimin e NATO-s si një rrezik për vendin e tij.

Pra, edhe pse një grusht shteti në Moskë, mund t’i jepte fund luftës katastrofike të Rusisë në Ukrainë, një sundimtar apo një regjim i ri do të përballej me të njëjtët stimuj politikë të brendshëm, dhe ka të ngjarë të përfundonte duke u sjellë në mënyra të ngjashme me udhëheqësin aktual.

Shënim: John R.Deni është profesor në Institutin e Studimeve Strategjike në Kolegjin e Luftës së Ushtrisë Amerikane, dhe autor i librit “NATO dhe Neni 5:Aleanca Transatlantike dhe sfidat e shekullit XXI mbi mbrojtjen kolektive”./ Përktheu: CNA.al

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy