Analiza e Telegraph për sulmin e Izraelit ndaj Iranit: Netanyahu bëri atë që bota e paralajmëroi të mos bënte

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Analiza e Telegraph për sulmin e Izraelit ndaj Iranit: Netanyahu bëri atë që bota e paralajmëroi të mos bënte

Sulmi i Izraelit ndaj Iranit në orët e para të së premtes ishte diçka që pritej nga vëzhguesit perëndimorë. Por sulmet izraelite po shkaktojnë shqetësim të madh në Uashington dhe Londër pasi një kundëpërgjigje e tille ndaj Iranit afron rajonin më afër luftës së gjithanshme, thuhet në një analizë të The Telegraph.

“Pas sulmit iranian ndaj Izraelit më 13 prill, i cili ishte një përgjigje ndaj sulmit izraelit në konsullatën iraniane, Tel Avivi e bëri të qartë se do të përgjigjet gjithashtu. Po atë natë, Joe Biden i tha Benjamin Netanyahun që të mos hakmerrej menjëherë, duke e paralajmëruar atë se Amerika nuk do të mbështeste apo merrte pjesë në asnjë sulm ndaj Iranit.

Presidenti amerikan thuhet se e këshilloi liderin izraelit që ta shihte incidentin si një fitore të madhe për vendin e tij përmes mbrojtjeve ajrore efektive, të cilat kufizuan ndikimin e sulmeve iraniane në një aeroplan të rrëzuar dhe dëme materiale në një pistë.

Megjithatë, kjo këshillë nuk u dëgjua nga të gjithë bashkëpunëtorët e zotit Netanyahu. Këshilli i luftës i Izraelit që atëherë ka qenë i bllokuar në negociata mbi kohën, madhësinë dhe vendndodhjen e një reagimi ushtarak. Për disa në qeverinë izraelite, rreziku i një lufte gjithëpërfshirëse me Iranin ishte shumë i madh. “Tehrani është zotuar të hakmerret në të njëjtën mënyrë nëse ndonjë sulm kryhet në tokën e tij, duke i zhytur të dy vendet në një cikël hakmarrjeje që do të përshkallëzonte situatën jashtë kontrollit të secilit shtet ,” shkruhet në artikullin e The Telegraph.

Advertisement

Por “për “skifterët” izraelitë, provokimi i një sulmi të drejtpërdrejtë me raketa dhe dronë në tokën e tyre, pas muajsh mbështetjeje iraniane ndaj grupeve islamiste, ishte pika e fundit. Netanyahu tani ka bërë atë që Biden, liderët e tjerë të G7 dhe OKB-ja e paralajmëruan atë të mos bënte. Ai provokoi një fuqi rajonale armiqësore dhe të paparashikueshme me aftësi të pasigurta bërthamore.

Për vite me radhë, Irani dhe Izraeli kanë qenë në një gjendje lufte të ftohtë, të nxitur nga mbështetja e Teheranit për armiqtë e Izraelit pranë kufijve të tij. Por ngjarjet që ndodhën në orët e para të mëngjesit të së premtes e bëjnë luftën e hapur mes dy vendeve një mundësi realiste për herë të parë”, theksohet ndër të tjera në analizë.

“Ndryshe nga konfliktet e tjera të fundit në Lindjen e Mesme , një luftë midis Iranit dhe Izraelit do të sillte dy nga superfuqitë e rajonit në konflikt të drejtpërdrejtë. Ekziston gjithashtu shqetësim për marrëdhëniet e vazhdueshme midis Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara, të cilat janë gjithnjë e më kritike ndaj strategjisë së Netanyahut në Gaza dhe gatishmërisë së tij për të sulmuar Teheranin. Deri më tani, rëndësia e marrëdhënieve të Izraelit me SHBA-në e ka penguar Netanyahun të bëjë atë që ndoshta i thonë instinktet e tij, që është të luftojë sa më fort kundër Iranit dhe përfaqësuesve të tij në rajon.

Rreziku për paqen në të gjithë Lindjen e Mesme është tani më i madh se kurrë. Në Uashington, si në Tel Aviv, liderët tani presin me ankth të shohin se çfarë do të bëjë Irani më pas ”, përfundon analiza e gazetës./vizionplus.tv/

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy