Basti i Joe Biden me historinë

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Basti i Joe Biden me historinë

Nga John Kenneth White “The Hill

Njëmbëdhjetë muaj pas fillimit të presidencës së Joe Biden, votuesit amerikanë janë prekur në masë nga dukuria e “pendesës së blerësit”. Vlerësimi i publikut mbi punën e Biden është 41 për qind, me 6 në 10 të anketuar që thonë se ai ka arritur “pak” ose “asgjë”.

Rritja e rasteve me koronavirusit gjatë verës, tërheqja e rrëmujshme e SHBA-së nga Afganistani, një fluks i madh emigrantësh ilegalë në kufirin jugor, vështirësia që ka hasur Partia Demokratike në miratimin në Kongres dhe Senat të programeve të saj për rindërtimin e infrastrukturës dhe programet sociale të “Build Back Better”, rritja e çmimeve të karburantit dhe shkalla më e lartë e inflacionit në 30 vitet e fundit, e kanë zbehur jo pak imazhin e Shtëpisë së Bardhë në sytë e amerikanëve.

Me afrimin e zgjedhjeve të mesit të mandatit në vitin 2022, republikanët gëzojnë një epërsi prej 10 për qind në zgjedhjet për Kongresin, avantazhi më i madh i GOP që kur Washington Post dhe ABC News filluan të kryenin sondazhe të tilla në vitin 1981.

Advertisement

Ekspertët bien dakord se kontrolli i vazhdueshëm i Kongresit nga demokratët është shumë domethënës. Sikurse e pranoi Bill Clinton në vitin 1994, gjatë një periudhe të ngjashme të presidencës së tij “Ne nuk e kemi marrë ende ritmin e duhur”.

Biden ka vënë një bast të madh që rezonon me moton dikur të famshme “Është ekonomia, budalla!”. Projekti i tij gjigant infrastrukturor prej 1 trilion dollarësh, i kombinuar me programin “Build Back Better”, premton të krijojë 1.5 milion vende të reja pune gjatë 10 viteve të ardhshme.

Në ceremoninë e nënshkrimit të këtij projekti në Shtëpinë e Bardhë, Biden tha:”Unë besoj se pas 50 vjetësh, historianët do të kthejnë kokën pas në këtë moment dhe do të thonë:Ai ishte momenti kur Amerika filloi që ta fitojë garën e shekullit XXI-të!”.

Basti i Joe Bidenit është që deri në vitin 2024, amerikanët të shohin provat e realizimit të profecisë, ndërsa do të riparohen rrugët, urat, hekurudhat dhe aeroportet, do të hiqen tubat prej plumbi në sistemin e ujësjellësve; dhe komunitetet rurale në zonat më të largëta rurale do të kenë qasje tek interneti me valë të gjera.

Advertisement

Biden ka vënë një tjetër bast të madh me projektin e tij mbi burimet njerëzore. Ligjet e miratuara së fundmi nga Kongresi përfshijnë financimin universal parashkollor për fëmijët 3-4 vjeçarë, dhe zgjat me 1 vit përjashtimin nga taksat për ata që kujdesen për fëmijët e vegjël.

Po ashtu ai përfshin një program pushimi familjar 4-javor me pagesë; përmban dispozita për kujdesin shëndetësor në shtëpi për të moshuarit dhe ata me aftësi të kufizuara; zgjeron subvencionet e sistemit “ObamaCare”, dhe lejon “Medicare” që të negociojë çmimet e barnave me recetë.

Gjithashtu ai përmban disa masa mbrojtëse për mjedisin, si dhe financime që adresojnë problemet e ndryshimeve klimatike; dhe i kufizon shpenzimet për çerdhen në jo më shumë se 7 për qind të të ardhurave të një familjeje, mes shumë të mirave të tjera. Të gjitha këto masa janë shumë popullore.

Sipas një sondazhi, 63 për qind e të rriturve amerikanë, e mbështesin projektin infrastrukturor të Biden, dhe 58 për qind mbështesin shpenzimin e 2 trilion dollarëve për të adresuar ndryshimet klimatike, dhe për të zgjeruar programet sociale parashkollore, shëndetësore etj.

Advertisement

Ndërsa disa dispozita në projekt-ligjin “Ndërto sërish më mirë”, do të skadojnë gjatë viteve të ardhshme në rast se nuk rinovohen nga Kongresi, Biden po vë bast se ato do të jenë aq popullore, saqë edhe një Kongres i kontrolluar nga republikanët nuk do të guxonte që t’i shfuqizonte.

Basti i Joe Biden është i ngjashëm me një tjetër bast historik të bërë dikur nga Ronald Reagan. Edhe në vitin 1982, shumë votues nisën të pendohen për zgjedhjen që kishin bërë. Vlerësimi për Reagan ishte vetëm 43 për qind pas vetëm 1 viti në detyrë. 56 për qind e amerikanëve nuk e miratonin punën e tij në fushën ekonomike, dhe 70 për qind thoshin se ai kishte dështuar në trajtimin e problemit të papunësisë. Deri në ditën e zgjedhjeve të atij viti, papunësia arriti në 10.8 për qind, dhe shumë votues dyshonin nëse ‘Reaganomics’ (recetat ekonomike të Reagan) do të funksiononin ndonjëherë.

Ndërsa Reagan vuri bast se shkurtimet e taksave dhe buxhetit, ishin receta e duhur ekonomike, republikanët e kuptuan se “ilaçi” i dr.Reagan bartte shumë rreziqe. Demokratët e sulmuan Reagan gjatë asaj zgjedhjeve të mesit të mandatit me sloganin “Nuk është e drejtë; është republikane”.

Në vitin 1982, Reagan humbi shumicën e mbështetjes së republikanëve dhe demokratëve konservatorë të jugut të SHBA-së. Kryetari i Kongresit, demokrati Tip O’Neill e rifitoi kontrollin e asaj falë shtimit të 26 vendeve të tjera të partisë së tij.

Advertisement

Deri në fund të atij viti, Reagan ishte aq jopopullor sa që 47 për qind e amerikanëve, thoshin se do të mbështesnin Walter Mondale për president në vitin 1984. Vetëm 41 për qind e mbështesnin Reagan. Duke marrë parasysh pozitën e tij të dobët publike, Reagan bëri shaka me sondazhistin e tij Richard Wirthlin, se ai mund të qëllohej sërish. (Pas atentatit të vitit 1981, popullariteti i Reagan u rrit në 67 për qind).

Por në vitin 1984, mbështetja ndaj Reagan u rrit sërish. Përgjatë gjithë atij viti, ranë normat e papunësisë dhe inflacionit, ndërsa ekonomia u rigjallërua. Në ditën e zgjedhjeve, Reagan fitoi 49 nga 50 shtetet, dhe 59 për qind të votave popullore. Dominimi i tij ishte i atillë saqë historiani Sean Wilentz vuri në dukje se vitet 1980 shënuan fillimin e “epokës Reagan”. Dikush mund të argumentojë se deri në shfaqjen e pandemisë së Covid-19, amerikanët kanë jetuar vazhdimisht nën hijen e Ronald Reagan. Basti i Joe Biden, është se deri në vitin 2024 inflacioni do të jetë ulur, të ardhurat e shtresës së mesme do të jenë më të larta, dhe do të ketë një bollëk të vendeve të punës.

Ky është një bast i madh që mbështetet, të paktën pjesërisht, në maksimën e James Carville mbi prioritetin që ka ekonomia, mbi çdo lloj ndikimi që mund të kenë tek votuesit luftërat kulturore. Ashtu si Ronald Reagan, edhe Joe Biden synon lart, dhe rekordi i tij legjislativ është historik dhe thelbësor. Por ashtu si me Reagan, zgjedhjet e mesit të mandatit nuk janë shpagimi përfundimtar. Në vend të kësaj, basti i Joe Biden do të vërtetohet në vitin 2024. Deri atëherë, të gjitha bastet janë pezull.

Shënim:John Kenneth White, është profesor i politikës në Universitetin Katolik. Libri i tij i fundit titullohet “Çfarë ndodhi me Partinë Republikane?”(Alket Goce-abcnews.al)

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy