E bëtë pis teatrin

Pinterest LinkedIn Tumblr +
E bëtë pis teatrin

Nga Artur Ajazi

Sinqerisht, do të doja ta besoja se protesta e të hënës pasdite e “Aleancës për mbrojtjen e Teatrit” do të ishte e pastër, e drejtë, e palidhur me segmente të ndryshkura të politikës, e mbështetur mbi kërkesa profesionistësh, por isha gabuar. Isha gabuar, sepse ajo protestë e bëri edhe më “pis” teatrin e shembur, sepse ajo protestë kishte në krye të saj PD-LSI dhe jo të paanshmit, sepse ajo protestë kishte në krye të saj Lulzimin dhe Monikën, dhe jo Budinët dhe Liçajt. Sa keq, sa gjynah, që punën dhe mundin e 2 viteve, apo dhe “lotët” e një nate vere për shembjen e teatrit, i kishit me dirigjim nga SHQUP-i.

Pse e bëtë pis teatrin, pse e përzjetë me SHQUP-in, me Monikën, me Ilirin, me Fatmirin, me Dashin dhe dreqin dhe të birin. Nuk kishit besim tek forca juaj, nuk kishit aftësi të merrnit vendime dhe të dialogonit si profesionistë me institucionet ligjore, atëhere përse u hodhët në prehërin e politikës. Ju, budinët, liçajt, malkajt, ju “aktorët” e dhimbsur që dilni pas “pilafit” dhe kërkoni ndihmën e ndërkombëtarëve, përse e bëtë pis, dhe e ndotët edhe më shumë teatrin? Ai, nuk ishte dhe nuk do të jetë kurrë i politikës, por ju e keni ngrënë “lugën e çorbës së prishur” në SHQUP dhe LSI, dhe tani natyrisht nuk ju mbetet gjë tjetër, veçse ti ftoni “dollobashët” Lulzim dhe Monika në çdo ziafet. E bëtë pis, teatrin dhe kjo u bë e qartë, sapo Lulzimi dhe Monika ishin në “krye të sofrës”, në qendër të vëmëndjes së televizioneve dhe mediave, “syri” i cilave ishte fokusuar edhe kur flisnin budinat, vetëm tek kreu i SHQUP-it. Sa keq, e bëtë pis edhe atë ndjenjë, apo edhe atë pak respekt që ndoshta kishin disa njerës për ju, edhe atë pak konsideratë për profesionin tuaj, pasi tek ju panë dhe dëgjuan , tu përgjëroheshit Lulzimit dhe Monikës, tek dëgjuan se kishit varur shpresat tek “dora” e tyre, atëhere kauzës tuaj i doli kallai.

Por edhe më keq, akoma, kur shqiptarët panë dhe dëgjuan se nën emrin tuaj, nën emrin e “Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit”, doli në protestë dhe deklaroi “luftën ndaj qeverisë” edhe Doktori. Pse e bëtë pis teatrin, përse e njollosët “kauzën” tuaj me vasalitet qesharak, aq sa nuk ishit të denjë të organizonit dhe drejtonit, një protestë qytetare. Pas asaj, që të gjithë shqiptarët panë dhe dëgjuan, pas asaj “proteste qytetare” që vetëm teatrin nuk kishte qëllim ta mbronte, jam i bindur se misioni juaj u mbyll.

Advertisement

Shumë keq, shumë trishtim, tek pashë dhe dëgjova, se si mbrojtësit e teatrit, ata që ngrinin zërin dhe ulurisnin me të madhe se “po preket trashëgimia kulturore” ishin hedhur plotësisht në prehërin e politikës. Natyrisht, pas asaj proteste, dhe pas njoftimeve të Lulzimit dhe Monikës para kamerave se “protesta jonë do të vazhdojë deri në largimin e Ramës”, nuk u mbetet gjë tjetër as “mbrojtësve të teatrit”, të struken në SHQUP, dhe të presin deri nga dekada tjetër “rrëzimin” e Ramës. Kjo ishte “shoqëria civile”, që si celulë guerrilase, deri tani hiqej sikur ishte “evliha” e palidhur me partitë, por që fatin e saj e paskësh lidhur jo me teatrin, por me Lulzimin dhe Monikën.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy