Ekspertët amerikanë të sigurisë: Irani e sulmoi Shqipërinë si hakmarrje për strehimin e muxhahedinëve të MEK-ut

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Ekspertët amerikanë të sigurisë: Irani e sulmoi Shqipërinë si hakmarrje për strehimin e muxhahedinëve të MEK-ut

Sulmi kibernetik i Iranit ndaj Shqipërisë nuk është aspak befasi, vlerësojnë ekspertët e intervistuar nga Zëri i Amerikës dhe ka të bëjë me faktin që Shqipëria ka strehuar grupin disident iranian MEK.

John Holtquist, ekspert i ruajtjes të të dhënave nga kompania “Mondiant”, thotë se informacioni i konfirmuar sot nga kryeministri shqiptar, Edi Rama është ditur që nga muaji gusht, kur kompania për të cilën ai punon publikoi një raport që fajësonte Iranin.

Advertisement

“Në fillim të gushtit kemi nxjerrë një raport ku themi se Irani qëndronte pas sulmit ndaj Shqipërisë. Në atë kohë askush nuk e dinte se kush e bëri sulmin, ndërsa Irani ndërmori masa që sulmi të dukej sikur ishte kryer nga një grup “hakerësh” e jo nga shteti iranian” tha për Zërin e Amerikës John Holtquist nga “Mondiant”.

Sulmi kibernetik u nis më 15 korrik, ndërsa tre ditë më pas qeveria shqiptare njoftoi se për shkak të sulmit “janë mbyllur përkohësisht qasjet tek shërbimet publike që ofrohen përmes internetit dhe tek shërbimet tjera të qeverisë”.

Advertisement

Më 22 korrik, në ekranet e kompjuterave, që tani ishte bllokuar nga sulmi kibernetik, u paraqit ky mesazh:“Pse duhet të shpenzohen taksat tona në dobi të terroristëve të DURRËSIT?” duke lënë të kuptohet se rasti kishte të bënte me strehimin në Shqipëri të mijëra pjesëtarëve të grupit muxhahid iranian “MEK” (Mujahedeen-e-Khalq).

Disidentët iranianë ndodhen të strehuar në qytezën Manëz, në qarkun e Durrësit.

Advertisement

Më 23 dhe 24 korrik aty ishte planifikuar të mbahej konferenca “Samiti Botëror i Iranit të Lirë” ku pritej të merrnin pjesë kundërshtarët e udhëheqjes së Republikës Islamike të Iranit. Samiti megjithatë nuk u mbajt për shkak të një “kërcënimi të një sulmi terrorist”.

Amir Rashidi nga organizata “Miaan” ekspertiza e të cilit përfshin edhe sulmet kibernetike të Iranit, thotë se Irani në fakt u hakmorr ndaj sulmeve kibernetike që më parë u kryen ndaj Iranit dhe për të cilat përgjegjësinë jo zyrtarisht e morrën muxhahedinët e MEK-ut.

Advertisement

“Ka pasur sulme ndaj pompave të gazit, industrisë së çelikut të Iranit në të kaluarën, sulme këto që jo vetëm e dëmtuan sektorin financiar të atyre industrive, por edhe reputacionin e Iranit. Nuk më befasoi fare që Irani deshi të përgjigjet ndaj këtyre sulmeve kibernetike. Shumicën e kohës anëtarët e MEK-ut, jo zyrtarisht, kanë marrë përgjegjësinë” tha në intervistën për Zërin e Amerikës, zoti Rashidi.

Ai shtoi se duke i strehuar disidentët e MEK-ut, Shqipëria po u ofron përkrahje njerëzve që e kanë sulmuar Iranin.

Advertisement

“Kryeministri shqiptar tha se sulmi iranian tentonte të vidhte informacione dhe të shkaktonte dëme në infrastrukturë. Vjedhja e informacionit ndoshta ka të bëjë me përpjekjet e Iranit që të gjejë identitetin e anëtarëve të MEK-ut ndërsa sulmet ndaj infrastrukturës kanë të bëjnë me një lloj përgjigje iraniane ndaj Shqipërisë”

Eksperti amerikan, John Holtquist nga kompania “Mandiant” e vlerëson si “shumë të fuqishëm” reagimin e qeverisë shqiptare për ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Teheranin.

Advertisement

“Ne kemi bërë shumë gjëra në këtë hapësirë që t’iu kundërvihemi vendeve si Irani, apo Rusia dhe shumë nga këto veprime nuk kanë pasur rezultat. Ne jemi në një vit zgjedhor në SHBA dhe presim që Irani dhe Rusia të veprojnë siç kanë vepruar më parë. Nuk besoj se do të ndalojnë me këto veprime. Ndoshta një veprim i tillë kaq i fuqishëm(i qeverisë shqiptare), siç bëri Shqipëria, ndoshta i nxit ata t’i ri-mendojnë veprimet e tyre” tha zoti Holtquist.

Eksperti tjetër i sigurisë kibernetike me grupin “Miaan”, Amir Rashidi, nuk beson që vendimi i sotëm i qeverisë shqiptare do e ndalojë Iranin të bëjë sulme të tilla në të ardhmen.

Advertisement

“Shqipëria nuk është një vend që Irani e sheh si një shtet me të cilin ka nevojë të ketë komunikim me ta, nuk është një shtet si Franca, apo Britania. Pra Irani nuk do t’ia dijë për pasojat dhe nuk besoj se këto sulme do të ndalojnë”.

Ndërsa zoti Holtquist thotë se vendet e vogla anëtare të NATO-s, duket se janë vënë në shënjestër të sulmeve kibernetike kohët e fundit.

“Ka pasur dy sulme deri tani, që janë bërë ndaj vendeve të vogla të NATO-s. Ishte sulmi ndaj Malit të Zi, ndonëse ai nuk duket se është bërë nga Irani, por kjo tregon se këto vende të vogla ndeshen me sfida për të përballuar këtë sulme”.

Advertisement

Sipas zotit Holtquist “duhet kuptuar se kjo luftë nuk bëhet vetëm” dhe se në këtë përballje “Shtetet e Bashkuara mund të ndihmojnë shumë” duke përfshirë sektorin privat dhe industrinë e sigurisë kibernetike./voa

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2022 Struga.info | Privacy policy