FOTOT: “Duhet të jemi më të shpejtë se rusët që na gjurmojnë!” Misioni i rrezikshëm i punonjësve të hekurudhës në Ukrainë

Pinterest LinkedIn Tumblr +
FOTOT: “Duhet të jemi më të shpejtë se rusët që na gjurmojnë!” Misioni i rrezikshëm i punonjësve të hekurudhës në Ukrainë

“Ne duhet të jemi më të shpejtë se njerëzit që përpiqen të na gjurmojnë. Planet e udhëtimit ndryshojnë vazhdimisht. Asnjëherë nuk duhet të qëndrojmë shumë gjatë në një vend. Gjithashtu, nuk duhet të kemi të njëjtën rutinë pasi mund të na zbulojnë rusët. Ata godasin pistën tonë çdo ditë, godasin stacionet. Punonjësit tanë rrezikojnë jetën e tyre, duke kaluar nën granatime, por gjithsesi vazhdojnë të shpëtojnë njerëz.” Kështu ka deklaruar Oleksandr Kamyshin, Kryetar i Rrjetit Hekurudhor në Ukrainë.

I shtrirë në 603 470 km katrorë, rrjeti hekurudhor në Ukrainë është i dyti në Evropë për nga sipërfaqja, si dhe sektori kryesor i punësimit në vend, me rreth 231 000 punonjës. Deri më tani, Oleksandr Kamyshin thotë se stafi i tij ka ndihmuar në transferimin e 2.5 milionë njerëzve në zona të sigurta.

Megjithatë, i gjithë ky operacion, ka pasur kostot e veta të larta. Oraret e nisjes së trenave duhet të përditësohen vazhdimisht për shkak të sulmeve ruse dhe stafi duhet të jetë shumë i kujdesshëm gjatë kësaj detyre, që tashmë po shndërrohet në një mision shpëtimi. Fatkeqësisht, që nga fillimi i pushtimit të Vladimir Putin, 33 punonjës të hekurudhave janë vrarë.

Planifikime të hollësishme

Advertisement

Për BBC, Oleksandr Kamyshin përshkruan procesin se si planifikohen lëvizjet dhe oraret për të transportuar njerëzit. I ulur në një tryezë, së bashku me këshilltarët e tij të ngushtë, Kamyshin studion hartën kombëtare të rrjetit hekurudhor, teksa policia ruan hyrjen e dhomës, ku ndodhet stafi. Telefonatat janë të vazhdueshme. “Faleminderit për mbështetjen tuaj. Por kam edhe një kërkesë”, i thotë Kamyshin një telefonuesi. “Ju lutemi na ndihmoni të forcojmë tregtinë midis Ukrainës dhe Polonisë”. Ai e mbyll telefonin dhe buzëqesh: “Ishte ministri polak për infrastrukturën”. Kamyshin dëshiron të krijojë një sipërmarrje të përbashkët me Poloninë, për të dërguar eksportet e Ukrainës në perëndim.

Një ish-kontabilist dhe biznesmen, Oleksandr Kamyshin tani është një nga njerëzit më të rëndësishëm në vend. Në pak javë, ai ka kaluar nga reformimi i sektorit hekurudhor në një drejtor operacioni të kohës së luftës. “Të gjithë njerëzit në Ukrainë sigurisht që kishin një profesion. Biznesmenë, fermerë, mësues etj. Tani të gjithë njerëzit në Ukrainë janë në luftë”, thotë ai.

Sistemi hekurudhor jo vetëm që po ndihmon në shpërnguljen e popullatës, por gjithashtu po dërgon tonelata me ndihma në frontet e luftës, si dhe po vazhdon të eksportojë çdo gjë që Ukraina mund të prodhojë në këto kushte lufte.

Kamyshin po planifikon një fushatë të gjatë. “Në vend të porteve në jug që tashmë janë bllokuar dhe bombarduar nga rusët, ne po përpiqemi të shkojmë në perëndim. Kemi nisur një program për të zhvendosur prodhimin në perëndim. Pra, deri më tani ne kemi mundësi të transportojmë njerëz, ndihma, mallra dhe shumë shpejt shpresojmë që edhe makineri për të nisur një prodhim të ri në perëndim.” Është një projekt ambicioz dhe mund të jetë thelbësor për mbijetesën ekonomike të vendit. Megjithatë, Kamyshin beson se Perëndimi duhet të bëjë më shumë sesa të ofrojë armë dhe ndihma humanitare.

Advertisement

Këto kohë lufte, të gjithë punonjësit e hekurudhave e dinë se roli i tyre është ndër më të rëndësishmit dhe nuk e çojnë nëpër mend të ndalojnë punën, pavarësisht rrezikut të madh.

“Ne do të vazhdojmë të riparojmë shinat sapo të pushojnë të shtënat, do t’i mbajmë trenat në lëvizje për aq kohë sa të mundemi. Nuk ka alternativë tjetër për ne.”

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy