Kadareja është Tempull, çamçakëzat nën Robertin e Shenjtë shkelen ngaherë

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Kadareja është Tempull, çamçakëzat nën Robertin e Shenjtë shkelen ngaherë

Nga Lorenc Vangjeli

Ka ca pak njerëz në këtë botë që mund të mos i kesh takuar kurrë, por ata ndihen të afërt. Të afërt si me njerëzit që të lidh pema e gjakut. Ka ca më pak njerëz në këtë botë që ndihesh i detyruar dhe i malluar t’u shtrish dorën apo t’i përshendetësh përunjësisht me dorë në zemër, edhe nëse nuk ua ke shtrënguar kurrë dorën. Njohjet reciproke nuk kalojnë gjithmonë përmes frymës në të njëjtin ajër dhe takimit në të njëjtën hapësirë. Ka ca edhe më pak njerëz që janë që në ngjallje statuja të shenjta tempulli. Madje, shumë më pak se kaq, ka një grusht njerëzisht tmerrësisht të rrallë që janë vetë tempulli EshtërMermer.

Janë një lloj feje admirimi, mirënjohjeje, respekti e dashurie njerëzore, të cilat kur u blatohen nën këmbë, paradoksalisht bëjnë më të pasur jo atë që i merr, por atë që i jep! Robert Ndrenika është vënë në qendër të vëmendjes në dramën e fundit tiranase që po luhet jashtë mureve të Teatrit.

Të gjitha palët, këtej apo andej vijës së kuqe, me qëndrime të ndara me thikë nga njëra-tjetra dhe me thikë në dhëmbë përballë njëra-tjetrës, i përmendin emrin, herë me admirim, herë me urrejtje. Me të vetmin qëllim: e drejta për atë që po ndodh me Teatrin Kombëtar do të jetë andej nga është Robert Ndrenika. Madje, edhe tipat që janë ripërtypur dhe i janë ngjitur debatit publik si Çamçakëzi i famshëm i njërit prej filmave të Robertit, me më pak vlerë se çamçakëzat e përdorur, ndihen të detyruar ta përfshijnë atë në debat, duke i thurur lëvdata të rreme ose i kërrejnë mallkime ligësie.

Advertisement

Shumë më pak se me aktorin e madh, të tjerë portrete nga zulma e madhe e turmës ju sulën edhe shqiptarit më të madh të gjallë, tempullit tjetër të letrave, Ismail Kadaresë. Ju gërmushën, ju gafurrën dhe e gërvishtën me gërvima groteske gjithë gërmëre për heshtjen e tij. Nuk u shtynë më tej, sepse e ndien të fortë vijën e kuqe. Ndoshta nga shtysa e arsyes së çastit të fundit, kuptuan se të mbrosh nga fadromat atë që e quan tempull dhe është ndërtuar me llaç, emocion e kujtesë dhe të sulmosh njerëzit, minimumi është shartesa e palavdishme e marrëzisë me ligësinë. Shartesë e cila prodhon betonin e bunkerëve të maskarenjve të shumtë e të padobishëm të Tiranës. Zoti nuk rri në mure! Madje Ai nuk gjendet as në muret e shtëpisë së tij! Të betohesh për gurin dhe të tentosh të vrasësh Zotin, është blasfemi.

Sekush është në të drejtën e tij të besojë se meriton t’i këndohet këngë si ai personazhi i famshëm i Shkrimtarit që donte këngë për veten. Gjithkush është në të drejtën e tij ta quajë veten kështjellë të qëndresës kundër diktaturës që iku, kësaj që iu duket se kemi dhe atyre mendojnë se do të sjellin tiranët në Tiranë. Askujt nuk mund t’i mohohet e drejta të bindet se është i aftë të jetë shumë më qesharak se nënprefekti që kërkonte oksident e merrte falas lule në Lushnjën plot mushkonja orienti. Gjithkush mund të thotë se është mbi ta, por askush nuk ka të drejtë t’i fyejë ata. Mund t’i kundërshtojë e konkurrojë, por jo t’i poshtërojë.

Dje kanë pasur ata nevojë për publikun, sot ka nevojë publiku për ta. Ismail Kadare, Robert Ndrenika e ca shumë pak të tjerë në Tiranë nga një anë dhe admirimi i publikut për ta, në anën tjetër, dje dhe sot kanë krijuar një marrëdhënie të ngushtë me njëri-tjetrin si kambana me tingullin. Ismail Kadare, Robert Ndrenika e të tjera simbole si ta në këtë vend të varfër, më mirë të heshtin për përditshmërinë kaotike të zilkave që tunden poshtë e përpjetë, sepse, nëse do të vendosnin të binin si kambana, ndoshta do të gjëmonin më kot. Virtyti i mëkatit nuk ndryshon: sot e mot ai është vetëm gojë që ha, por jo vesh që dëgjon. Arsyeja është krijesë nazike e buzëhollë, nuk pranon kurrë t’i shkojë pranë kujtdo. Aq më tepër arsyeja nuk pranon të shkojë tek ata që rrinë në turmë apo nëpër parti. Ka vetëm një shans për individët e secilës larushi qesharake, qoftë kur ajo është mavi, qoftë kur është blu, qoftë kur është si model krehjeje zeshkani Afrike: herët a vonë të kuptojnë se këtë botë të trazuar në këtë skaj Ballkani që e kanë pushtuar politikanët, e kanë krijuar artistët që në agun e saj.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy