Kryediplomati polak: Prania e NATO-s në Ukrainë “nuk është e paimagjinueshme”

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Kryediplomati polak: Prania e NATO-s në Ukrainë “nuk është e paimagjinueshme”

Ministri i Jashtëm i Polonisë tha se prania e forcave të NATO-s në Ukrainë “nuk është e paimagjinueshme”, duke shtuar se vlerëson presidentin e Francës, Emmanuel Macron, që nuk e ka përjashtuar këtë ide.

Radek Sikorski i bëri këto deklarata gjatë një diskutimi të mbajtur të premten me rastin e 25-vjetorit të anëtarësimit të Polonisë në NATO dhe Ministria e Jashtme i publikoi në X – që më herët njihej si Twitter – më vonë këto deklarata në gjuhën angleze.

Muajin e kaluar, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se mundësia që trupat perëndimore të dërgohen në Ukrainë nuk duhet të përjashtohet. Kjo deklaratë nxiti reagime të udhëheqësve të tjerë.

Zyrtarët francezë më vonë tentuan të sqaronin deklaratën e Macronit dhe të minimizonin kritikat, por duke insistuar se ka nevojë të dërgohet një mesazh i qartë te Rusia se nuk mund të fitojë në luftën kundër Ukrainës.

Advertisement

Kremlini ka paralajmëruar se nëse NATO-ja do të dërgojë trupat luftuese, një konflikt i drejtpërdrejtë mes aleancës dhe Rusisë do të ishte i pashmangshëm. Presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar se një lëvizje e tillë do të rrezikonte që të shpërthente një konflikt botëror bërthamor.

Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, ishte në mesin e udhëheqësve evropianë që përjashtoi mundësinë e dërgimit të trupave në Ukrainë pas deklaratave të bëra nga Macroni. Ai tha se “Polonia nuk ka plane që të dërgojë trupat e saj në territorin e Ukrainës”.

Sikorski nuk foli për ndonjë plan për të dërguar trupat polake në Ukrainë, por kishte një qëndrim ndryshe nga kryeministri i tij.

“Prania e forcave të NATO-s në Ukrainë nuk është e paimagjinueshme”, tha ai, sipas Ministrisë së Jashtme të Polonisë. Ai tha se e vlerëson nismën e Macronit “sepse ka të bëjë me çështjen që Putini të frikësohet e jo ne të frikësohemi nga Putini”.

Advertisement

Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, dhe kryeministri Tusk, do të udhëtojnë për në Uashington për një takim në Shtëpinë e Bardhë javën e ardhshme. Udhëheqësit e Polonisë po shpresojnë që të bindin SHBA-në që të bëjë më shumë për të ndihmuar Ukrainën, e cila po përballet me pushtimin rus që nga shkurti i vitit 2022.

Polonia është anëtare e NATO-s në krahun lindor të aleancës dhe gjendet në kufi me Ukrainën. Në të kaluarën, ky shtet ka qenë nën kontrollin rus dhe është rritur frika se nëse Rusia fiton në Ukrainë, shënjestra të radhës mund të jenë shtetet në rajonin që Moska e sheh si sferën e saj të interesit./REL

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy