Pesë arsye pse BE-ja duhet të jetë më optimiste për vitin 2022

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Pesë arsye pse BE-ja duhet të jetë më optimiste për vitin 2022

Nga Paul Tylor “Politico.eu”

Varianti i ri i koronavirusit Omicron, mund t’i ketë bërë më të pasigurta planet tuaja për Vitin e Ri. Megjithatë ka ende shpresë se Evropa mund të shënojë një progres domethënës mbi një sërë çështjesh delikate gjatë vitin 2022. Ja cilat janë ato:

Një koalicion investimesh

Pas vitesh të tëra betejash boshe mbi rregullat fiskale të BE-së – të cilat u pezulluan në fillimin e pandemisë së Covid-19 – tani po shfaqet konsensusi,sipas të cilit për të shmangur pengesat gjatë rimëkëmbjes ekonomike, rregulloret e disiplinës buxhetore duhet të ndryshohen përpara se të ri-hyjnë në fuqi në vitin 2023.

Advertisement

Nga veriu fanatik i kursimeve deri në jugun më dorëshpuar, pranohet se investimet publike do të jenë çelësi i suksesit të transformimeve të gjelbra dhe dixhitale të ekonomisë evropiane, dhe se kufijtë e vjetruara të borxhit dhe të deficitit nuk duhet ta pengojnë këtë.

Në këtë linjë, presidenti francez Emanuel Makron dhe kryeministri italian Mario Dragi kanë kërkuar së bashku reforma në mënyrë që huamarrja kolektive e BE-së të vazhdojë të ekzistojë si praktikë përtej fondit të rimëkëmbjes të krijuar në vitin 2020.

Edhe koalicioni i ri i qendrës së majtë në Gjermani, dëshiron nxitjen e investimeve publike për të modernizuar rrjetet e tij të transportit, telekomunikacionit dhe energjisë, si dhe të përmbushë synimet e tij ambicioze për të luftuar ndryshimet klimatike.

Edhe koalicioni i ri i kryeministrit holandez Mark Rute, është i angazhuar për rritjen e ndjeshme të shpenzimeve publike për strehimin, mirëqenien sociale dhe veprimet kundër ndryshimeve klimatike, por edhe për një rol më konstruktiv evropian sesa pozicionimi i mëparshëm i Holandës si udhëheqëse e fraksionit “të kursimtarëve” në BE.

Advertisement

Makron ka thirrur mbajtjen e një samit në marsin e vitit të ardhshëm, ku do të diskutohet një model ekonomik post-pandemik për Evropën, i cili duket se do të ketë në fokus këto prioritete të reja, përfshirë investimet më të mëdha publike, një pagë minimale në të gjitha vendet e BE-së, një taksim më të drejtë të korporatave, rregulla më të ashpra në fushën e tregtisë dhe investimeve,dhe një rol më pro-aktiv të Brukselit në promovimin e kompanive evropianë në teknologjitë kyçe.

Motori i ri franko-gjermano-italian i unionit

Pas largimit të Angela Merkel nga detyra dhe pas zgjedhjeve presidenciale në Francë në prillin e vitit 2022, BE-ja mund të presë me padurim një udhëheqje më energjike franko-gjermane nga muaji maj e tutje.

Perspektivat e qendrës së Makron për të fituar një mandat të dytë duken të forta, por edhe nëse do të fitonte kundërshtarja e tij e qendrës së djathtë, Valeri Pekrese, Franca do të mbetej në një kurs pro-evropian. Dallimi kryesor midis dy liderëve francezë ka të ngjarë të jetë mbi qasjen ndaj emigracionit.

Advertisement

Por Makron po ushtron që tani një presion të madh për kontrolle më të forta kufitare, si

dhe për një kontroll më të madh politik mbi zonën evropiane Shengen të udhëtimit pa pasaporta. Koalicioni trepartiak në Berlin, me ministra e të Gjelbërve në portofolet kyçe të Ministrisë së Jashtme dhe të Ekonomisë dhe Klimës, e ka shndërruar në një prioritet integrimin më të thellë të BE-së, ashtu si qeveria italiane.

Pavarësisht nëse Dragi do të zgjidhet president i Italisë në vitin 2022, dhe nëse do ta përdorë atë rol për të udhëhequr një qeveri reformiste pro-evropiane, apo do të qëndrojë si kryeministër, Roma do të jetë një partnere aktive përkrah Parisit dhe Berlinit në drejtimin e integrimit ekonomik dhe politik evropian.

Po ashtu, BE mund të nisë të korrigjojë neglizhencën e saj miope nga pikëpamja gjeopolitike ndaj Ballkanin Perëndimor. Sapo të mbarojnë zgjedhjet presidenciale franceze, ka shumë shanse që të zhbllokohen negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Advertisement

Një qasje më e ashpër për respektimin e shtetit të së drejtës

Qeveria e re gjermane, e ka bërë të qartë se do të jetë më pak tolerante ndaj lëvizjeve të sundimtarëve nacionalistë në Poloni dhe Hungari për të minuar pavarësinë e gjyqësorit, kufizuar lirinë e medias dhe të drejtat civile, si dhe për të hedhur poshtë përparësinë e ligjit të BE-së mbi ligjet kombëtare.

Një mbështetje më e fortë nga Berlini dhe Parisi, duhet ta vendosë Komisionin Evropian në një pozitë më të fortë, për të përdorur ndikimin e tij dhe ushtruar presion për sigurimin e pajtueshmërisë së vendeve anëtare me vendimet e Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian, duke vazhduar të mbajë pezull fondet e rimëkëmbjes që i takojnë Varshavës dhe Budapestit.

Ndërsa kryeministri hungarez Viktor Orban nuk ka gjasa të tërhiqet përpara zgjedhjeve parlamentare të prillit 2022, ai përballet me sfidën më të fortë deri më tani ndaj sundimit të tij jo-liberal, nga një front opozitar i bashkuar pro-evropian. Edhe nëse rizgjidhet për një mandat tjetër, ai mund të jetë në një pozitë më të dobët, dhe do kërkojë një zgjidhje pragmatike të këtij konflikti.

Advertisement

Partia Ligj dhe Drejtësi në Poloni, nuk do të përballet me zgjedhje deri në vitin 2023. Por edhe ajo mund të përballet me një presion të madh për të arritur një kompromis mbi çështjet e sundimit të ligjit, si për të pasur qasje në fondet e BE-së, por edhe për të garantuar  solidaritetin evropian mbi përdorimin e migracionit si një armë nga Bjellorusia në kufirin lindor,apo për t’u mbrojtur nga pasojat e një lufte të re midis Rusisë dhe Ukrainës.

Aleanca strategjike BE-NATO

Vetëm një kërcënim i jashtëm i madh, mund t’i bëjë marrëdhëniet aktualisht të dobëta BE-NATO, të fokusohen mbi interesat thelbësore të përbashkëta. Në vitin 2022, të dyja organizatat do të ripërtërijnë doktrinat e tyre strategjike.

BE do të miratojë analizën e parë të përbashkët të kërcënimit, dhe do të përcaktojë nivelin e saj të ambicies ushtarake në një busull strategjike në mars. Dhe NATO do të përditësojë për herë të parë pas një dekade Konceptin e saj Strategjik gjatë samitit të Madridit verën e vitit të ardhshëm.

Advertisement

Versioni i fundit i konceptit, i miratuar në vitin 2011, e përcaktonte Rusinë si një partnere sigurie, ndërkohë nuk e përmendte Kinën, dhe fokusohej në misionet kundër terrorizmit dhe menaxhimit të krizave, dhe jo tek konkurrenca midis fuqive të mëdha dhe mbrojtja territoriale.

Pavarësisht pyetjeve mbi angazhimin afatgjatë të Shteteve të Bashkuara,NATO do të mbetet shtylla kurrizore e sigurisë në Evropë. Por tani shumë sfida të sigurisë, do të kërkojnë përdorimin maksimal të mjeteve që zotëron BE, përfshirë sanksionet, ndërtimin e institucioneve, ndihmën për zhvillim, konvergjencën rregullatore, sigurinë kibernetike dhe luftën kundër dezinformimit.

Me mbështetjen e paprecedentë të Shtëpisë së Bardhë ndaj integrimit të BE-së në fushën e mbrojtjes, vitin e ardhshëm prisni një hap përpara në bashkëpunimin NATO-BE, si dhe emërimin e një sekretari të ri të përgjithshëm të aleancës, që do të jetë më dashamirës ndaj përpjekjeve për krijimin e një ushtrie të BE-së sesa kreu në largim Jens Stoltenberg.

Ndryshimi i raporteve Londër-Bruksel pas Brexit

Advertisement

Largimi i mezi-pritur i Lordit Dejvid Frost nga posti i kryenegociatorit të Mbretërisë së Bashkuar për Brexit, ofron të paktën një arsye për të shpresuar se marrëdhëniet BE-Britani mund të shënojnë një pikë kthese, dhe të fillojnë të rikuperohen nga frikërat e tyre më të mëdha mbi atë që do të ndodhte pas Brexit.

Kryeministrit britanik Boris Xhonson i duhet një zgjidhje për problemin tregtar të Irlandës së Veriut, të krijuar nga protokolli që negocioi Frost në marrëveshjen tregtare BE-Britani të vitit 2020, duke ngritur një kufi doganor me masa kontrolli të forta në Detin Irlandez, për të shmangur kontrollet kufitare në ishullin e Irlandës. Që tani ka shenja se Britania e Madhe dëshiron një marrëveshje përpara zgjedhjeve parlamentare në Irlandën e Veriut në majin e vitit 2022, ku republikanët e Sinn Féin mund të dalin si partia më e fortë.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy