Protesta për Teatrin, ose opozita që bën edhe diellin edhe shiun!

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Nga Alfred Peza

E patë besoj të gjithë. Në protestën e radhës kundër shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar, kur jo vetëm mikrofonin por edhe sheshin e kishin në dorë artistët, nuk ndodhi asgjë jashtë frymës demokratike. Kishte njerëz që flisnin në mënyrë të qetë. Përcillnin dhimbjen dhe shqetësimin e tyre. Jepnin mesazhin e tyre. Pavarësisht teprimeve, gjithësesi dëgjoheshin dhe duartrokiteshin.

Nuk kishte as dhunë. As incidente. Nuk u hodhën kapsolla. Nuk u rrahën me njëri tjetrin. Nuk u penguan gazetarët në punë e tyre. Nuk u provokua askush. Nuk provokuan askënd. Nuk kishte kush nevojë që të mbante në kokë kapuçin e zi. Apo të përdorte forcën fizike. E të pësonte dëmtime të tilla. Nuk kishte as vija të kuqe. A as vija blu. As kërcënime. As premtime për të penguar kënd.

Kamerat e transmetimeve televizive live, herë pas here na tregonin se kishte edhe një tavolinë diku në një cep të sheshit të protestës. Mbi të cilat dukeshin disa lista, ku pjesëmarrësit mund të shkonin një e nga një, dhe të firmosnin. Të firmosnin një peticion të ri, për rindërtimin e godinës së sapo shembur, të Teatrit në Tiranë.

Advertisement

U tha se synohej të mblidheshin 10 mijë firma. Por mund të mblidhen edhe më pak, e pse jo nëse munden, le të mblidhen edhe më shumë. Më të rëndësishme se të gjitha këto, ishte diçka tjetër. E ajo lidhej me faktin se çfarë u pa e çfarë ndodhi aty sot, ishte jo vetëm brenda të gjitha hapësirave të lirisë, por edhe të së drejtës së patjetërsueshme të gjithkujt për të protestuar në demokraci.

E gjitha kjo, nuk ka shqetësuar dhe nuk ka për të shqetësuar asnjëherë, askënd. E kundërta po. Pra vetëm nëse nuk do të kishte protesta në një sistem lirie si ky, atëherë po që këtu, do të kishte shumë vend për një shqetësim real. Sepse do të tregonte, se shkalla e emancipimit tonë demokratik, do të linte shumë për të dëshiruar.

Ajo që tërheq vëmendjen pas gjithë kësaj, e që vlen për tu ndalur me seriozitet, është diçka krejt tjetër. Ajo lidhet me rolin e partive të opozitës shqiptare në këtë protestë. Një rol që na tregon se, kur opozita jonë qëndroi larg, protesta kaloi e qetë.

Kjo do të thotë se liderët e “Opozitës së Bashkuar” përveçse grabisin kauzat qytetare, për ti shfrytëzuar për qëllimet e tyre thellësisht politike dhe elektorale, paskan në dorë komandën e mbarëvajtjes së tyre. Pra, të mënyrës sesi shkojnë ato.

Advertisement

Çka na tregon se nëse duan, udhëheqësit tanë opozitarë, bëjnë diellin. Ashtu siç e bënë edhe këtë radhë me protestën për godinën e Teatrit Kombëtar. Nëse nuk duan, ata bëjnë të kundërtën. Ata paskan në dorë të bëjnë edhe shiun. Edhe breshërin. Edhe stuhinë. Edhe dëborën. Edhe tufanin. Edhe suferinën. Edhe cunamin.

E për rrjedhojë në vend të këtyre pamjeve të qeta që u panë këtë radhë në shesh, po të mos donin ata do të shohim edhe përplasje me policinë. Edhe dhunën e provokimet mbi to. Edhe incidente. Edhe kaspolla. Edhe bomba molotov. Edhe flakë. Edhe tym. Edhe bojë. Edhe thyerje e dëmtime të tjera nëpër godinat e institucioneve kushtetuese të vendit.

Nuk është hera e parë që vihet re kjo dukuri. Nuk e keni harruar besoj periudhën e protestave të vitit të kaluar, pasi PD dhe LSI dogjën mandatet e deputetëve. Atëherë kur një ditë protestat ishin të dhunshme deri në ekstrem. E të nesërmen po të njëjtët, pas ndonjë telefonate nga përtej oqeanti apo takimeve me përfaqësues të selive diplomatike në rrugën e Elbasanit, bënin atë që bënë edhe sot: Protesta të qeta e paqësore!

E njëjta qasje dhe e njëjta sjellje, vijoi atëherë deri tri ditë përpara zgjedhjeve të 23 qershorit 2019, kur kërcënuan se nuk do të lejonin zhvillimin normal të votimit. E po të njëjtët, të dielën as nuk u afruan, as nuk ndaluan askënd që dëshironte të votonte, derisa doli e u shpall zyrtarisht edhe rezultati.

Advertisement

E gjitha kjo nuk tregon gjë tjetër, veçse mjerimin e opozitës shqiptare e cila nga njëra anë, përdor kauzat qytetare për interesat e veta. E nga ana tjetër, përdor ata që i besojnë ato, edhe pasi e kuptojnë se liderët politikë nuk kanë patur asnjëherë hallin e tyre, por vetëm të vetin.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2021 Struga.info | Privacy policy