Pse pas Merkel, BE-ja do të mbetet pa një udhëheqës evropian real

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Pse pas Merkel, BE-ja do të mbetet pa një udhëheqës evropian real

Nga Helen Thompson, The New York Times

Udhëheqja e Bashkimit Evropian dhe organizatave që i kanë paraprirë më herët,ka qenë gjithnjë një detyrë e vështirë. Për një kohë të gjatë, Franca dhe Gjermania, dy anëtaret më të mëdha themeluese të unionit, e menaxhuan atë përmes një mënyre relativisht bashkëpunuese.

Udhëheqësit – midis tyre Helmut Schmidt dhe Valéry Giscard d’Estaing, Helmut Kohl dhe François Mitterrand – do të zgjidhnin në fillim mosmarrëveshjet e tyre, dhe më pas do të evropianizonin kompromiset e tyre. Por për pjesën më të madhe të dekadës së kaluar, Evropa ka pasur vetëm një udhëheqës:kancelaren gjermane Angela Merkel.

Tani që ajo përgatitet të largohet nga detyra, po zhvillohet një garë e fortë për ta pasuar atë në këtë rol. Në krye të garës është presidenti francez Emmanuel Macron, përpjekjet e vetëshpallura të të cilit për t’i dhënë Bashkimit Evropian një synim të qartë politik,kanë qenë deri më tani të dështuara.

Advertisement

Pastaj është Olaf Scholz, që ka të ngjarë të jetë kancelari i ardhshëm i Gjermanisë, dhe që shpreson të trashëgojë mantelin e zonjës Merkel. Dhe pas tij vjen ndoshta kryeministri italian Mario Draghi, ish-presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, që vlerësohet si njeriu kyç që shpëtoi monedhën e përbashkët euro, një dekadë më parë.

Por ata do të bënin mirë të mos lodheshin më kot. I penguar jo pak nga rivaliteti i ashpër midis Amerikës dhe Kinës, dhe thellësisht i përçarë nga brenda, Bashkimi Evropian “banon” sot në një botë të ndryshme nga ajo e viteve të epërsisë së zonjës Merkel.

Në fakt, roli i saj i vjetër ka kohë që nuk ekziston. Në zemër të bllokut ka një boshllëk, dhe kjo për një arsye shumë të thjeshtë:Tani Bashkimi Evropian nuk mund të drejtohet më nga asnjeri tjetër. Askush nuk do të bëhet një Angela Merkel i radhës. Ndonëse u bë kancelare në vitin 2005, lidershipi i zonjës Merkel ishte më jetëshkurtër sesa mendojnë shumë njerëz. Zonja Merkel u bë një fuqi evropiane vetëm kur u shfaq kriza e eurozonës, e cila nisi në vitin 2010 dhe shtoi ndjeshëm kostot e huamarrjes në të gjithë unionin.

Në fazat e hershme të krizës, ajo u duk si vetëm gjysma e një lidershipi të madh -të etiketuar si “Merkozy” – bashkë me presidentin e atëhershëm të Francës Nicolas Sarkozy. Por zoti Sarkozy ishte më shumë për figurë sesa një vendimmarrës real.

Advertisement

Edhe pse të dy kërkuan largimin nga detyra të kryeministrit italian Silvio Berlusconi, ishte ndërhyrja e zonjës Merkel ajo që rezultoi vendimtare. Me largimin nga detyra të Sarkozy në vitin 2012, u zhduk edhe çdo koncept i barazisë në aksin franko-gjerman.

Zonja Merkel u bë aktorja qendrore në të gjitha çështjet e mëdha me të cilat përballej Evropa. Në verën e vitit 2012, ajo ra dakord me propozimin e zotit Draghi për një program të blerjes së bonove, që synonte lehtësimin e kostos së huamarrjes në eurozonë.

Në vitin 2014, ajo ia doli të bënte bashkë vendet e përçara të Bashkimit Evropian mbi sanksionet e përbashkëta kundër Rusisë për shkak të aneksimit të Krimesë prej kësaj të fundit. Dhe gjatë krizës së refugjatëve dhe emigrantëve të vitit 2015, ajo e ndryshoi politikën e bllokut të azilit me disa fjalë për bashkëqytetarët e saj gjermanë:“Ne mund ta bëjmë këtë!”. (Kur u tërhoq nga ajo qasje disa muaj më vonë, Merkel negocioi një marrëveshje me Turqinë në emër të gjithë Bashkimit Evropian, e ndihmuar vetëm nga kryeministri holandez, vendi i të cilit qëlloi që të mbante presidencën e radhës të BE-së).

Zoti Macron, që u ngjit në pushtet në vitin 2017, ai e shndërroi rikthimin e barazisë në aksin franko-gjerman si arsyen kryesore të ekzistencës së presidencës së tij. Por në pamundësi për ta zbehur ndikimin e zonjës Merkel, apo për ta bindur këtë të fundit të përmbushte vizionin e tij të madh për Evropën, ai kaloi me shpejtësi në fazën e sabotimit të kancelares.

Advertisement

Kjo gjë u pa më qartë në tetor 2019, kur ai vendosi veton kundër fillimit të negociatave të anëtarësimit në BE për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Nga ai moment, marrëdhënia mes të dyve, që në fakt nuk ka qenë asnjëherë shumë komode, nuk u riparua asnjëherë.

Në aktin e saj të fundit të udhëheqjes evropiane, Angela Merkel u përpoq që të çimentonte orientimin e Evropës drejt Kinës. Ajo loboi shumë për Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse të Investimeve, e cila e hapi tregun e Kinës për investime nga korporatat evropiane, dhe të cilin u përpoq ta finalizonte dhjetorin e viti të kaluar.

E ndodhur pak përpara se Joe Biden të merrte detyrën në SHBA, marrëveshja ishte për zonjën Merkel versioni i saj i autonomisë strategjike evropiane:një pohim se në dallim nga SHBA-ja, ne lidhje me çështjet ekonomike dhe klimatike, Evropa preferonte bashkëpunimin me Kinën në vend të konfrontimit me të.

Por ajo përpjekje dështoi. Marrëveshja nuk u ratifikua, pasi Kina u hakmor kundër sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj 4 zyrtarëve kinezë për shkak të shkeljeve të të drejtave të njeriut në rajonin perëndimor kinez të Xinjiangut.

Advertisement

Në çdo rast, blloku evropian është larg nga të qenit në një mendje se si duhet të jetë angazhimi ekonomik dhe teknologjik me Kinën. Për Gjermaninë, e varur ekonomikisht nga Kina dhe me një pozitë kyçe për shkak të rrugëve të saj tregtare në Evropë, bashkëpunimi pragmatik duket të jetë një kurs i arsyeshëm. Por për vendet e tjera anëtare, Kina më shumë përbën një kërcënim.

Në mënyrë të habitshme, nën drejtimin e Mario Draghi, Italia ka hequr dorë nga investimet kineze, dhe është kthyer më shumë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë muajve të fundit, Angela Merkel ka qeverisur pa pushtetin që gëzonte më parë.

Për shumë çështje si sundimi i ligjit, energjia bërthamore, politika e mbrojtjes dhe jo më pak e rëndësishmja, marrëdhënia me Kinën – Evropa është thellësisht e ndarë, dhe me shumë pak hapësira ​​për manovrim. E megjithatë nuk ka asnjë arsye për të menduar se dikush tjetër mund të jetë më mirë se ajo.

Planet e mëdha të zotit Macron për Evropën, nga bashkimi më i thellë monetar, tek rritja e kapaciteteve ushtarake dhe pavarësia teknologjike, nuk mbështeten gjerësisht nga vendet e tjera anëtare. Supozimi i qeverisë së tij se Bashkimi Evropian është tashmë një superfuqi si për Amerikën ashtu edhe për Kinën, tingëllon jo vetëm iluziv, por edhe fyes në ato kryeqytete evropiane ku është e domosdoshme garancia e sigurisë nga Amerika.

Advertisement

Nga ana e tij, zoti Scholzdo t’i nënshtrohet të njëjtave presione ekonomike që shoqëruan edhe qasjen e zonjës Merkel ndaj Kinës. Dhe me siguri që ai do ta ketë shumë të vështirë, ashtu siç e pati edhe Merkel, që të imponojë në gjithë bllokun qasjen e tij mëtë preferuar:një marrëdhënie të thellë ekonomike me Kinën, dhe një marrëdhënie të ngushtë me Uashingtonin në fushën e sigurisë.

Sa për Macron dhe Draghi-n, ata mund të bashkëpunojnë ngushtësisht midis tyre për disa çështje, por ata ndajnë qëndrime diametralisht të kundërta në raport me Amerikën dhe Kinën. Thënë shkurt dhe qartë, realiteti është se as kancelari i ri gjerman dhe as qeveria franceze nuk mund ta udhëheqin Evropën. Kompromiset që bënë me njëri-tjetrin paraardhësit e tyre nuk janë më të disponueshme. Dhe në mungesë të lidershipit, Evropa po shkon drejt një ngërçi të rrezikshëm, të shkaktuar nga mungesa e një udhëheqësi të qartë.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy