SHBA, qindra hetime për terrorizëm të brendshëm prej 25 majit

Pinterest LinkedIn Tumblr +
SHBA, qindra hetime për terrorizëm të brendshëm prej 25 majit

Prej fundit të muajit maj FBI-ja ka nisur më shumë se 300 hetime për terrorizëm të brendshëm dhe ka arrestuar rreth 100 persona në Portland të shtetit të Oregonit, një pikë e nxehtë e protestave të nxitura nga vdekja e afrikano-amerikanit George Floyd. Lajmi u njoftua nga një prokurore e lartë federale.

Erin Nealy Cox, prokurore e distriktit të Teksasit dhe bashkëdrejtuese e një grupi pune të formuar së fundmi në Departamentin e Drejtësisë kundër “ekstremizmit antiqeveritar”, u tha ligjvënësve në Kongres se hetimet u hapën pas 28 majit, tre ditë vdekjes së George Floyd, në duart e policisë së Mineapolisit. Vdekja e tij nxiti protesta mbarëkombëtare.

“Kjo nuk përfshin ndonjë hetim të mundshëm mbi të drejtat civile ose krime të dhunshme që kanë shoqëruar trazirat civile”, tha zonja Cox gjatë një seance dëgjimore në komisionin Juridik të Senatit lidhur me protestat, të cilat në disa raste janë shoqëruar me dhunë.

Prokurori i Përgjithshëm William Barr njoftoi krijimin e grupit të punës në Departamentin e Drejtësisë në fund të qershorit. Ai tha se “ekstremistët antiqeveritarë” kishin “kryer veprime të papërligjura dhune, me qëllimin për të minuar rendin publik”.

Advertisement

Grupi i punës i cili bashkëdrejtohet nga Craig Carpenito, prokurori i distriktit të Nju Xhersit e që përbëhet nga prokurorë dhe agjentë të FBI-së, ka si detyrë grumbullimin e “informacionit të hollësishëm në lidhje me ata individë, rrjete dhe lëvizje ekstremiste të dhunshme”.

Çdo grup, pavarësisht nga emri, nëse është i dhunshëm dhe antiqeverisë, do të shqyrtohet nga ne“, tha zonja Cox gjatë seancës dëgjimore. “Nëse është një grup supremacistësh të bardhë, të përfshirë në ndonjë aktivitet bandash ose droge, kjo nuk është kompetencë e jona për ta shqyrtuar”, shtoi ajo.

Krijimi i grupit të punës përqendruar tek ekstremistët antiqeveritar ka ngritur shqetësimin se Departamenti i Drejtësisë po i kushton pak vëmendje hetimit të grupeve të supremacistëve të bardhë, në një kohë kur kërcënimi nga ekstremistët e djathtë po rritet. Vitin e kaluar, drejtori i FBI-së Christopher Wray tha se shumica e çështjeve të zyrës së tij mbi terrorizmim e brendshëm janë të lidhura me supremacistët e bardhë.

Senatori demokrat Dick Durbin e pyeti zonjën Cox se pse Departamenti i Drejtësisë “ka ndaluar gjurmimin e incidente të shkaktuara nga supremacistët e bardha si një kategori e veçantë e terrorizmit të brendshëm”. Zonja Cox tha se ajo nuk dinte këtë gjë.

Advertisement

Seanca dëgjimore solli shpërthimin e qëndrimeve të kundërta e të mprehta mes palëve.

Senatori republikan Ted Cruz tha se protestat ndaj dhunës policore dhe racizmin ishin marrë peng nga “protestues të dhunshëm e plaçkitës si dhe nga ata që shfrytëzojnë në mënyrë cinike protestat për qëllimet e tyre të liga”, siç u shpreh ai.

“Protestat paqësore duhet të mbrohen. Trazirat duhet të ndalen”, tha zoti Cruz, duke akuzuar demokratët se nuk kanë pranuar të dënojnë dhunën.

Senatori demokrat Mazie Hirono tha se “askush nuk e do dhunën” dhe akuzoi oficerët federalë të zbatimit të ligjit për akte dhune kundër protestuesve paqësorë.

Advertisement

“Në Portland, agjentët federalë përdorën forcë të tepruar dhe diskriminuese për të shpërndarë njerëzit e mbledhur për të protestuar në mënyrë paqësore”, tha zoti Hirono.

Muajin e kaluar administrata Trump dërgoi me dhjetëra agjentë federalë të zbatimit të ligjit në qytet. Presidentin Donald Trump akuzoi drejtuesit lokalë se kishin humbur “kontrollin mbi anarkistët dhe agjitatorët” që kishin vënë nën shënjestër gjykatën federale siç tha ai.

Njoftimet se agjentët federalë kishin përdorur forcë të tepruar kundër protestuesve dhe i kishin rrëmbyer demonstruesit në rrugë duke i futur në automjete pa shenja dalluese të policisë provokuan përplasje. Kjo bëri që punonjësit federalë të zbatimit të ligjit të largoheshin nga qyteti.

Ken Cuccinelli, zyrtar i lartë në Departamentin e Sigurisë së Brendshme, mohoi se situata është qetësuar pas largimit të forcave federale.

Advertisement

“Mbrëmë, policia lokale bëri të ditur se në qytet po zhvilloheshin trazira”, tha zoti Cuccinelli. “Jo policia federale, por policia lokale”, shtoi ai.

Sipas zotit Cuccinelli prej fillimit të protestave në muajin maj në Portland, janë plagosur 140 oficerë të zbatimit të ligjit./ VOA

SHBA, qindra hetime për terrorizëm të brendshëm prej 25 majit shkruan Vizion Plus.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy