Shpresa në kohën e talibanëve

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Shpresa në kohën e talibanëve

Nga Lutfi Dervishi 

Afganistani është sot vendi më i keq në botë për gratë dhe gazetarët- thotë Ghazaal, një aktiviste për të drejtat e njeriut që prej 3 javësh ndodhet në Shqipëri.

Një protestë e grave dhe vajzave sot në Kabul është për ta pothuaj një lajm i pabesueshëm.

“Është shumë e guximshme! Kjo mund t’iu kushtojë atyre jetën”
Rikthimi i talibanëve në Afganistan sjell për vajzat dhe gratë afgane kujtime të trishta.

Advertisement

“Unë kam qenë fëmijë dhe e mbaj mend që kur erdhën talibanët në pushtet na ndaluan të shkojmë në shkollë”.
Kur talibanët morën për herë të parë pushtetin në Afganistan u treguan veçanërisht të ashpër me gratë dhe vajzat. Sipas urdhërave të nxjerrë dhe të bërë publik përmes radios shtetërore asnjë grua/vajzë nuk mund të dilte nga shtëpia e pa shoqëruar. Në të kundërt do të rriheshin publikisht në përputhje me standartet e sjelljes së talibanëve.

Rrobaqepësit u urdhëruan të mos bënin rroba duke matur trupin e grave, por mjaftonte që të masnin kokën dhe rrobet të mbulonin gjithë trupin.

Edhe djemtë dhe burrat nuk kaluan pa masa ndëshkuese. Atyre iu dha kohë 6 javë për të rritur mjekrën jo më pak se një grusht në mënyrë që të dilnin në rrugë pa u ndëshkuar.

Ghazaal na tregon një foto të bërë dje në universitetin e Kabulit që po qarkullon prej dy ditësh në rrjetet sociale. Një sallë leksioni në universitet e ndarë në mes nga një perde e patejdukshme në një anë të ulur studentët meshkuj dhe në anën tjetër të ulur vajzat. Megjithatë ky duket një lajm i “gëzueshëm”. Të paktën po vijon shkolla.

Advertisement

Ghazaal ka një frikë më të madhe. Në Afganistan shkolla ka vijuar vetëm në universitet dhe jo në shkollat e mesme dhe në ciklin e ulët.

“Nëse nuk zhvillohet shkollë sivjet në shkollat e mesme, akush nuk do të arrijë të shkojë në universitet vitin e ardhshëm!”

“Unë ika nga Afganistani se nuk dua që dy vajzat e mia të kenë të njëjtën përvojë që pata unë kur isha në moshën e tyre në përballjen me talibanët”.

Talibanët 2.0?

Advertisement

Gjatë këtyre 20 viteve kanë ndodhur shumë ndryshime. Bota ka ndryshuar. Koha ka ndryshuar. Po talibanët a kanë ndryshuar?

Më 1996, ata ndaluan muzikën, ndaluan mbajtjen e pëllumbave apo zogjve në shtëpi, ndaluan lojën e fëmijëve me balona, ndaluan fotografitë/posterat në makina, dyqane apo edhe shtëpi!

A kanë ndryshuar talibanët pas dy dekadave?

“Janë të njëjtë- ngulmon Ghazaal- i njëjti mentalitet, e njëjta ideologji. Ndryshimi vetëm është se tani janë më të organizuar dhe me pajisje më të mira”

Advertisement

Droja është se tani janë rikthyer edhe me hakmarrjen në mendje.

“Kur erdhën më 1996, e gjithë beteja e tyre ishte me sistemin në përgjithësi, tani ata kanë lista dhe po ju qepen njerëzve. Shtëpia ime është kontrolluar disa herë që nga momenti që kam lënë Kabulin. Një pjesë e tyre kanë qenë në burgje si ai i Guantanamos dhe mendojnë se tashmë erdhi dita e tyre e shpagimit.

Çdo ditë dëshmon kthimin pas me talibanët.

“Ka një dallim të madh mes lajmeve nga Afganistani që lexonim para dhe pas datës 15 gusht. Nëse më parë media ndërkombëtare citonte median lokale, tani ndodh e kundëta. Mjafton të shohësh çfarë postojnë në twitter media kombëtare për të kuptuar se çfarë do të thotë liri e medias për talebanët.

Advertisement

Duke ju referuar betejës së këtyre ditëve mes talebanëve dhe forcave që kundërshtojnë regjimin në luginën e Panjeer, media shtetërore sot shkruan “skllevërit e fundit të Amerikës janë dorëzuar”.

Kur janë pyetur për lirinë e medias talibanët kanë thënë se “media është e lirë, brenda kufijve të sheriatit”. E njëjta gjë edhe për gratë dhe vajzat.

“Sot gazetarët janë të fshehur në Afganistan”.

I kujtoj Ghazaal se media ndërkombëtare vijon të raportojë nga Kabuli dhe gazetarë të njohur përshkruajnë përgjithësisht të qetë gjendjen aty.

Advertisement

“Ata sillen mirë me median ndërkombëtare. Gjysma e hotel Serenës në Kabul është e mbushur me gazetarë të huaj. Është e çuditshme se si ata shkruajnë që jeta në Kabul është normale. Ku e shohin normalitetin? Shohin ndonjë grua apo vajzë në rrugë? Varet se çfarë nënkuptojmë me normalitet”

Sa ka ndikuar teknologjia dhe interneti në jetën e sotme në Afganistan?

“Shpresojmë shumë që Afganistani të mos përfundojë si Kina apo Koreja e Veriut që kontrollon internetin”.
Ghazzal druhet se sapo talibanët të konsolidojnë pushtetin atëherë me ndihmën e Pakistanit mund të kontrollojnë edhe internetin.

“Kemi dëguar që Ministria e Telekomunikacionit” do të sjellë ekspertë nga Pakistani, kjo do të thotë se mund të ketë kufizime për përdoruesit e facebook, what’sapp apo signal”

Advertisement

“Është Pakistani që po ndihmon shumë talibanët, edhe bombardimet e dy ditëve të fundit përmes dronëve janë bërë me ndihmën e Pakistanit”.

Më 1996 talibanët u kthyen në pushtet në një vend të lodhur dhe të drobitur nga lufta civile që pasoi luftën 10 vjeçare ndaj Bashkimit Sovjetik. Njjerëzit ishin të irrituar me kaosin dhe komandantët e muxhahedinëve.

Cila është arsyeja e rikthimit kaq të shpejtë të talibanëve më 2021?

“Askush nuk e parashikonte që do të ktheheshin kaq shpejt dhe çdo gjë do të shembej me shpejtësi. Por momenti i nënshkrimit të amerikanëve me talibanët është pikë kthese. Njerëzit në ushtri dhe polici e kuptuan që talibanët po legjitimoheshin disi dhe beteja ndaj tyre nuk kishte më shumë kuptim”- thotë Ghazaal.

Advertisement

Nuk ka një arsye të vetme, por janë disa prej tyre:

“Prania ndërkombëtare, politikanët, korrupsioni…. Presidenti braktisi vendin. Ai dha urdhër që të mos hapej zjarr ndaj talibanëve”.

“Ikja jonë ishte kaotike. Shumë gazetarë dhe aktivistë të shoqërisë civile kanë mbetur atje. Një pjesë janë fshehur.”
“Ne kemi lënë çdo gjë atje. Tani po përshtatemi”.

Ghazaal është shumë e kënaqur që është në Shqipëri. Shumë falenderuese që do të qëndrojë këtu për “disa muaj e shumta një vit’.

Advertisement

“Po përshtatemi. Dua t’iu tregoj një histori që më ngjau këtu para 3 ditësh. Babai kishte nevojë të vizitohej në spital. E çuam me ambulance. Para se të futeshim në spital u kujtova se nuk kisha maskë as për vete as për babain. Po nuk kisha as para me vete. Një zonjë shqiptare që nuk komunikonte anglisht u fut në një farmaci aty afër dhe më solli maskat. Në spital gjithkush mundohej të na ndihmonte. Janë gjeste të vogla, por që për ne do të thonë shumë, veçanërisht në këto momente”

A ka më shpresë për Afganistanin?

Ghazaal nuk është shumë optimiste!

“A është komuniteti ndërkombëtar i gatshëm të shpenzojë sërish miliarda dollarë? Është i gatshëm të luftojë sërish për ne? Nuk më duket e mundur”.

Advertisement

Shpresa vdes e fundit dhe shpresa është tek brezi i ri, brezi që nuk i ka njohur talibanët.

“Ky është brezi që do të rezistojë – thotë Ghazaal. Ky është brezi që do të protesojë”

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy