‘Trupi pandemik’, si na ndryshoi epoka e Covid, nga rënia e flokëve te shtimi në peshë

Pinterest LinkedIn Tumblr +
‘Trupi pandemik’, si na ndryshoi epoka e Covid, nga rënia e flokëve te shtimi në peshë

Të jetuarit në periudhën e pandemisë ka pasur pasoja shëndetësore edhe për njerëzit që nuk janë infektuar me koronavirus. Kohët e fundit është vërtetuar, për shembull, se epoka e Covid-it ka qenë një ngjarje globale e rënies së flokëve, një pasojë e qartë e stresit nën të cilin kanë qenë të gjithë. Çfarë tjetër kanë shkruar këto kohë të paprecedentë në trupin tonë?

Flokët

Kur Instituti i Trikologëve në Mbretërinë e Bashkuar (IoT) një shoqatë profesionale për ata që trajtojnë çrregullimet e flokëve anketoi anëtarët e tij këtë verë, 79% thanë se kishin pasur raste të “rënies së flokëve pas Covid” në klinikat e tyre. Eva Proudman, konsulente trikologe dhe kryetare e IoT, e lidh këtë me temperaturën dhe humbjen e oreksit që janë të lidhura me virusin.

“Të dy këta faktorë reflektohen në flokë, zakonisht midis katër deri në gjashtë javë pas infektimit, flokët fillojnë të bien tej mase.”

Advertisement

Richard Spencer, trikolog thotë se arsye të tjera për rënien e flokëve mund të jenë “ankthi i të pasurit të virusit dhe të mos dish se sa keq mund të vuajë njeriu prej tij, si dhe stresi i izolimit”. Ndërsa Proudman ka parë raste te meshkujt dhe femrat, mund të jetë më e dukshme tek femrat, “pasi ato i mbajnë flokët më të gjata se meshkujt”.

Humbja e flokëve shkaktuar nga pandemia ka shumë të ngjarë të sjellë një gjendje e njohur si telogen effluvium, “një ndërprerje e ciklit normal të rritjes dhe rënies së flokëve,” thotë Proudman. Lajmi i mirë, thotë Spencer, është se nëse humbja është për shkak të stresit fizik apo emocional, “shumica ose të gjitha flokët janë të rikuperueshme”. Në disa raste, shton Proudman, “trupi do të shërohet vetë. Në raste të tjera, mund të duhet ndërhyrje me ndryshime dietike, suplemente specifike të flokëve ose trajtime”.

Sytë

Sytë ‘e pandemisë’ janë tharë dhe dëmtuar nga kaq shumë kohë para ekranit. Koha e kaluar para ekranit i bën sytë të humbin shikimin e shëndetshëm. Studime të shumta kanë treguar se për shkak të kohës së kaluar para ekraneve në ambiente të mbyllura ka bërë që të gjithë njerëzit, përfshirë edhe fëmijët të kenë dëmtime në sy.

Advertisement

Syzet që bllokojnë dritën blu nuk ka gjasa të jenë zgjidhja. Miopia shkaktohet nga fokusimi i vazhdueshëm në diçka afër fytyrës dhe nuk është shkëlqimi i ekranit që po na thanë sytë. Është tendenca jonë e natyrshme që të mbyllim sytë rreth pesë herë më rrallë kur bëjmë punë me ekran.

Dhëmbët

Pasi u anuluan të gjitha kontrollet rutinë dentare gjatë krizës së Covid-it, njerëzit nuk shkuan te dentisti për gati dy vjet. Sipas Shoqatës Dentare Britanike, mungesa e vizitave normale si dhe neglizhenca për kujdesin dentar kanë bërë që prishja e dhëmbëve të jetë trend kudo në botë tashmë.

Kur Shoqata Amerikane e Dentistëve anketoi anëtarët e saj në shkurt, zbuloi se 71% e pothuajse 2300 dentistëve raportuan se kishin parë një rritje të bruksizmit, kërcitje dhe shtrëngim dhëmbësh, në mesin e pacientëve të tyre gjatë pandemisë. Kishte gjithashtu një rritje të dhëmbëve të plasaritur dhe të copëtuar, që mund të rezultojë nga kërcitja e dhëmbëve.

Advertisement

Zemra

“Kardiologët kanë parë një rritje të sëmundjeve kronike të zemrës gjatë pandemisë”, thotë Sonya Babu-Narayan, drejtoreshë në Fondacionin Britanik të Zemrës. Për disa, ka ndikuar mungesa e dietës dhe stërvitjes dhe për të tjerë ka qenë e pamundur vizita në spitale.

“Çdo vonesë ndikon shumë që në fund vë në rrezik jetën”, thotë ajo.

Procedurat e anuluara, takimet e humbura dhe listat në rritje të pritjes ka të ngjarë të kenë kontribuar tashmë në mijëra vdekje të tjera nga sulmet në zemër dhe goditjet në tru gjatë pandemisë.

Advertisement

Stomaku

Philip Smith, konsulent gastroenterolog në spitalin Royal Liverpool ka vënë re se shpërthimet e sindromës së zorrës së irrituar (IBS) janë bërë më të zakonshme. “Ne kemi parë një rritje të çrregullimeve që mund të lidhen me stresin dhe ankthin, siç është IBS,” thotë ai. “Truri dhe zorrët ndërveprojnë shumë ngushtë.”

Izolimi e ka bërë më të vështirë kërkimin e ndihmës, për probleme të tilla si sëmundja e Crohn-it, koliti ulceroz dhe sëmundja inflamatore e zorrëve.

Mëlçisë

Advertisement

“Pranimet në spitale të lidhura me alkoolin ranë në vitet para pandemisë”, thotë Smith, por, që nga Covid, rastet “janë rritur masivisht. Mund të paraqiten me hepatit alkoolik dhe verdhëz. Ato mund të shfaqen me humbje peshe ose simptoma si lëkundje, dridhje, djersitje dhe acarim. Mund të shfaqen me gjakderdhje gastrointestinale. Sipas Shoqatës ndërkombëtare Alcohol Change, një në pesë të anketuar, rreth 8.6 milionë të rritur e kanë pranuar se kanë pirë më shumë gjatë pandemisë.

Lëkura

“Siç mund ta prisni”, thotë Emma Craythorne, dermatologe sëmundjet e lëkurës si rosacea, ekzema dhe psoriasis janë përkeqësuar gjatë kësaj kohe stresuese, sepse stresi ndikon tek sëmundjet e lëkurës. Dhe larja e shpeshtë e duarve mund të ndikojë në lëkurën e kujtdo.

“Kur pastroni duart, menjëherë shtresa e jashtme fillon të humbasë ujë dhe nëse nuk hidratoheni më pas, ose përdorni një dezinfektues duarsh me hidratues të shtuar si glicerinë, tharja e vazhdueshme “fillon të shkaktojë çarje në lëkurë dhe pastaj bakteret patogjene mund të hyjnë dhe të shkaktojnë inflamacion”.

Advertisement

Termi “maskne” është përmendur gjatë pandemisë duke iu referuar problemeve të lëkurës për shkak të mbajtjes së maskës por Craythorne nuk e sheh këtë si një problem të madh. Ndërsa mbajtja e maskave ndryshon pjesën e zonës rreth gojës duke krijuar disa akne, Craythorne dyshon se faji mund të jetë më shumë i acideve që ndodhen tek produktet e kujdesit të lëkurës.

Këmbët

Mjekja Emma McConnachie thotë se janë shtuar personat që kanë probleme me tendosjen e tendinës dhe lloje të dhimbjeve të thembrave të tilla si fasciiti i shputës.

Një shkak hipotetik mund të jetë kalimi më shumë kohë në shtëpi dhe këmbët po mësohen pa këpucë.

Advertisement

“Jo të gjitha llojet e këmbëve përballen mirë me ecjen zbathur ose me shapka për një kohë shumë të gjatë”, thotë ajo.

Ajo thotë se mjekët po shohin gjithashtu rritje të problemeve në kyçet e këmbës dhe zonën e akilit në pjesën e pasme të kyçit të këmbës. Supozimi, thotë ajo, është se shumë nga këto lëndime kanë ardhur si rezultat i “ndryshimeve në llojin e aktivitetit, ose shtimit të aktiviteteve të reja, si vrapimi”.

Dietë dhe fitnes

Dietologu Tim Spector thotë se për shkak të pandemisë, shumë njerëz kanë ndryshuar sjelljen e tyre. Ata ose u bënë më të shëndetshëm, ose u bënë shumë më pak të shëndetshëm, por mesatarisht, ata disi u ekuilibruann.

Advertisement

Ndërsa një sondazh i botuar në revistën Nature Food zbuloi se në përgjithësi, njerëzit që kërkonin ndihmë për humbjen e peshës ishin mesatarisht 2.3 kg më të rëndë se ata në tre vitet e mëparshme.

Ndërkohë, sondazhi tregoi se, ndërsa pak më shumë se një e katërta e njerëzve bënë më pak stërvitje gjatë pandemisë, pjesa tjetër u bë më aktive. Dhe, kur ishte fjala për dietën, thotë Spector, rreth dy e treta rizbuloi gatimin dhe hëngri më shëndetshëm, ndërsa pjesa tjetër bëri të kundërtën. “Tani nuk e dimë cfarë kanë bërë, nëse janë kthyer tek KFC apo sallata?”, tha Spector.(The Guardian, Gazeta “Si”)

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy